Ndërlidhjet

Për producenten ukrainase, Olena Yershova, Rusia është vend i rrezikshëm sepse është i paparashikueshëm. Ajo momentalisht po qëndron në Kosovë, si anëtare e jurisë në festivalin ndërkombëtar të filmit Pri Film Fest, që aktualisht po mbahet në Prishtinë.

Yershova ka lindur në Kiev, por jeton në relacionin Kiev – Stamboll, ku edhe jeton familja e saj. Në Ukrainë ka qëndruar për herë të fundit në fillim të muajit prill.

Thotë se “ka qenë e dhimbshme”, por edhe atë se njerëzit kanë ndryshuar dhe se po i ofrojnë përkrahje njëri tjetrit.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Yershova thekson se Ukraina është në gjendje lufte me Rusinë, edhe pse një gjë e tillë nuk është shpallur.

“Në Rusi nuk ka rregulla dhe njëkohësisht, aty ekziston fuqia. Për këtë arsye, unë gjithmonë them se është vend i rrezikshëm”, thotë Yershova.

Dëshira për demokracinë dhe sundimin e ligjit, shton ajo, është ajo që e ka shtyrë popullin paqësor ukrainas që katër muaj t’i kalojë në temperaturën minus 20 gradë. Sipas saj, populli është ngopur me të gjitha.

“Populli në Ukrainë ka qenë kundër qeverisë së korruptuar dhe në të vërtetë, unë jam një nga ata që kanë kaluar nëpër këtë proces, sepse, nëse nuk je pjesë e gjithë kësaj, nuk ke mundësi të jetosh. Për këtë arsye, unë, bashkë me të tjerët, kemi qenë të detyruar të dalim në shesh”, rrëfen Yershova.

“Ka qenë lëvizje kombëtare dhe jo lëvizje kundër Rusisë. Ka qenë lëvizje kundër qeverisë e cila ishte shumë e korruptuar dhe në rrugë drejt totalitarizmit”, ka thënë Yershova.

Ajo, megjithatë, është e shqetësuar se ushtria aktuale në Ukrainë nuk do të mund t’ia del në krye me Rusinë, sepse është e dobët.

“Tashmë një kohë të gjatë ushtrisë nuk i është ofruar kurrfarë mbështetje. Politikat e tilla nuk kanë ekzistuar. Paratë kanë shkuar në xhepat privat dhe jo për nevojat e shtetit”, thotë Yershova dhe përkujton iniciativën që ishte së fundmi, e cila ishte nisur për t’i dhënë mbështetje ushtrisë përmes mesazheve të telefonisë mobile (sms) me vlerë prej gjysmë dollari.

“Kurrë nuk e kam menduar se në këtë mënyrë do ta mbështes ushtrinë, por të gjithë e kemi bërë këtë”, shpjegon Yershova.

Kjo edhe është arsyeja pse ajo beson se edhe Perëndimi duhet të bëj më shumë për t’i ndihmuar Ukrainës. Në të kundërtën, sipas saj, Putini nuk do të ndalet vetëm në Ukrainë.

“Në qoftë se në këtë situatë atij nuk i tregohet fuqia, ai nuk do të ndalet. Për këtë arsye, mbështetja nga Perëndimi është më shumë e nevojshme”, thekson producentia nga Ukraina.

Sipas saj, qytetarët tashmë duhet të jenë të qëndrueshëm deri më 25 maj, për kur janë caktuar zgjedhjet presidenciale. Siç thotë ajo, Ukraina, tash për tash, nuk ka një lider të vërtetë, por një gjë e tillë edhe nuk është e nevojshme...

“Zgjidhja e tanishme është koalicioni. Jam e sigurt që kushdo që zgjidhet do të jetë më i mirë se sa presidenti paraprak. Kemi më pak se një muaj dhe deri atëherë, ne duhet të mbijetojmë”, përfundoi Yershova.
Përgatiti: Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG