Ndërlidhjet

Yatsenyuk fajëson policinë për dhunën në Odesa


Odesa

Odesa

Kryeministri i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, ka fajësuar shërbimin e sigurisë së vendit për dhunën në Odesa, e cila ka lënë mbi 40 njerëz të vrarë.

Yatsenyuk i ka thënë BBC-së se policia ka dështuar të ndalë dhunën dhe se për këtë do të ketë “hetime të plota, gjithëpërfshirëse dhe të pavarura”.

“Unë, personalisht, fajësoj sigurimin e shtetit dhe zyrën për zbatimin e ligjit, që nuk kanë bërë asgjë për të ndaluar trazirat. Këto forca të sigurisë janë joefikase dhe ato kanë shkelur ligjin”,
ka thënë Yatsenyuk.

Ai ka bërë të ditur se shefi i policisë në Odesa është shkarkuar nga detyra dhe se zyra e prokurorit ka nisur tashmë hetimet.

Saktësisht 42 njerëz kanë vdekur të premten në Odesa, shumica e tyre nga zjarri në ndërtesën e sindikatave, ku protestuesit separatistë kanë barrikaduar veten pas përleshjeve me aktivistët që mbështesin Qeverinë në Kiev.

Yatsenyuk ka thënë se grupet pro-ruse kanë provokuar trazirat.

Ai ka akuzuar Rusinë dhe protestuesit pro-rusë për “orkestrim të luftës së vërtetë, për të eliminuar Ukrainën dhe për të eliminuar pavarësinë e Ukrainës”.

I pyetur për grupet pro-ruse, të cilat kanë uzurpuar shumë ndërtesa në qytetet në lindje, Yatsenyuk ka thënë:

“Ne nuk e kemi humbur tërësisht kontrollin. Ka disa vende që janë nën kontrollin e protestuesve që udhëhiqen nga Rusia. Por, operacioni antiterrorist është duke vazhduar dhe shumëçka do të varet nga popullata lokale, nëse ajo mbështet paqen dhe sigurinë apo ata që sponsorizohen nga Rusia”, ka thënë Yatsenyuk, duke shprehur gatishmërinë e autoriteteve në Kiev për të rivendosur paqe dhe rend.

“Ne jemi duke dërguar mesazh të qartë për të gjithë: ju mund të flisni rusisht, ne jemi të gatshëm të ndryshojmë kushtetutën, jemi të gatshëm të fuqizojmë qeveritë lokale dhe autoritetet lokale, jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka për të mbajtur një vend të bashkuar”, ka thënë Yatsenyuk.

Një zëdhënës i Qeverisë ruse ka thënë se do të ishte “absurde” për Ukrainën që të mbajë zgjedhjet e planifikuara presidenciale më 25 maj.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, në një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka përsëritur se Rusia do të përballet me më shumë sanksione nëse vazhdon të mbështesë separatistët në Ukrainë.

Mediat e huaja, duke u thirrur në raportet e gazetarëve në terren, kanë shkruar se Ukraina është duke rrëshqitur drejt një lufte civile.

Sipas tyre, qyteti Slloviansk është shndërruar në zemër të forcave pro-ruse që veprojnë në rajon. Persona të armatosur, të udhëhequr nga kryetari i vetemëruar, Vyacheslav Ponomaryov, kontrollojnë këtë qytet për më shumë se dy javë.

Në Donjeck, Luhansk, Kostinovka dhe Horlivka rebelët kanë uzurpuar shumicën e ndërtesave administrative dhe të sigurisë shtetërore. Rrëmbimet dhe vrasjet janë bërë të zakonshme, derisa zyrtarë të zbatimit të ligjit dezertojnë në anën e rebelëve.

Rajoni është përfshirë nga trazirat prejse në Kiev ka ardhur në pushtet qeveria e re. Pushteti i ri ka pasuar demonstratat që kanë çuar në rrëzimin e presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovych, në fund të muajit shkurt.

Shumë qytetarë në lindje të Ukrainës, pjesë e cila ka lidhje të forta ekonomike dhe kulturore me Rusinë, thonë se tani ndihen të margjinalizuar.(v.tela)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG