Ndërlidhjet

Angazhimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve në shumë vende pune


Ilustrim ©Shutterstock
Ilustrim ©Shutterstock
Zyrtarët qeveritarë, gjyqtarët, dhe prokurorët, por edhe të tjerë për shkak se mbajnë pozita më ndikim të madh në shoqëri, kanë përfituar edhe poste të shumta jashtë institucioneve ku punojnë.

Një fenomen i tillë është i pranishëm edhe te personat që janë emëruar gjyqtarë dhe prokurorë në organet e drejtësisë.

Këto veprime bëhen në kuadër të ligjit, por sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile në këtë drejtim ka hapësirë të interpretohet se ka shkelje të Kodit të Etikës.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se mënyra se si rekrutohen prokurorët dhe gjyqtarët në institucionet e arsimit të lartë, e sidomos në ato private, është një mënyre e cila ka shfaqur dilema të shumta rreth pavarësisë dhe paanshmërisë së tyre.

“Duke e ditur rolin e prokurorëve dhe gjykatësve dhe standardet e larta etike të cilat duhet t’i përmbajnë këta bartës të funksioneve prokuroriale dhe gjyqësore është shumë relevante që të shihet nëse sjellja e tyre është duke reflektuar si sjellje e pahijshme, duke ushtruar funksione të tjera siç janë këto të angazhimit në institucione të larta”, ka deklaruar Musliu.

Musliu theksoi se angazhimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në punë të tjera jashtë atyre në sistemin e drejtësisë nuk është bërë për shkak të eksperiencës që kanë ata, por për arsye të funksioneve që kanë dhe ndikimit të tyre.

Kurse, Sylë Hoxha nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, thekson se në një të ardhme të shpejtë, do të shqyrtohet kjo çështje dhe do të merren veprime adekuate.

“Duhet ta rishqyrtojmë këtë çështjen e angazhimit apo të dhënies së pëlqimit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që prokuroret të japin mësim neper fakultete dhe të angazhohen jashtë sistemit prokurorial".

"Sigurisht që në një të ardhme jo të largët do ta rishqyrtojmë këtë çështje sepse edhe bindja ime, bindja edhe disa anëtareve të këshilli është se duke pasur parasysh punën të cilën e benë prokurori i shtetit është pak në kundërshtim me punën që e benë në zyrë, pastaj ai të angazhohet edhe në institucione të tjera”, tha Hoxha.

Në një publikim të fundit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, lidhur me këtë çështje është thënë se “në mesin e gjyqtareve dhe prokurorëve ka edhe të atillë që ushtrojnë deri në nëntë funksione të ndryshme, ku përveç detyrës së gjyqtarit angazhohen edhe në punë analitike, mësimdhënie, dhe angazhime tjera”.

Angazhimi i prokurove dhe gjyqtarëve në punë të tjera, jashtë sistemit të drejtësisë është një shqetësim thotë edhe Zef Prendrecaj nga Zyra e Prokurorit Disiplinor.

“Kodi i Etikes, lejon 25% e pagës bazë i lejohet me vendim këshillit që të ligjërojë edhe një gjyqtar edhe një prokuror. Ka gjyqtarë dhe prokurorë të cilët e kanë tejkaluar këtë 25%, pavarësisht aprovimit që kanë marrë me vendim nga ana e këshillit. Kjo është bërë dukuri nuk janë raste individuale që mund të ndodhin, por ka një numër të konsiderueshëm të gjyqtarëve që punojnë në disa vende".

"Kjo ka qenë shqetësuese edhe për Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial, besoj dhe rekomandimi që të shqyrtohet kjo çështje nga ana e dy këshillave se është shumë me vend edhe duhet të jetë në një afat sa më të shpejt kohor”, tha Prendrecaj për Radion Evropa e Lirë.

Sipas ekspertëve të Kodit të Etikës se Gjykatëseve, është e nevoja që gjykatësit të pranojnë kufizime rreth aktiviteteve të tyre.

Në ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, neni 10 thotë se “gjatë kohës së ushtrimit të funksionit publik, zyrtari i lartë mund të ushtrojë punë nga lëmia e shkencës, sportit, arsimit, kulturës dhe veprimtarisë humanitare, nëse nuk parashihet ndryshe me ligje tjera”.
XS
SM
MD
LG