Ndërlidhjet

Qytetarët s’blejnë hipoteka të kredive


Ilustrim
Ilustrim
Jo pak qytetarë të cilët kanë marrë kredi në bankat komerciale po kanë problem shlyerjen e kësteve mujore.

Për të marrë ndonjë vlerë të caktuar të kredisë, klientët, si garanci kanë futur hipotekë, si shtëpinë, dyqanet, veturat, tokat deri tek pajisjet elektronike të shtëpisë.

E në rast se klientët nuk kanë mundësi që të shlyejnë obligimet ndaj bankave, këta të fundit patundshmërinë e nxjerrin në shitje përmes ankandit publik.

Kohëve të fundit, jo rrallë herë mund të hasësh shitje pronash në ankande publike të shpallura nga bankat në gazetat e përditshme.

Por, interesimi i palëve të treta për të blerë prona të cilat janë objekt i shitjeve gjyqësore nuk është i madh.

Lidhur më këtë ekspertë për çështje ekonomike, japin vlerësime të ndryshme. Mungesa e kulturës për të blerë objekte për mes ankandit publik, bëjnë që qytetarët të hezitojnë në këtë drejtim, thotë Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës.

“Është një element i riskut sidomos për hipotekat të cilat janë pjesë e pronësisë së përbashkët të familjes së gjerë. Për shkak se në aspektin e kulturës që është trashëguar më vite ka një lloj, konsultimi apo 'marrje leje' nga ata që i ke fqinjë dhe në këtë drejtim ka hezitim”, thekson Rukiqi.

Mentaliteti i qytetarëve se patundshmëria që shitet nga banka nuk duhet të blihet është i gabuar, konsideron Milazim Abazi, ekspert për çështje financiare.

Mosinteresimi për blerje të hipotekës, thotë ai, ndikon negativisht edhe për klientin që nuk ka mundësi të paguajë këstet e kredisë. Ai madje thekson se në mungesë të blerësve, në disa raste bankat detyrohen të blejnë hipotekat.

“Nëse heqim dorë nga ky mentalitet se nuk bën të marrim pronën që shet banka, përfiton edhe kredimarrësi, për shkak se vlerësohet më mirë prona. Në rastet sikurse tash banka e shet pronën dhe e shet disa herë më lirë, dhe kredimarrësi prapë mbetet borxh në bankë".

"Por edhe organet e rendit këtu duhet të luajnë rol, sepse shpeshherë mentaliteti i kosovarëve është se i kërcënojnë blerësit e mundshëm. Nëse dikush dështon është normale t'i shitet prona”
, thekson Abazi.

Sidoqoftë, institucionet financiare në vend ulin në masë të madhe vlerën e patundshmërisë së lënë si hipotekë, thotë Milazim Abazi.

Vlerësimi i hipotekave realizohet nga politikat e vetë bankave.

“Po, është e vërtetë se bankat në Kosovë e zhvlerësojnë deri në tri herë më pak vlerën reale të patundshmërisë, për shkak të përvojës së keqe që kanë bankat me shitjen e patundshmërive", thotë ai.

Por, Berat Rukiqi, thotë se në Kosovë ende mungon një sistem i standardizimit për vlerësimin e patundshmërive.

“Ne bashkë më Ministrinë e Financave dhe Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës kemi filluar certifikimin e vlerësuesve të patundshmërive që kanë pikërisht këtë qëllim, që të vlerësojnë saktë hipotekat. Dhe mbi këtë bazë, pastaj do të kemi një pasqyrë reale”, shprehet Rukiqi.

Hipoteka është një e drejtë reale që vihet mbi pasurinë e debitorit në dobi të kreditorit, për të siguruar përmbushjen e një detyrimi.
XS
SM
MD
LG