Ndërlidhjet

logo-print

Kërkohet kompromisi - ulëset e rezervuara për FAK-un


 FSK

FSK

Liderët politik dhe partitë e përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës janë në kërkim të një kompromisi që do të përmbyllte këtë mandat të institucioneve me themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Mirëpo, themelimi i këtyre Forcave po ndërlidhet me vazhdimin e ulëseve të rezervuara nga komunitetet pakicë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi u ka bërë edhe një herë thirrje të gjitha subjekteve politike në Parlament që të votojnë themelimin e Forcave të Armatosura.

Ai ka konfirmuar se me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, një nga takimet vendimtare për këtë çështje do të zhvillohet të mërkurën në Prishtinë.

“Pres që nesër (të mërkurën) të vendosim në mënyrë unike për votim për themelimin e ushtrisë. Një votim integrues dhe votim që përfshinë interesat e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Themelimi i Forcave të Armatosura si edhe vazhdimi i ulëseve të rezervuara kërkojnë edhe ndryshime adekuate kushtetuese.

Çdo ndryshim kushtetues, kërkon miratimin e dy të tretave të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat e të gjithë deputetëve nga radhët e minoriteteve.

Për këtë arsye, partitë shumicë, përjashtuar dy parti opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjen, po kërkojnë nga minoritetet votat e tyre në shkëmbim të vazhdimit të mandateve të rezervuara.

Ministri për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq ka thënë se pa vazhdimin e ulëseve të rezervuara edhe për dy mandate, do të ishte e paimagjinueshme që minoritetet të votojnë për krijimin e Forcave të Armatosura.

“Nëse nuk vjen deri te bisedimet për vendet e rezervuara dhe nëse nuk gjendet një kompromis, mendoj se në asnjë mënyrë nuk do të mund të vërtetoja dhe të them se do të votojmë formimin e Forcave të Armatosura”, është shprehur Rashiq.

Sipas mandatit kushtetues, pas zgjedhjeve të ardhshme pakicat nuk do të mund t’i gëzojnë 20 ulëse të rezervuara dhe ulëset tjera shtesë që i marrin përmes votave, ngase përfaqësimi i tyre në Kuvend përkufizohet me ulëset e garantuara që janë gjithsej 20, prej të cilave 10 për serbët dhe 10 për komunitetet tjera.

Andaj, partitë minoritare po kërkojnë që praktika e ulëseve të rezervuara të vazhdohet edhe për një apo dy mandate tjera.

Disa nga deputetët e pakicave pajtohen me arritjen e kompromisit me deputetet shumicë.

Por ka edhe deputetë serb që nuk e pranojnë në asnjë formë krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Vesna Mikiq, deputete nga Lista e Përbashkët Serbe ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në asnjë variant nuk do të votojë krijimin e Forcave të Armatosura, sepse sipas saj, kjo do të nënkuptonte rrumbullakimin e shtetësisë së Kosovës dhe do të ishte në kundërshtim me Rezolutën 12 44, sipas së cilës, KFOR-i është ushtria e vetme që mund të jetë e pranishme në Kosovë.

“Ne deputetët serb nuk do ta mbështesim këtë ligj pa marrë parasysh që flitet për kompromisin me vendet e rezervuara”, ka thënë Mikiq.

Ndërkohë, një qëndrim më të butë paraqet deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje nga subjekti VAKAT.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Balje thotë se me gjasë komuniteti boshnjak do të votojë për themelimin e Forcave të Armatosura.

Por, njëherësh kërkon nga deputetët shqiptarë, si shumicë në Kuvend që të miratojnë kërkesën e për vazhdimin e ulëseve të rezervuara.

“Mendoj se jemi afër vendimit që të votojmë për ushtrinë e Kosovës ngase vlerësojmë se ajo është shumë e rëndësishme për shtetin tonë”, ka thënë deputetja Duda Balje.

Deri më tani, kompromisin me pakicat që Forcat e Armatosura të themelohet duke u vazhduar ulëset e rezervuara minoriteteve e kanë kundërshtuar Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Por, sidomos kundërshtimi i LDK-së e bën të pamundur arritjen e kompromisit për shkak të numrit të deputetëve që ka në Kuvend.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, lideri i LDK-së, Isa Mustafa deklaroi se mbështet formimin e Forcave të Armatosura, por jo edhe vazhdimin e vendeve të rezervuara për pakicat.

“Qëndrimi ynë është i qartë dhe konsiderojmë se vendet e rezervuara janë konsumuar dhe se komunitetet i kanë shfrytëzuar këto vende sipas Kushtetutës, sipas Pakos së Ahtisaarit dhe çdo shkuarje më tutje me to do të ishte ‘Ahtisaari Plus’ gjë që do ta relativizonte krejtësisht Pakon e Ahtisaarit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Mustafa.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se pa trajtimin adekuat të minoriteteve, faktori ndërkombëtar nuk do ta mbështeste Kosovën as në qëllimin e saj për themelimin e Forcave të saj të armatosura.

Askush mos të mendojë se mund të themelojmë ushtri apo Forca të Armatosura të Kosovës duke u deklaruar kundër minoritarëve. Këtë nuk na e toleron dhe nuk na e mirëkupton as Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, as NATO dhe as Bashkimi Evropian”, është shprehur Thaçi.

Pro themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës është shprehur të martën edhe ambasadorja amerikane Tracy Ann Jacobson.

Por, edhe ajo ka rikujtuar që këto forca do të kërkohet edhe vota e minoriteteve.

Sidoqoftë, mbetet të pritet takimi i nesërm ndërmjet liderëve politik dhe faktorit ndërkombëtar që të shihet nëse do të arrihet marrëveshja.

Në të kundërtën, agjenda e zgjedhjeve të parakohshme për muajin qershor mund të dështoj dhe vendi do të shkonte në zgjedhje gjatë vjeshtës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG