Ndërlidhjet

KFOR: Farina u takua me kryetarët e komunave veriore


Salvatore Farina
Salvatore Farina
Komandanti i KFOR-it, Salvatore Farina, sot në selinë e tij në Prishtinë, është takuar me kryetarët e komuneve të pjesës veriore të Kosovës.

Në këtë takim ishin kryetari i Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, ai i Zubin Potokut, Stevan Vulloviq, dhe kryetari i Zveçanit, Vuçina Jankoviq.

Mëtutje, siç ka njoftuar KFOR-i, gjenerali Farina dhe mysafirët e tij kanë diskutuar për situatën e përgjithshme në Kosovë, me fokus specifik në pjesën veriore. Ata i kanë dhënë rëndësi të madhe bashkëpunimit reciprok dhe transparencës në raportet ndërmjet këtyre katër komunave dhe KFORit.

Duke folur për situatën aktuale të sigurisë në pjesën veriore, komandanti i KFOR-it e ka theksuar rëndësinë e rolit të policisë së Kosovës, si përgjegjësi i parë, dhe i misionit EULEX, si përgjegjësi i dytë.

“KFOR-i do të vazhdoj të kujdeset për ambient të sigurt në veri dhe në pjesën tjetër të Kosovës, i gatshëm për të intervenuar si përgjegjësi i tretë, nëse kërkohet”, tha gjenerali Farina.

Ai mëtutje ka theksuar përmirësimin e situatës së përgjithshme të sigurisë, pas marrëveshjes së 19 prillit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ka konfirmuar përpjekje të vazhdueshme të misionit KFOR të NATO-s, për të mbajtur ambientin e sigurtë dhe të qetë dhe lirinë e lëvizjes për gjithë popullin në Kosovë.

Në fund të njoftimit të KFOR-it theksohet se komandanti Farina i ka falënderuar katër kryetarët e komunave për përpjekjet e vazhdueshme të bëra deri tash, nga komunat dhe asambletë e tyre dhe ka kërkuar nga ata të bëjnë më tepër në të ardhmen, me qëllim që të forcohet stabiliteti nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit.
XS
SM
MD
LG