Ndërlidhjet

Obama dhe Merkel të bashkuar kundër Rusisë


Uashington, 2 maj 2014.
Uashington, 2 maj 2014.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se SHBA-ja dhe Gjermania janë të bashkuara në vendosmërinë e tyre për t’i vënë “kosto” Rusisë, për shkak të aksioneve të saj në Ukrainë.

Obama ka thënë se Moska siguron “mbështetje të madhe” për “militantët e armatosur rëndë” në lindje të Ukrainës dhe se çmimi për këtë përfshin “sanksione të koordinuara” që do të rrisin izolimin diplomatik dhe ekonomik të Rusisë.

“Lidershipi rus duhet ta dijë se nëse vazhdon të destabilizojë pjesën lindore të Ukrainës dhe të pengojë zgjedhjet presidenciale të këtij muaji, ne do të ndërmarrim shpejt hapa shtesë, përfshirë sanksione të mëtejshme”, ka thënë Obama.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, së bashku me kancelaren gjermane, Angela Merkel, Obama po ashtu ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë qëndrim të palëkundur ndaj Nenit 5 të Traktatit të NATO-s.

Neni 5 është një klauzolë që kërkon nga të gjitha vendet anëtare të Aleancës ushtarake që t’i dalin në ndihmë cilitdo shtet të NATO-s që sulmohet nga jashtë.

Komentet e Obamës vijnë pasi Kievi ka nisur të premten operacione ushtarake në qytetin lindor Slloviansk, ku forcat separatiste pro-ruse kanë marrë kontrollin e ndërtesave qeveritare, kanë barrikaduar qytetin dhe kanë rrëmbyer një grup të vëzhguesve ndërkombëtarë nga Orgaizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i cili përfshin edhe katër gjermanë.

“Derisa forcat e Ukrainës kanë ndërmarrë hapa për të rivendosur rendin në lindje, është e qartë për botën se këto grupe të mbështetura nga Rusia nuk janë protestues paqësorë. Ata janë militantë të armatosur rëndë, që marrin mbështetje të madhe nga Rusia. Qeveria e Ukrainës ka të drejtë dhe përgjegjësi për zbatimin e ligjit dhe rendit brenda territorit të saj dhe Rusia duhet të përdorë ndikimin e saj mbi këto grupe paramilitare, që të çarmatosen dhe të ndalojnë së provokuari dhunë”, ka thënë Obama.

Edhe Merkel ka paralajmëruar Rusinë me sanksione të reja, nëse vazhdon të përshkallëzojë situatën në lindje të Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë sanksionuar tashmë disa individë rusë dhe ukrainas pro-rusë, për shkak të aneksimit të Gadishullit të Krimesë nga ana e Moskës.

Sanksione të mëtejshme që godasin sektorin e energjisë të Rusisë janë diskutuar nga zyrtarët në Uashington dhe Bruksel.

Merkel ka thënë se gjashtë shtete të Bashkimit Evropian janë 100% të varura nga gazi i Rusisë, por ka theksuar se BE-ja është duke kërkuar një strategji afatgjate për zvogëluar varësinë e Evropës nga energjia ruse. (v.tela)
XS
SM
MD
LG