Ndërlidhjet

Qëndrimi identik i Rusisë dhe Serbisë ndaj Ukrainës


Flamujt e Serbisë dhe Rusisë
Flamujt e Serbisë dhe Rusisë
Në vitin kur po shënohet njëqind vjetori i Luftës së Parë Botërore, historianët e Rusisë dhe ata të Serbisë janë tubuar në Beograd për të biseduar për lidhjet historike të këtyre dy vendeve, për bashkëpunimin e ardhshëm, si dhe për zhvillimet aktuale politike.

Sergej Narishkin, kryetar i Dumës ruse, i cili e ka hapur takimin e ashtuquajtur ruso-serb, në tavolinën e rrumbullak, ka shprehur falënderimin, siç ka thënë, për faktin se opinioni serb që nga fillimi e mban qëndrimin e njëjtë me rusët, lidhur me ngjarjet në Ukrainë.
Sergei Naryshkin
Sergei Naryshkin

“Radikalët në Kiev kanë organizuar puç dhe tash po e kërcënojnë popullin në juglindje të vendit vetëm pse ai e di historinë e vet dhe dëshiron ta flasë gjuhën e vet. Popullata që flet rusisht tash është në shënjestër të elementeve radikale, të cilët e shtrembërojnë historinë, nuk respektojnë liritë e njerëzore dhe u ngritin përmendore nazistëve... Në këtë mënyrë, autoritetet e reja të Kievit nuk po bëjnë asgjë për zgjidhjen e problemeve sociale dhe ekonomike”, ka theksuar Narishkin.

Lidhur me shkaktarët e konfliktit dhe gjendjen aktuale në Ukrainë, Narishkin ka biseduar në Beograd, fillimisht me kryetaren e Kuvendit të Serbisë, Maja Gojkoviq dhe me deputetët.

Në tubimin në Rektoratin e Universitetit të Beogradit, përveç historianëve dhe akademikëve, kanë marrë pjesë edhe politologët dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, që tradicionalisht janë të prirë për bashkëpunimin e fuqishëm të Serbisë dhe Rusisë.

Ndër ta, pati edhe funksionarë nga koha e Qeverisë së Slobodan Milosheviqit.

Zhivadin Jovanoviq, ministër i dikurshëm i Punëve të Jashtme dhe kryetar i Forumit të Beogradit për botën e të barabartëve, ka thënë se miqësia e dy vendeve është vërtetuar edhe gjatë historisë së re.

“Kur Serbia vuante për shkak të sanksioneve nga bashkësia ndërkombëtare, në atë moment të vështirë Rusia shprehi solidaritet. Ne, sot, shprehim solidaritet me vuajtjet e popullit rus në Ukrainë”, është shprehur Jovanoviq.

Pjesëmarrësit e tryezës së rrumbullakët kanë ardhur në përfundim se Serbinë dhe Rusinë, përgjatë historisë i lidh shumëçka e përbashkët dhe se lidhjet miqësore dhe kulturore shpeshherë janë vërtetuar përmes bashkëpunimit të mirë.

Në bisedën e tij me historianët, Sergej Narishkin më së shumti kohë i ka kushtuar Luftës së Parë Botërore, duke thënë se në vitin 1914, Rusia nuk ka mundur të veprojë ndryshe përveç se të qëndrojë në anën e Serbisë.

“Megjithatë, në disa qarqe ekzistojnë tendencat që përgjegjësia të bartet nga agresorët në viktima. Për historinë e Luftës së Parë Botërore duhet folur pa falsifikime. Populli serb dhe ai rus kanë luftuar së bashku shumë herë për liri dhe të drejta dhe bashkëpunimi ynë kurrë nuk është vënë në pikëpyetje. Tash, më e rëndësishme është që ta ruajmë botën nga konfliktet e reja, duke u mbështetur në leksionet e historisë”, ka porositur Narishkin.

Duke folur për ngjarjet në fund të shekullit 20, Narishkin ka përmendur edhe bombardimin e Serbisë nga NATO.

“Para 15 vjetësh, Beogradi, qytetet tjera dhe fshatrat serbe u bombarduan. Kjo e ka tronditur popullin rus dhe ky është kujtim historik që nuk do të harrohet kurrë”, ka theksuar Narishkin.

Kryetari i Dumës ruse. Në fund të vizitës dyditore në Beograd, do e hapë tubimin shkencor ruso-serb “Dialogu i Ballkanit 2014”.
XS
SM
MD
LG