Ndërlidhjet

Kërkohet zbardhja e fatit të 1712 personave të pagjetur


Meje, prill 2014
Meje, prill 2014
Kosova ka shënuar sot Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur të Luftës me një akademi përkujtimore që është mbajtur në Lëndinën e Pikëllimit, në fshatin Meje të Gjakovës, ku 15 vjet më parë kishte ndodhur një nga masakrat më të mëdha të luftës së fundit.

Përveç familjarëve dhe të afërmve të personave të vrarë të varrosur në kompleksin memorial, si dhe atyre të personave të pagjetur, në këtë akademi kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve, partive politike dhe shoqatave që angazhohen në zbardhjen e fatit të 1712 personave që ende konsiderohen të pagjetur të luftës.

Para qytetarëve të mbledhur në këtë akademi kanë folur kryetarja e Gjakovës, Mimoza kusari-Lila, e cila ka premtuar angazhimin e komunës dhe institucioneve për të zbutur sado pak dhimbjet e kësaj plage të luftës.

“Nga këtu po u përcjell zërin e Komunës së Gjakovës, komunës së masakrave dhe varreve, komunës së trimave e të betejave, ndaj çdo institucioni dhe mekanizmi, ndaj çdo autoriteti dhe ndërmjetësimi, që sa më parë të përmbyllet ankthi i pritjes për trupat e pagjetur, se çdo nënë dhe familjar dëshiron të dijë varrin ku do të shkojë me buqeta lulesh e me sy të përlotur”, është shprehur Kusari Lila.

Ndërkaq, në emër të Qeverisë, kryetari i Komisionit Qeveritar për personat e pagjetur, Prenk Gjetaj, ka folur për angazhimet e bëra dhe përpjekjet në vijim e sipër që të zbardhet fati i secilit person që konsiderohet si i pagjetur i luftës.

Një ditë më parë, fshatin Meje e ka vizituar edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ajo ka premtuar angazhimin e institucioneve për zbardhjen e fatit të pagjeturve, si një nga plagët më të dhimbshme të luftës.

“Ne ende nuk kemi arritur që të zbardhim fatin e qytetarëve tanë që janë zhdukur gjatë luftës, pavarësisht punës së madhe, përkundër rezultateve që janë arritur deri tash, kërkohet ende punë e madhe që të zbardhet fati i personave të pagjetur... Ky ka qenë dhe vazhdon që të jetë një ndër përkushtimet e mia gjatë gjithë punës sime dhe do të vazhdoj që ta ngrit këtë çështje, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës”, ka theksuar Jahjaga.

Krahas kërkesës për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, përfaqësuesja e shoqatës “Thirrjet e nënave”, Nysrete Kumnova, ka kërkuar që të gjithë personat përgjegjës për rrëmbimin, vrasjet dhe zhdukjen e këtyre personave të vihen para drejtësisë.

“Kërkojmë zbardhjen e fatit të të gjithë të pagjeturve, të paktën të na i qetësojnë dhimbjen, por kërkojmë edhe vënien e kriminelëve para drejtësisë”, është shprehur Kumnova.

Një angazhim në drejtim të zbardhjes së fatit të këtyre personave konsiderohen edhe gërmimet në Rudnicë dhe Rashkë të Serbisë, ku dyshohet se mund të ketë rreth 250 persona të varrosur.

Në lidhje me këtë rast, shefi i ekipit mjeko-ligjor nga Kosova, Arsim Gërxhaliu, ka premtuar angazhimin maksimal që mbetjet mortore të trupave të pajetë të identifikohen dhe t’u dorëzohen familjeve për varrim.

Përndryshe, 15 vjet më parë forcat serbe në këtë pjesë të rrethinës së Gjakovës brenda disa orëve, ishte raportuar se kishin ekzekutuar dhe më pas kishin zhdukur trupat e 377 civilëve shqiptarë.

Shënimi i kësaj dite të dhimbshme në bashkë-organizim të Komunës së Gjakovës dhe të Shoqatës “27 Prilli 1999-Meje”, ka nisur me marshin ecja në këmbë nga Pallati i Kulturës “Asim Vokshi” deri në Meje.

Aty janë bërë homazhe te varret personave të vrarë dhe më pas është mbajtur edhe akademia përkujtimore.
XS
SM
MD
LG