Ndërlidhjet

Sanksionet e reja ndaj Rusisë - “të buta”

  • RFE /RL

Administrata e presidentit Barack Obama, thotë se rundi i ri i sanksioneve kundër zyrtarëve të lartë rusë dhe afro 20 kompanive ruse, dërgon mesazh të fuqishëm te presidenca e Rusisë, lidhur me kryengritjen në Ukrainë.

Por,disa ligjvënës të Shteteve të Bashkuara thonë se këto masa do të arrijnë pak në synimet për qetësimin e Rusisë.

Ligjvënësit thanë se sanksionet e fundit janë “të buta”.

Anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, gjatë ditëve të fundit, kanë kërkuar nga administrata Obama për të imponuar sanksione kundër lojtarëve kryesorë ekonomikë rusë, siç është gjiganti i gazit, Gazpromi, pronë e shtetit të Rusisë.

Por, disa thanë se nuk ishin të impresionuar me sanksionet e shpallura më 28 prill kundër shtatë zyrtarëve rusë dhe 17 kompanive ruse, shumica prej të cilave janë relativisht të panjohura.

“Pas një jave të retorikës nga administrata, pata shpresuar se ne do të përgjigjeshim ndaj shkeljeve të hapura të Rusisë, ndaj përkushtimeve të saj për ndaljen e përpjekjeve për ta destabilizuar Ukrainën, me më tepër se një shuplakë në dorë”, tha senatori republikan, Bob Corker, nga shteti Tenesi.

Nga ana tjetër, duke u shprehur për rundin e ri të sanksioneve kundër individëve në Rusi, zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Jen Psaki, tha:

“Ne në mënyrë të vazhdueshme kemi ndjerë se janë një varg i zyrtarëve me lidhje të afërta me presidentin Putin, që i kanë mbështetur këto akte ilegale në Ukrainë dhe të cilët mund t’i marrin në shënjestër”, tha Jen Psaki.

Por, zoti Corker, anëtar i njohur i Komitetit të Jashtëm të Senatit të Shteteve të Bashkuara, thotë se vetëm duke imponuar ndëshkime kundër kompanive kryesore, do të detyrohej presidenti rus, Vladimir Putin, për t’i rishqyrtuar aksionet e qeverisë së tij në Ukrainë. Në këtë kuadër ai e ka përmendur veçanërisht kompaninë Gazprom.

Administrata e presidentit, Barack Obama, ka përsëritur disa herë se në përgatitjet e sanksioneve për ndëshkimin e Kremlinit për rolin e tij në krizën e Ukrainës, janë peshuar me kujdes dëmet anësore ekonomike, që mund të gjenerojnë probleme për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e vet evropianë, që varen shumë nga gazi rus.

Senatorja Kelly Ayotte, republikane nga Nju Hempshiri, ka vlerësuar se sanksionet e reja janë “të buta” dhe të “pamjaftueshme” për ta zmbrapsur Rusinë, pasi Moska e aneksoi territorin Krime tëUkrainës, muajin e kaluar, dhe për shkak të “aksioneve që po vazhdojnë për nxitjen e kryengritjes në pjesën lindore të Ukrainës”.

Senatori Dan Coats, republikan nga shteti Indiana, tha se ishte i inkurajuar nga sanksionet e shpallur nga Shtëpian e Bardhë, kundër zyrtarëve të lartë me ndikim, që shihen si të afërt me Putinin, por është i shqetësuar se aksionet e administratës janë “shumë të vogla dhe shumë të vonuara”.

Pjesa më e madhe e kritikave lidhur me sanksionet e reja janë bërë nga republikanët në Kongres. Zyra e senatorit Carl Levin, demokrat nga Miçigeni, që javën e kaluar ka bërë thirrje për sanksione kundër Gazpromit dhe kompanive të tjera madhore të Rusisë, nuk është përgjigjur ndaj kërkesës për koment.

Anëtarja e Dhomës Përfaqësuese, Lois Frankel, demokrate nga Florida, që aktualisht e ka vizituar Ukrainës me një grup të ligjvënësve të tjerë, tha në një intervistë në rrjetin televiziv MSNBC, se presidenti Barack Obama, po u qaset sanksioneve me urtësi, në mënyrë që të mos shkaktohet dhembje ekonomike në Evropë. (f.bujupi)
XS
SM
MD
LG