Ndërlidhjet

logo-print
Liderët e partive politike në Kosovë po synojnë që vendi të përgatitet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më datën 8 qershor.

Në funksion të koordinimeve për caktimin e datës së zgjedhjeve, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi janë takuar të premten dhe kanë biseduar për hapat që duhet të ndërmerren në këtë drejtim.

Mirëpo, paraprakisht, institucionet mëtojnë që të themelojnë në fund të këtij mandati edhe Forcat e Armatosura të Kosovës, si një forcë ushtarake me kapacitete e përgjegjësi mbrojtëse.

Presidentja Atifete Jahjaga gjatë një vizite që i ka bërë Forcës së Sigurisë së Kosovës, si bërthama e Forcave të ardhshme të armatosura, tha se krijimi i kësaj force mbrojtëse nuk ka alternativa.

“Forcat e Armatosura të Kosovës janë të domosdoshme dhe ky proces, ky opsion nuk ka alternativë. Kjo forcë është për Kosovën dhe është e Kosovës dhe Kosova do ta ketë forcën e saj të armatosur e cila do të kontribuojë në konsolidimin e mëtutjeshëm të shtetit tonë”, është shprehur Jahjaga.

Megjithatë, si themelimi i Forcave të Armatosura ashtu edhe caktimi i datës së zgjedhjeve mbeten në pikëpyetje ngase ato po ndërlidhen me vazhdimin e mandateve të rezervuara për minoritetet.

Vota e minoriteteve për themelimin e Forcave të Armatosura është më se e domosdoshme, përderisa këtë votë, ato e kanë kushtëzuar me vazhdimin e ulëseve të rezervuara në Kuvend.

Një kompromis të tillë e kanë kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa deklaroi edhe sot se partia e tij do ta mbështet themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, por jo edhe vazhdimin e ulëseve të rezervuara për minoritetet.

LDK vlerëson se nuk është në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe as funksionimit të Kuvendit që një popullatë jo shumicë ta ketë të drejtën e votës së dyfishtë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe ne të mos arrijmë që vendimet kryesore që janë për vendin ne t’i procedojmë me shumicë demokratike të votave. Ne jemi për atë që të kemi një legjitimitet demokratik në Kuvend e jo legjitimitet të pazareve të cilat i bëjnë njerëzit edhe për interesa të ndryshme”, tha Mustafa.

Kuvendi i Kosovës pritet që të hënën të debatojë dhe vendos, nëse do të ketë votat e mjaftueshme, për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Pikërisht në kërkim të një kompromisi, liderët politik pritet që sërish të mblidhen të hënën para seancës së Kuvendit.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se ka disa skenarë dhe një prej tyre është marrëveshja për shpërndarjen e Kuvendit dhe caktimi i datës së zgjedhjeve për muajin qershorit.

Kurse si alternativë, ai tha po ashtu se nuk përjashtohet as unifikimi i opozitës për ngritjen e mocionit për rrëzimin e qeverisë.

Është propozuar data 8 qershor dhe unë në emër të LDK-së jam pajtuar sepse ne kemi kërkuar që ajo të jetë brenda muajit qershor. Ne do të pajtohemi që të jetë data 8, 15 apo 22 qershori, mirëpo që të përfundohet gjatë qershorit. E në qoftë se Kuvendi nuk shpërndahet sipas marrëveshjes, ne do t’i bashkangjitemi apo do të iniciojmë mocion për shkarkimin e qeverisë”, deklaroi Mustafa.

Sidoqoftë, mbetet të shihet nëse të hënën liderët politikë do të arrijnë ndonjë marrëveshje para seancës së Kuvendit në kërkim të sigurimit të votave të pakicave për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Një kompromis eventual, do të mundësonte më pas edhe marrëveshjen për agjendën politike që përfshinë edhe caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG