Ndërlidhjet

logo-print

Liderët pajtohen - Kosova shkon në zgjedhje


Liderët e partive politike janë pajtuar në parim që të nisen procedurat e shpërndarjes së Kuvendit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Këto hapa pasuan dështimin e Kuvendit që të themelojë Forcave të Armatosura të Kosovës. Themelimi i Forcave të Armatosura kërkon dy të tretat e votave të deputetëve dhe po aq të pakicave.

Andaj, mungesa e mbështetjes nga minoriteti serb, e pamundësoi formimin e tyre.

Takimi i liderëve të partive politike është mbajtur nën drejtimin e presidentes Atifete Jahjaga.

Ajo ka thënë se pasi që Kuvendi t’i përfundojë procedurat e nevojshme do të fillojnë menjëherë edhe bisedimet më partitë politike, që nënkuptojnë caktimin e datës së zgjedhjeve.

"Do të respektoj vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili është edhe hapi i parë që më obligon mua si presidente e vendit t'i filloj konsultimet me partitë politike ashtu siç e parasheh Kushtetuta e vendit", tha presidentja Jahjaga.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, i cili ditë më parë kishte theksuar se nuk do të ketë zgjedhje pa formimin e Forcave të Armatosura, sot ka deklaruar se një Kuvend që nuk është i aftë të themelojë ushtrinë, nuk mund të mbijetojë tutje.

"Një Parlament që krijon rrethanat që nuk mund të votojë ushtrinë e vendit, atëherë është i pakuptimtë çdo funksionim i mëtutjeshëm. Unë kam propozuar që zgjedhjet të mbahen me 8 qershor. Afatet kushtetuese ligjore janë të mjaftueshme", theksoi Thaçi.

Në favor të procedurave të shpërndarjes së Kuvendit dhe shpalljes së datës së zgjedhjeve ishte edhe lideri opozitar, Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas tij, institucionet janë jo funksionale dhe se zgjedhjet janë zgjidhja më e mirë.

"Si Lidhje Demokratike ne jemi pajtuar që t'i bashkangjitemi iniciativës, që nesër të mbahet seanca për shpërndarjen e Kuvendit. Ndërkaq, po ashtu, pajtohemi që zgjedhjet të mbahen në pjesën e parë të muajit qershor"
, u shpreh Mustafa.

Një opsion tjetër rreth procedurave që do të çonin Kosovën në zgjedhje kishte lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

"Ky lidership që udhëheq sot, ka dështuar që ta sigurojë votën për një temë kaq të ndjeshme, siç është ushtria e Kosovës. Nuk kanë mundur të kujdesen me kohë dhe të sigurojnë votën e pakicave për ushtrinë", tha Haradinaj.

Ai tha se preferon mocionin e rrëzimit të qeverisë, por nuk ishte kundër as shpërndarjes së parlamentit, pasi që ka vlerësuar se institucionet tashmë kanë dështuar në marrjen e vendimeve siç ishte ai për Forcat e Armatosura.

Më e rezervuar në qëndrimet e saj, ishte nënkryetarja e Aleancës Kosova e Re, Mimoza Kusari Lila. Ky subjekt politik ka mbështetur më tepër opsionin e zgjedhjeve në tetor.

"Gjithsesi që kanë mbetur konsultime të mëtutjeshme, është edhe nesër një takim tjetër i liderëve me presidenten që të shqyrtohet dhe trajtohet mirë edhe njëherë data e mbajtjes së zgjedhjeve", tha Kusari Lila.

Seanca për shpërndarjen e Kuvendit është paralajmëruar të thirret të mërkurën. Kurse data e mundshme e zgjedhjeve është 8 apo më së largu 15 qershori.

Në bazë të procedurës që kanë përmendur sot liderët politik, Kuvendit nesër do t’i nevojiten të paktën 80 vota për të miratuar shpërndarjen me çka më pas presidentja e vendit i nis konsultimet me partitë politike për shpalljen e datës së zgjedhjeve.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG