Ndërlidhjet

Krasniqi: Agjencia e Statistikave ka mungesë buxheti


Isa Krasniqi
Isa Krasniqi
“Vonesa apo shtyrja kohore e publikimit të të dhënave statistikore ka të bëjë me mungesën e mjeteve financiare. Për shembull, në vitin 2010 nuk kemi pasur fare të dhëna statistikore për tregun e punës, në mungesë të buxhetit”, tha për Radion Evropa e Lirë, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, Agjencia e Statistikave të Kosovës është i mekanizmi i vetëm institucional që merret me grumbullimin e të dhënave statistikore. Cilat janë sfidat e agjencisë?

ISA KRASNIQI
Vërtet, ka sfida të shumta në kuptimin e realizimit të objektivave, misioneve dhe vizionit që ka. Ndër sfidat më kryesore është realizimi i plotë i programit të statistikave zyrtare 2013 – 2017, program i cili është përpiluar dhe së fundi është aprovuar nga Qeveria e Kosovës. Në kuadër të këtij programi, të gjithë objektivat, projektet dhe të gjitha parashikimet që ka në dispozicion ASK-ja, janë të ndërtuara në bazë të standardeve dhe metodologjisë së Eurostatit.

Pastaj, sfidë tjetër për ASK-në është edhe ngritja e kapaciteteve profesionale të stafit të saj; sfidë tjetër është edhe ngritja e buxhetit për arsye se çdo e dhënë statistikore, patjetër që kërkon edhe një buxhet të caktuar për prodhimin e atyre të dhënave. Vlen të theksohet se sa i përket buxhetit të Kosovës, ai merr pjesë shumë pak në krahasim me buxhetin që japin donatorët për prodhimin e statistikave zyrtare.

Prandaj, projektet e mëdha siç ka qenë për shembull regjistrimi i popullsisë, dhe anketat e tjera të mëdha, kryesisht janë të mbështetura nga donatorët.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa është e vështirë nxjerrja e të dhënave për çështje të caktuara, si p.sh kur kemi të bëjmë me papunësinë, remitencat, standardin jetësor etj?

ISA KRASNIQI
Procesi i finalizimit të publikimit të të dhënave për të gjitha të publikimet, është shumë i vështirë, pasi që fillimisht kemi procesin e sigurimit të buxhetit, pastaj procesin e planifikimit të grumbullimit të të dhënave ku parashihet aplikimi i metodologjisë dhe ndërtimi i pyetësorëve mjaft kompleks. Pastaj, mbledhja e të dhënave në terren, aplikimi i planit hartografik, siguria e të dhënave, përpunimi i të dhënave, marrja dhe analiza e të dhënave administrative, zbatimi strikt i standardeve te metodologjia e aplikuar, sigurimi i cilësisë së të dhënave dhe publikimi e shpërndarja e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila është metodologjia të cilën praktikon ASK-ja në grumbullimin dhe publikimin e të dhënave statistikore?

ISA KRASNIQI
Sa i përket metodave që aplikon ASK-ja për grumbullimin e të dhënave, ASK-ja ka vendosur bashkëpunim të fuqishëm me organin qendror të statistikave zyrtare të BE-së, EUROSTAT. Ky institucion është jashtëzakonisht i rëndësishëm edhe për të gjitha vendet e BE-së, dhe ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështesë ASK-në në rritjen e kapaciteteve profesionale.

Në të njëjtën kohë ASK-ja tashmë zbaton standardet e Eurostatit, në grumbullimin, përpunimin dhe shpërndarjen e të dhënave statistikore. Metodologjia e aplikuar gjatë gjithë procesit të përgatitjes së publikimeve të të dhënave statistikore është në tërësi ajo e Eurostatit. Tashmë këto standarde dhe kjo metodologji është bërë e detyrueshme të zbatohet edhe përmes Ligjit për statistika zyrtare në Republikën e Kosovës.

Këto standarde janë aplikuar te regjistrimi i popullsisë në vitin e 2011, po flas tash për shembuj konkret, pastaj tek anketa e fuqisë punëtore, dhe të shumë publikimeve të tjera të ASK-së deri më tani.

Standardet e këtilla te metodologjia në vazhdimësi do t’i përdorim për arsye se tashmë edhe jemi të detyruar t’i përcjellim të gjitha proceset e integrimeve evropiane, duke i mbështetur me të dhëna të besueshme, cilësore, sipas standardit të Eurostatit.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur flasim për të dhëna, Kosova ende për shumë fusha të caktuara ka të dhëna të vitit 2011 apo vitit 2009, pra nuk kemi të dhëna më të freskëta?

ISA KRASNIQI

Edhe në aspektin e planifikimit unë theksova programin e statistikave zyrtare 2013 - 2017. Aty kemi të evidentuara të gjitha projektet dhe anketat që do t’i zhvillojmë gjatë kësaj periudhe deri në vitin 2017. Në kuptimin e asaj se pse ekzistojnë të dhëna të viteve të kaluara ato patjetër të ekzistojnë, sepse në vazhdimësi është shumë e rëndësishme që për çdo vit të kemi të dhëna.

Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për institucionet që bëjnë politika, programe strategjike, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për hulumtues shkencorë që duhet t’u kthehen të gjitha atyre të dhënave. Në qoftë se ju në këtë rast i referoheni edhe regjistrimit të popullsisë 2011 ku ne kohët e fundit kemi publikuar edhe hulumtime të rëndësishme bazuar në këto të dhëna, atëherë del se të dhënat e regjistrimit të popullsisë që kemi marrë nga regjistrimi më 2011, kanë qenë jashtëzakonisht të shumta të rëndësishme që të prodhojnë publikime për çdo fushë të caktuar për shoqërinë kosovare.

Prandaj, nëse ne u referohemi të dhënave të vitit 2009 për një anketë të fuqisë punëtore, dhe pastaj flasim për të dhënat e anketës së fuqisë punëtore 2012, apo tash që ne jemi duke përgatitur publikimin për të njëjtën gjë për vitin 2013, është aspekti i vijueshmërisë së të dhënave ndër vite dhe krahasueshmërisë së atyre të dhënave ndër vite.

RADIO EVROPA E LIRË
A është korrekte kur ne jemi në vitin 2014 dhe flasim apo edhe bazohemi në të dhëna të vitit 2012, rast konkret të dhënat e papunësisë?
ISA KRASNIQI
Sa i përket vonesave ose shtyrjeve kohore në kuptimin e publikimeve kjo ka të bëjë edhe me kapacitetet e institucionit, në këtë rast ASK, në kuptimin e saj se sa ne kemi qenë të gatshëm gjatë gjithë këtij procesi, të prodhojmë sa më shpejt statistika për publikime të caktuara. Ne jemi në vazhdimësi të ngritjes së kapaciteteve,dhe prandaj në këtë rast ne kemi përmirësuar dukshëm edhe shpejtësinë e publikimeve edhe cilësinë e publikimeve, edhe sasinë, e këtyre publikimeve.

Unë e thashë edhe në fillim, meqë ju e përmendët rastin konkret të ankesës së fuqisë punëtore. Në vitin 2010 nuk kemi pasur fare të dhëna për statistikat e tregut të punës, sepse ka munguar buxheti, në bazë të asaj që më kanë informuar të tjerët, se unë kam ardhur më vonë këtu.

Pastaj, më 2011 i është lënë regjistrimit të popullsisë së vitit 2011 që nuk është eksklusivitet për të dhëna për fuqi punëtore, por është anketa e fuqisë punëtore ekskluzive për të dhënat e tregut të punës dhe pastaj kemi ngritur këtë, kemi avancuar duke krijuar të dhëna më 2012 në mbështetje të DFD dhe në mbështetje të UNDP-së dhe Bankës Botërore, me buxhetin e tyre ne kemi zhvilluar anketën e parë sipas standardit të BE-së, Eurostatit, për 2012-n. Dhe, po ashtu, me ekspertët e tyre, bashkë me stafin tonë, kemi publikuar rezultatet e anketës së fuqisë punëtore të vitit 2012.

Tashmë për 2013, po ashtu, kemi pasur mbështetje financiare dhe jemi në përpunim, bashkë me ekspertë ndërkombëtarë, të këtyre të dhënave, të cilat në bazë të planifikimit dhe në bazë të kalendarit vjetor 2014, ato do të publikohen në muajin maj për vitin 2013.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka mjaft organizata këtu në Kosovë, që merren shumë herë me publikimin e të dhënave statistikore për çështje të ndryshme. Si i vlerësoni ju ato publikime, sa mendoni se janë profesionale dhe janë reale?

ISA KRASNIQI
Nuk dëshiroj të lëshohem në vlerësimin e publikimeve statistikore të ndonjë organizate këtu në Kosovë, pasi që ato me ligj nuk konsiderohen statistika zyrtare. Statistika zyrtare sipas ligjit prodhon Agjencia e Statistikave të Kosovës, Banka Qendrore, Ministria e Financave dhe ndonjë institucion apo organizatë tjetër që merr paraprakisht lejen e ASK-së, si bartëse kryesore e statistikave zyrtare në Republikën e Kosovës.

Në aspektin profesional, të mirëfilltë po flas, edhe vetë ASK-ja lë vend për të dëshiruar edhe pas gjithë asaj mbështetjeje të Eurostatit, dhe donatorëve të tjerë, e lërë më pastaj për të qenë organizatë profesionale në publikime statistikore kur kihet parasysh që në Kosovë ende nuk ka as Fakultet të Statistikave.

Shoqëria kosovare ka mungesë shumë të madhe të statisticientëve, prandaj profesionalizmi i mirëfilltë statistikor në organizata mungon gjithandej nëpër Kosovë.
XS
SM
MD
LG