Ndërlidhjet

Rreth 45% e popullatës, e përfshirë në lojëra fati


Ilustrim
Ilustrim
Sipas analizave që ka bërë Asociacioni i basteve sportive në Republikën e Maqedonisë, rezulton se mbi 45 për qind e popullatës së vendit është e përfshirë në vënien e basteve.

Asociacioni në fjalë ka shprehur shqetësimin se me ndryshimet e fundit të Ligjit për tatim personal, me ç’rast duhet të paguhet tatim prej 10 për qind për secilën talon ku ka përfitim, do të ulet interesimi i qytetarëve për të vënë bast në bastoret sportive.

Ndërkohë, qytetarët thonë se janë të vetëdijshëm se mundësitë për të fituar janë shumë të vogla, por megjithatë nuk heqin dorë që një pjesë të madhe të kohës ta kalojnë në bastore.

Vangeli i cili ka kaluar të 60-at, thotë se qëndrimin në bastore e sheh si mundësi për të ikur nga problemet e shumta financiare për të cilat nuk sheh ndonjë rrugëdalje.

“Po kjo që bastoret sportive janë të stërmbushura me të rinj, do të thosha se kemi të bëjmë me një sëmundje të shekullit XXI, sëmundje kjo që e ka kapluar shumë rëndë shoqërinë tonë, meqë këta të rinj që i shihni këtu, në vend se të bëjnë rekreacione, të punojnë, të ndërtojnë perspektivë, ata bashkë me mua me orë të tëra qëndrojnë të ngujuar këtu”, thekson Vangeli .

Ndërsa, sociologët theksojnë se hapja e një numri të madh të bastoreve është dhe përgjegjësi e institucioneve shtetërore.

Pas vitit 1991 kemi një rritje të numrit të bastoreve në Maqedoni, njëkohësisht është rritur dhe numri i atyre, të cilët luajnë poker përmes internetit - lojëra këto të fatit, në të cilat kryesisht është e ivolvuar gjenerata më e re. Sipas kërkimeve shkencore, del në pah se më së tepërmi luajnë njerëzit me shkallë më të ulët të arsimimit, si dhe njerëzit e papunë”, thotë Hasan Jashari, sociolog nga Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë.

Jashari thekson se edhe pse bastet, veçanërisht ato në lojërat sportive, paraqesin mundësi për t`u relaksuar, në Maqedoni, si pasojë e rritjes së krizës ekonomike, në kushtet ku një e treta e popullatës është e papunë bastoret, gjegjësisht të gjitha lojërat e fatit paraqesin segment të rëndësishëm për të ushqyer shpresat e shumicës së qytetarëve, të cilët e shohin si mundësi të vetme për një jetë më të mirë.

“Kërkimet shkencore tregojnë se ka shumë indikatorë që në situata të kizës shoqërore, gjegjësisht varfërisë masive, kemi të bëjmë me rritjen e interesimit të qytetarëve për t`u përfshirë sa më shumë në lojërat e fatit dhetë frekuentojnë më shumë bastoret”, vlerëson Jashari.

Kurse, sipas ndryshimeve të fundit ligjore, ndalohet vënia e basteve në lojërat e fatit në internet nëpërmjet ueb- faqeve dhe kompanive të shteteve të tjera me atë që bastet sportive kryhen nëpërmjet Video Lotarisë Shtetërore, subjekt ky i ri ku shteti ka 51 për qind të pronësisë, ndërkohë që janë bllokuar të gjitha ueb-faqet e internetit që mundësojnë vënien e basteve në vendet e jashtme.

Por, ekspertët e teknologjisë informative theksojnë se është e pakuptimtë kjo masë e ndërmarrë nga ana e qeverisë për bllokimin e faqeve legale, të cilat promovojnë bastoret ndërkombëtare, derisa shërbimet e njëjta të kompanive vendore janë në funksion.

“Tendenca që të filtrohen disa ueb- faqe të huaja, gjegjësisht të pamundësohet qasja te disa faqe interneti, të cilat promovojnë lojëra të ndryshme të fatit, është praktikë e vendeve si Kina, Koreja e Veriut , sepse nuk mund të thuhet se ato faqe janë të dëmshme ndërkohë që me përmbajtje të njëjtë u ofrohen qytetarëve nga bastoret e vendit”, thekson Zoran Riciliev, ekspert i tekonologjisë informative , duke shprehur drojë se kjo mënyrë e veprimti i hap rrugë edhe ndalimit ë faqeve të tjera të internetit, të cilat në një kohë të caktuar mund të mos jenë në interes të drejtpërdrejtë të Qeverisë së Maqedonisë.
XS
SM
MD
LG