Ndërlidhjet

Përfundon procesi zgjedhor në Maqedoni


Maqedoni: Votimet pa probleme
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:52 0:00

Maqedoni: Votimet pa probleme

Ka përfunduar procesi zgjedhor në Maqedoni. Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, deri në orën 17 për zgjedhjen e presidentit në votime kanë dalë 45.3 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, ndërsa për zgjedhjet parlamentare 53.5 për qind.

Menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, përmes një deklarate, kryetari i LSDM-së opozitare, Zoran Zaev, njoftoi se partia e tij nuk do ta njohë procesin zgjedhor dhe rezultatet e tij, për shkak të, siç ka theksuar ai, parregullsive të shumta që e kanë përcjellë procesin votues.

Ai ka apostrofuar shumë parregullsi, që, sipas tij, janë bërë jo vetëm në ditën e zgjedhjeve, por në të gjithë procedurën zgjedhore.

“Qeveria e Gruevski tregoi se nuk është e aftë të realizojë zgjedhje demokratike. Kërkojmë formimin e një Qeverie teknike për nxjerrjen e vendit nga kriza e thellë, në të cilën është përfshirë”, ka deklaruar Zaev.

Por, nga VMRO DPMNE-ja thanë se zgjedhjet kanë qenë më të mirat të organizuara ndonjëherë në Maqedoni.

“Populli i Maqedonisë dëshmoi pjekurinë ndërsa me procesin e sotëm zgjedhore Maqedonia u bë shembull në rajon duke organizuar zgjedhje si në vendet skandinave”, ka theksuar Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Nga BDI-ja, në paraqitjen e tyre të parë, procesin zgjedhor e vlerësuan si demokratik, ndërsa PDSH-ja opozitare gjithashtu denoncoi presione dhe frikësim të qytetarëve për të votuar partitë në pushtet.

Proces zgjedhor i qetë dhe demokratik

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve procesin zgjedhor të së dielës për zgjedhjet presidenciale dhe ata të parakohshmet parlamentare, e ka cilësuar si të qetë dhe në frymë demokratikë.

Edhe dikasteri i policisë zgjedhjet e së dielës, më 27 prill, ka vlerësuar kryesisht të qeta.

Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotekvsi, ka theksuar se zgjedhjet po zhvillohen në mënyrë demokratike dhe se nuk është regjistruar asnjë incident serioz që do ta dëmtonte procesin zgjedhor.

"Deri tani, në Shtabet rajonale dhe në shtabin republikan i MPB-së, gjithashtu edhe te shërbimet policore, të cilat që nga mëngjesi janë shpërndarë në terren, nuk ka asnjë njoftim serioz apo kërkesë për ndërhyrje nga organet zgjedhore, partitë politike apo OJQ-të. Maqedonia votoi me dinjitet dhe në përputhje me standardet e larta evropiane", është shprehur Kotevski.

Por, me këtë qëndrim nuk janë pajtuar organizatat joqeveritare, të cilat janë të inkuadruara në vëzhgimin e procesit zgjedhor.

Asociacioni qytetar “Most” gjatë orëve të pasdites ka raportuar për një varg parregullsish që kanë të bëjnë me votimin familjar në shumë komuna, lexim me zë të emrave të votuesve nga ana e komisionarëve, që është në kundërshtim me ligjin, asistimi nga persona të tjerë të votuesve gjatë votimit, tentim për të votua dy herë etj.

Ndërsa, qytetarët, të cilët kishin dalë për të votuar, shpresojnë që zgjedhjet të kalojnë qetë dhe pa incidente, ndërkohë që pas zgjedhjeve, kryesisht presin përmirësime.

“E para, dëshiroj që të respektohet vullneti i qytetarëve dhe pastaj shteti të ketë prosperitet, veçanërisht në aspektin ekonomik”, tha një qytetar maqedonas.

“Po votova, pres që të bëhet sa më mirë për këtë shtet”, pohoi një votues shqiptar.

“Votova me shpresë se do të bëhet më mirë për të rinjtë, të hapen vende punë, e të mos ngelin rrugëve pa punë”, tha një qytetare maqedonase.

“Presim që të fillojnë gjërat të ecin kah e mira ta shohim, presim të mbarën për jetesë më të mirë, punësime të reja krejt në këtë drejtim” , u shpreh një qytetar tjetër i etnitetit shqiptar.

Edhe drejtuesit e partive politike kanë shprehur bindjen se këto zgjedhje do të hapin perspektiva të reja për vendin.

Lideri i partisë shqiptare, Bashkimit Demokratik për Integrim në Zajaz të Kërcovës, ka theksuar se ky cikël zgjedhor paraqet një hap të rëndësishëm për procesin e integrimi të vendit.

“Do të doja që i gjithë procesi të shkojë mirë, të kemi zgjedhje të lira, të kemi zgjedhje pa frikë, të pranueshme për të gjitha palët konkurrente. Është një mandat shumë interesant. Ky mandat është në një periudhë, do të thosha, shumë interesante, kur vendi ynë duhet të ecë përpara drejt proceseve euro-atlantike”, ka theksuar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili është i vetmi lider politik shqiptar që ka injoruar zgjedhjet presidenciale, duke mos e marrë fletëvotimin.

Ndryshe, lideri i Partisë Shqiptare në opozitë, Menduh Thaçi, pasi ka votuar në Tetovë, është shprehur i bindur se nesër dita fillon me një përbërje qeveritare.

"Vazhdon gjendja e njohur e vendeve të zakonshme, si Zajaz, Osllomej dhe Kërçovë, ku kishte tentim nga oponenti ynë politik që me votim grupor dhe familjar të arrijnë rezultat të mirë, por ne tani për tani me sukses i parandaluam. Pres qeveri të re, shpresë të re dhe gjëra të mira për Maqedoninë", ka deklaruar Thaçi.

Edhe lideri i Rilindjes Demokratike Kombëtare në opozitë, Rufi Osmani, pasi ka kryer obligim qytetar duke votuar, ka theksuar se shpreson se këto zgjedhje do të jenë një ogur i mbarë për vendin:

"Shpresoj këto zgjedhje të jenë një ogur i mirë dhe Maqedonia të kthehet në një normalitet pas 22 vjetësh pluralizëm. Më duhet me keqardhje të konstatoj se zgjedhjet që u organizuan dje në diasporën shqiptare, kanë qenë një masakër zgjedhore, sepse vetëm në Zvicër janë lejuar të votojnë vetëm 8 për qind nga 17 mijë të paraqitur".

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka theksuar se zgjedhjet janë zhvilluar në një atmosferë korrekte dhe demokratike.

Kemi zgjedhje të qeta dhe shpresoj se do të mbetet kështu deri në fund të ditës së zgjedhjeve dhe se, para së gjithash, do të ngadhënjejë Maqedonia", ka theksuar Gruevski.

Edhe kandidati për president të shtetit nga opozita maqedonase, Stevo Pendarovski, ka thënë se shprehur se shpreson që procesi zgjedhor të përmbushë të paktën minimumin e standardeve demokratike:

”Duke pasur parasysh se gjatë ditëve dhe javëve të kaluara ishim dëshmitarë sa që praktikisht nuk kishte asnjë ditë të periudhës parazgjedhore ku nuk kishte shkelje të rregullave të zgjedhjeve, unë sinqerisht shpresoj që të paktën sot, dita e zgjedhjeve do të kalojë në një atmosferë të qetë dhe sic i ka hije shtetit që duhet të jetë evropian dhe demokratik”.

Ndërkohë, Gjorgje Ivanov, kandidat i partisë se kryeministrit Gruevski, ka theksuar se pret që të gjithë që do ta fitojnë besimin e qytetarëve, t’i realizojnë të gjitha premtimet që i dhanë gjatë fushatës që të ketë sukses dhe prosperitet në të gjithë Maqedoninë dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë".

"Pres që kjo ditë zgjedhore, si dhe rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale të kalojë në një atmosferë demokratike, të drejtë dhe të qetë, siç i ka hije një vendit evropian, Maqedonisë evropiane. Pas zgjedhjeve, pres që të gjithë që do ta fitojnë besimin e qytetarëve t’i realizojnë të gjitha premtimet që i dhanë gjatë fushatës që të kemi sukses dhe prosperitet në të gjithë Maqedoninë dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë", është shprehur Ivanov.
XS
SM
MD
LG