Ndërlidhjet

Auditimi i ndërmarrjeve, garantues i transparencës


Prodhues tekstili në Kosovë
Prodhues tekstili në Kosovë
Auditimi i kompanive të mëdha në Kosovë është i domosdoshëm për një treg të mirëfilltë financiar, besueshmëri për investitorët ndërkombëtarë, besueshmëri të raportimit të tyre financiar dhe garantim të transparencës, thonë përfaqësues të shoqatave që merren me këtë çështje.

Por, në Kosovë, sipas Ligjit për kontabilitet dhe financa, jo të gjitha bizneset kanë obligim që t’i nënshtrohen procesit të auditimit. Sipas këtij ligji, këtij procesi i nënshtrohen vetëm kompanitë e mëdha, kurse ndërmarrjet e vogla dhe të mesme bëjnë vetëm raportimin financiar.

Në Këshillin për Raportim Financiar, këshilli ky që funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave, vitin e kaluar janë pranuar 210 pasqyra financiare, të cilat janë dorëzuar nga kompanitë e mëdha, thonë përfaqësues të zyrës për informim në këtë ministri, duke shtuar se pasqyrat financiare të dorëzuara nga kompanitë, janë të audituara.

Këshilli për Raportim Financiar ka për funksion hartimin dhe aprovimin e standardeve të kontabilitetit të Kosovës në pajtim me standardet ndërkombëtare të kontabilitetit.

Raportimi financiar ndikon në stabilitetin financiar, rritjen ekonomike dhe besueshmëri tek investitorët e huaj, thotë Bujar Krasniqi, drejtor në Institutin për Kontabilitet, Auditim dhe Financa.

“Nëse dëshirojmë investitorë të huaj, nëse dëshirojmë besueshmëri të ndërmarrjeve që veprojnë në Kosovë, atëherë vërtet auditimi është instrumenti kryesor që i rregullon këto dhe krijon një lloj besueshmërie edhe për investitorët e huaj. Kjo sepse investitorët e huaj ende nuk kanë një lloj besueshmërie, se në Kosovë nëse bën një partneritet m një biznes vendor, çka vërtet pasqyron ai biznes në pasqyrat financiare?!”, thotë Krasniqi.

Ardiana Bunjaku, drejtoreshë e Shoqatës së Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, thotë se ligji aktual nuk është i qartë. Në vende tjera të Evropës, sipas saj, auditimi ndodh edhe në ndërmarrje të vogla dhe të mesme.

Ajo, madje, shpreh nevojën e krijimit të një mekanizimi të vetëm që mbledh dhe analizon të gjitha raportimet financiare të bizneseve që ndodhin në Kosovë.

“Në ligjin aktual nuk është e qartë se cilat standarde duhet të përdoren. Në përgjithësi, shkruan standardet ndërkombëtare të kontabilitetit, ndërsa tashmë janë aprovuar nga Evropa edhe vendet tjera edhe standardet e kontabilitetit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Mirëpo, ligji aktual e ka këtë mangësi dhe nuk e bën këtë kërkesë, në mënyrë që të raportohen dhe të mbikëqyren edhe ato ”, shprehet Bunjaku .

Sipas Bunjakut, në Kosovë nuk ekziston një vend i vetëm ku kryhet raportimi financiar i bizneseve. Për këtë çështje, informacione duhet të merren në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Ministrinë e Financave dhe Administratën Tatimore të Kosovës.

Sidoqoftë, në bazë të ligjit, në raste se kompanitë nuk kryejnë auditimin e pasqyrave financiare, autoritetet kompetente vendosin gjobë prej 5000 deri 2500 mijë euro.
XS
SM
MD
LG