Ndërlidhjet

FH: Kosova shënon përparim në lirinë e shtypit


Harta e lirisë së shtypit
Harta e lirisë së shtypit
Organizata Freedom House ka publikuar të enjten raportin e përvitshëm për lirinë e mediave në botë.

Kosova, në krahasim me vitin e kaluar, ka shënuar përparim. Sivjet, ajo zë vendin e 98-të, për dallim nga viti 2013, kur ka mbajtur pozitën numër 102.

Rezultati për të është 49, që është identik me vitin e kaluar dhe e radhit në mesin e vendeve pjesërisht të lira.

Në skemën e FH-së, shkalla 0 është rezultati më pozitiv, ndërsa 100-shi është më negativi.

Organizata me seli në Shtetet e Bashkuara ka vlerësuar situatën e mediave në 197 vende dhe territore të botës.

Nga vendet e rajonit, Serbia mban pozitën numër 74, Mali i Zi 78, Kroacia 83, Bosnja dhe Herzegovina 103 dhe Maqedonia 122.

Sipas raportit, vendet euro-aziatike vazhdojnë të kenë vlerësimet më të dobëta në botë – asnjëri prej tyre nuk radhitet si i lirë.

Raporti thekson se Rusia i ka mbajtur nën kontroll të fortë mediat lokale, duke bërë përpjekje të kontrollojë edhe mendimet e pavarura.

Ukraina ka degraduar në kategorinë “jo të lirë”, kryesisht për shkak të sulmeve ndaj gazetarëve që kanë mbuluar protestat e Euromaidanit.

Karin Karlekar, nga Freedom House, thotë se ka pasur rritje të mprehtë të dhunës fizike ndaj gazetarëve në këtë vend.

“Ajo çfarë kemi parë në fund të vitit 2013, kur edhe kanë nisur protestat e Euromaidanit, kanë qenë shumë raste të gazetarëve të sulmuar, të cilët kanë bërë përpjekje të mbulojnë protestat”, thotë Karlekar.

Bjellorusia, Turkmenistani, Uzbekistani dhe Irani mbeten në mesin e vendeve me lirinë më të dobët të mediave në botë.

Karlekar thotë se mediat në këto vende mbeten shumë të kufizuara dhe se atje ka represion shtetëror kundër çdo zëri të pavarur.

Po sipas Karlekar, mjedisi mediatik në pjesën tjetër të Azisë Qendrore mbetet po ashtu i zymtë.

Në vende të konfliktit si Afganistani dhe Iraku, sfida kryesore vazhdojnë të mbeten mungesa e sigurisë dhe kërcënimet fizike ndaj gazetarëve.

Raporti i Freedom Housr përmend raste të shumta të vrasjes së gazetarëve në të dyja vendet gjatë vitit 2013.

Sipas raportit, Evropa krenohet me nivelin më të lartë të lirisë së shprehjes në gjithë botën.

Në top-treshen e parë, si vende tërësisht të lira, radhiten Holanda, Norvegjia dhe Suedia.
XS
SM
MD
LG