Ndërlidhjet

Organizata Freedom House në raportin e fundit që flet për lirinë e mediave në botë, Kosovën e ka renditur në vendit e 98, në mesin e atyre vendeve që janë pjesërisht të lira.

Në krahasim me vitin e kaluar, thuhet se Kosova ka shënuar përparim.

Vitin e kaluar Kosova, ishte renditur në vendin e 102, kurse këtë vit, zë vendin e 98-të.

Gazetarët kosovarë, me rastin e 3 Majit, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, konsiderojnë se si mediat, ashtu edhe gazetarët, përballen me probleme e sfida të mëdha.

Arben Ahmeti, redaktor përgjegjës në gazetën e përditshme “Tribuna” thotë për Radion Evropa e Lirë, se gjendja e lirisë së shtypit në Kosovë, nuk është e mirë, dhe se sipas tij, gjendja e tashme është për t’u shqetësuar.

“Vazhdojmë të jemi në të njëjtën situatë të vështirë të mediave, dhe duket pak utopike që mund të kesh vërejtur ndonjë ndryshim pozitiv. Përkundrazi, unë mendoj që pavarësisht përpjekjeve të mëhershme të gazetarëve për ta rregulluar ambientin ligjor dhe në përgjithësi, ambientin në të cilin funksionojnë mediat. Por, edhe liria shtypit, si një komponentë më e gjerë e kësaj, vazhdon të degradojë dhe kjo është për t’u shqetësuar”, thotë Ahmeti.

Ahmeti përmend disa nga problemet, me të cilat përballen mediat dhe gazetarët.

Për gazetarët, thotë se ata përballen me një ambient të pasigurt dhe me institucione që nuk ka një kulturë transparence dhe llogaridhënie.

“Pastaj, janë këto problemet e tjera, me të cilat po përballen të gjitha mediat e rajonit e që kanë të bëjnë me vetë qëndrueshmërinë financiare. Dhe, kur e sheh në përgjithësi nëse para një kohe ka pasur megjithatë organizime të gazetarëve dhe forma të ndryshme të presionit karshi pushteteve të tjera, tash vetëm ka një heshtje më të madhe dhe nuk ka përmirësim të situatës”, konsideron Ahmeti.

Edhe gazetari hulumtues në të përditshmen kosovare “Koha Ditore”, Vehbi Kajtazi, thotë se Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, Kosovën nuk e gjen në një gjendjen çfarë do të duhej të ishte.

Problemet e mediave dhe gazetarëve janë të shumta, thotë ai. Si njërin ndër problemet e gazetarëve, Kajtazi ka përmendur mungesën për katër vjet të një zëdhënësi të Qeverisë së Kosovës.

“Problemet, me të cilat ballafaqohen gazetarët dhe mediat janë të shumta, duke u nisur nga fakti se Qeveria e Kosovës po përfundon mandatin katërvjeçar dhe po hyn në një fazë të fushatës parazgjedhore dhe për katër vjet nuk ka pasur një zëdhënës, të cilit gazetarët kanë mundur t’i drejtohen për të marrë qëndrimet për çështje që u intereson atyre”, thekson Kajtazi duke përmendur po ashtu edhe problemin tjetër që gazetarët kanë brenda vendeve të tyre të punës me censurën.

Sido që të jetë, në vende të ndryshme të rajonit dhe më gjerë, me rastin e kësaj dite, organizohen debate e konferenca të ndryshme për të shprehur pakënaqësitë dhe problemet, me të cilat ballafaqohen gazetarët.

Në Kosovë thuhet se ekzistojnë shoqata, unione dhe asociacione për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve, por në mungesë të funksionimit të duhur të tyre, sot nuk dihet se sa është numri i gazetarëve të kërcënuar, apo të përjashtuar nga puna padrejtësisht.

Për të pasur një qëndrim lidhur me funksionimin e Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës dhe me rastin e ditës së 3 Majit Radio Evropa e Lirë, ka provuar të kontaktojë me kryetaren e këtij asociacioni, Liridona Lluka - Gashi, por ka qenë e pamundur.

Lidhur me punën e Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) gazetari Vehbi Kajtazi thotë:

“Ne kishim një organizatë apo një Asociacion të Gazetarëve Profesionistë, i cili me anë të pushtetit, nga pushteti u arrit të shkatërrohet duke instaluar njerëzit e vet aty. Sot, kjo organizatë nuk funksionon më. Anëtarët kanë dhënë dorëheqje dhe gazetarët nuk janë më të interesuar të merren me atë çështje dhe kjo ditë në Kosovë kalon pa asnjë shënim”.

Përveç kërcënimeve dhe shantazheve, me të cilat thuhet se gazetarët kosovarë ballafaqohen gjatë punës së tyre, marketingu tash e disa vjet shihet si mënyrë moderne e kontrollimit të mediave.

Përkatësisht, qeveria dhe agjencitë shtetërore thuhet se përmes reklamave, diktojnë edhe politikat redaktuese e editoriale të mediave kosovare, të cilat ende nuk kanë arritur të jenë të vetëqëndrueshme financiarisht.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG