Ndërlidhjet

Maqedoni: Thellim i krizës politike pas zgjedhjeve


Analistët politikë në Maqedoni theksojnë se pas vendimit të opozitës maqedonase që të mos njoh rezultatin e dalë nga zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, vendi fillon të zhytet në një krizë të thellë politike ashtu si në vitin 1994, kur opozita e asaj kohe refuzoi të marrë pjesë në institucionet e sistemit.

Analisti politik shqiptar Mersell Billalli, nënvizon se opozita maqedonase është e detyruar të marrë një vendim të këtillë për arsye se nuk mund ketë zgjedhje demokratike në një situatë ku më shumë se 15 vite nuk ka regjistrim të popullsisë.

Me këtë, sipas tij, nuk sigurohet dhe pastrimi i listës zgjedhore dhe njëkohësisht edhe faktori ndërkombëtarë apostrofojë vërejtje serioze gjatë ditës së hënë për keqpërdorimin e pushtetit nga ana e partive politike në pushtet në të gjitha instancat shtetërore.

"Nuk jam i bindur se strukturat të cilat kanë elemente serioze të diktaturave mund të rrëzohen përmes zgjedhjeve demokratike sepse ata kontrollojnë çdo pore të jetës. Duke shfrytëzuar çdo segment të pushtetit për të arritur te një fitore absolute Në këto rrethana e vetmja formë për opozitën mbetet një qasje tjetër për dobësimin, eventualisht rrëzimin e pushtetit”, shprehet Mersell Billali analist politik.

Nga ana tjetër, analisti politik maqedonas Zdravko Savevski, duke komentuar vendimin e LSDM-së për mosnjohjen e procesit zgjedhor dhe kërkesën për zgjedhje të reja me Qeveri teknike konsideron se Maqedonia rrezikon të futet në një krizë të thellë politike.

“Ajo që pritet është të thellohet edhe më shumë kriza politike, ngase nga ajo që rezulton si qëndrim i VMRO-DPMNE-së është se nuk e ka ndërmend të pranojë se është shkaktare e rrënimit të shtetit juridik, përkundrazi ushtrimi i pushtetit nga kjo parti do të jetë edhe më e theksuar gjatë periudhës së ardhshme”, nënvizon Saveski.

Ndërkohë duke komentuar deklarimet e liderit të opozitës shqiptare se tanimë ajo ka garanci se do të jetë pjesë e pushtetit, Mersel Billalli thotë se nuk është hera e parë që lideri i opozitës shqiptare, PDSH. Menduh Thaçi minon vullnetin e elektoratit edhe pse do të duhej të kishte marrë leksion nga e kaluara.

Billalli është i mendimit se duhet të vlejë një parim themelor i cili duhet të jetë transparent me atë që partia fituese duhet të përfaqësojë shqiptarët në qeveri, gjersa ajo e cila humb zgjedhjet pasi t'i ketë uruar partisë fituese duhet ta ndjekë çdo lëshim dhe çdo mossukses duke pretenduar të kor suksese në ciklin e ardhshëm zgjedhor.

“Çdo tentim për tu bërë pjesë e qeverisë përmes kanaleve të tjera pa siguruar fitore në zgjedhje, gjegjësisht të anashkalohet vullneti politik i qytetarëve është shumë i dëmshëm sa i përket realizmit të kërkesave të shqiptarëve të Maqedonisë, për shkak të uljes së thënë kushtimit pazarit dhe në këto rrethana të vardisjes së opozitës shqiptare kryeministri Gruevski i cili do të qeverisë me përbërjen e re qeveritare do të manipulojë me të dy partitë me qëllim të ulë pazarin politik me shqiptarët gjegjësisht të bishtnojë realizimin e kërkesave të shqiptareve”, shprehet Billali.

Edhe Nikolla Dujovski, analist politik, vlerëson se mandatari i ardhshëm do ta ketë vështirë të hap dyert e qeverisë për partinë shqiptare në opozitë e cila ka siguruar shtatë mandate.

Në këto rrethana, sipas tij, kriza mund të thellohet në përmasa të paevitueshme, nëse VMRO DPMNE-ja refuzon kërkesat e BDI-së, e cila me një mandat të fuqishëm prej 150 mijë votash dhe 19 deputetësh, ka për obligim të materializojë pritjet e elektoratit që i kanë besuar votën.

“Pres që edhe më tej VMRO-DPMNE dhe BDI të jenë ata të cilat do ta krijojnë politikën e vendit si në plan të brendshëm ashtu dhe në atë ndërkombëtarë, do të thotë nuk pres kurrëfarë ndryshimesh në këtë drejtim, përpos që këto dy parti, mendoj VMRO-DPMNE duke marrë më shumë deputetë në këto zgjedhje do të kenë pushtet edhe më të madh”, thotë Dujovski.

Gjersa mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me bojkotin e paralajmëruar të LSDM-së, vlerësimet janë se të gjitha opsionet janë të hapura. Njëra është për të mbajtur zgjedhje për të mbushur vendet që do të lihen të lira nga LSDM-ja.

Mbrojtësit e këtij opsioni bazohen te neni 154 i Kodit Zgjedhor, i cili thotë se do të shpallen zgjedhjet shtesë për deputetë në zonën nga e cila janë zgjedhur deputetët e dorëhequr dhe aspekti tjetër është se Parlamenti në aspektin formal dhe ligjor mund të funksionojë edhe nëse LSDM do të kthejë mandatet.

Në këtë kontekst Mersell Billai thekson:

“Në këtë rast duhet kuptuar qartë një gjë se nuk kemi të bëjmë me atë që problemin ta zgjedhimin në aspektin procedural, po në këtë rast duhet të kuptuar se kemi të bëjmë me një problem politik dhe për këtë nevojitet vullnet politik”
, shprehet Mersell Billalli duke shtuar se nëse në vjeshtë Maqedonia nuk shënon përparim sa i përket zgjidhjes së kontestit të emrit duke debllokuar procesin e integrimin ne NATO dhe më pas atë në BE vendi të futet edhe në zgjedhje të reja të parakohshme për të kapërcyer krizën politike.
XS
SM
MD
LG