Ndërlidhjet

Maqedoninë e pret një krizë e re politike


Shkup...
Shkup...
Mosnjohja e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare nga ana e Lidhjes Social Demokrate të opozitës dhe vendimi për të kthyer 34 mandatet e fituara të deputetëve, do të fusë Maqedoninë në krizë të re politike, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike.

Ata thonë se krizë do të ketë pavarësisht tendencave të drejtuesve të partisë fituese dhe të mediave të afërta me të, për të minimizuar këtë vendim të opozitës, pasojat e të cilit do të reflektohen negativisht ndaj të gjitha proceseve në vend.

Pos mosnjohjes së rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, opozita bëri të ditur se nuk njeh as presidentin e shtetit, i cili, sipas saj, është zgjedhur në një proces të kriminalizuar të votimit.

“Gjithsesi se Maqedonia do të hyjë në një fazë të tensioneve politike, në një fazë të pasigurisë, të paqartësisë edhe juridike. Edhe pse me ligj është e rregulluar procedura se çfarë do të ndodhë nëse mandatet nuk merren, megjithatë efekti juridik do të jetë shumë i madh, pavarësisht se disa eksponentë të partisë më të madhe të pushtet, por edhe media të caktuara tentojnë që këtë ta minimizojnë, mendoj se efektet e vendimit të LSDM-së do të jenë të mëdha“,
thotë analisti Albert Musliu.

Ndërkohë, edhe Kire Vasilev, njohës i rrethanave politike, thotë se kriza politike në Maqedoni është evidente dhe se me vendimet e fundit LSDM-ja tenton që këtë problem ta ndërkombëtarizojë edhe më shumë.

“Lufta është politike, pasi do të ketë krizë politike. LSDM-ja me këtë tenton të tërheqë vëmendjen e faktorit ndërkombëtar, i cili në reagimet e veta, ka qenë disi më i butë ndaj asaj që po ndodh në Maqedoni. Ata gjithmonë reagojnë kur kemi një krizë të tillë që paralizon institucionet, këtë tenton ta arrijë opozita”.

“Qeveria mund të formohet juridikisht, nuk ka asnjë problem, por procesi i plotësimit të vendeve të deputetëve është i ndërlikuar dhe domosdo do të shkaktojë probleme dhe në fund, zgjedhje të jashtëzakonshme. Opozita mendoj se do të shkojë edhe në variantin e protestave në rrugë dhe e gjithë kjo flet se vendi ndodhet para një krize të re”,
thotë Vasilev.

Për analistin Albert Musliu, kriza e re që tashmë po del në sipërfaqe do të imponojë nevojën e inkuadrimit të faktorit ndërkombëtar ashtu siç bëri para një viti, por që nuk arriti përfundimisht të kapërcejë dallimet mes pozitës dhe opozitës pas incidentit që kishte ndodhur në Kuvend.

“Besoj se edhe faktori ndërkombëtar do të inkuadrohet në fazën më të hershme të këtij kontesti që të fillojnë bisedimet. Se në çfarë drejtimi do të shkojnë mendoj se është ende e paqartë, meqë edhe mundësitë e kompromisit janë të vogla, pasi nuk besoj se partia më e madhe në pushtet do të pranojë kërkesën primare të LSDM-së për qeveri teknike”.

“Nga ana tjetër, duhet të shihet se çfarë do të ofrojë partia në pushtet që opozita të mund të arsyetojë kthimin e saj në Kuvend apo pranimin e mandateve të deputetëve. Por, bëhet fjalë për një proces apo krizë të vështirë politike“,
shprehet Musliu.

Ai thotë se është vështirë të parashikohen zhvillimet duke marrë parasysh edhe negociatat për formimin e Qeverisë së re dhe tendencat e VMRO-DPMNE-së, që krahas me partinë shqiptare, fituese të zgjedhjeve, BDI-në, të negociojë edhe me partinë tjetër shqiptare të opozitës, PDSH-në.

Sipas analistëve, në rast se ndodh që në qeveri të përshihet partia që nuk ka fituar besimin e elektoratit shqiptar, atëherë kryetari i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, që pritet të marrë mandatin për formimin e qeverisë së re, do të hapë edhe një front tjetër që do të kishte pasoja edhe më të rënda për vendin.

Ndryshe, BDI-ja e cila ka fituar zgjedhjet parlamentare te shqiptarët, nuk njeh legjitimitetin e presidentit të zgjedhur, Gjorgje Ivanov, por edhe rezultatin e zgjedhjeve në diasporë kur të tre deputetët u fituan nga partia e Gruevskit.
XS
SM
MD
LG