Ndërlidhjet

Marrëveshje për Kodin etik profesional


Ilustrim
Ilustrim
Oda e Mjekëve të Kosovës, është formuar vitin e kaluar. Së fundmi është nënshkruar edhe një marrëveshje mes Odës së Mjekëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë, për Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore.

Sipas kësaj marrëveshjeje, mjekët janë të detyruar të njohin principet dhe rregullat që përmbahen në këtë Kod, dhe në bazë të tyre, të përshtatin sjelljen profesionale.

Zylfije Hundozi , kryetare e Odës së Mjekëve, thotë për Radion Evropa e Lirë, se
Kodi etik është miratuar në seancën e fundit të Kuvendit të Odës së Mjekëve. Se sa do t’i përmbahen mjekët këtij kodi, ajo thotë:

“Unë mendoj se mjekët do t’i përmbahen këtij kodi, pasi që ky është bazuar në ligjet ekzistuese që kanë dalë prej Kuvendit të Kosovës, e që janë sot në përdorim dhe janë të obliguar t’i respektojnë. Edhe detyra e Odës së Mjekëve është që t’i shqyrtojë shkeljet e Kodit etik”.

Ndryshe, Oda e Mjekëve, sipas Hundozit, është institucion i pavarur dhe ka për detyrë që të funksionalizojë punën e sistemit shëndetësor në Kosovë.

Gjithashtu, Oda e ka për detyrë t’i mbrojë interesat e mjekëve për të gjitha pengesat që kanë gjatë punës së tyre, që ta rrisë cilësinë e punës së profesionistëve shëndetësorë, si dhe ta zvogëlojë vdekshmërinë dhe sëmundjet e njerëzve në Kosovë.

Ndërkaq, lidhur me ankesat e pranuara që prej marrjes së detyrës si udhëheqëse e Odës së Mjekëve, Hundozi tregon për dy raste, tashmë të shqyrtuara nga organet përkatëse.

“Gjatë kohës sa e udhëheq Odën, kemi pranuar dy ankesa nga pacientët, e të cilat janë shqyrtuar prej organeve përkatëse, prej Këshillit etik dhe prokurorit dhe janë proceduar më tutje”, shpjegon Hundozi.

Por, çka thonë profesionistët shëndetësorë lidhur me Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore? Neurokirurgu Haxhi Avdyli shprehet:

“Betimi i Hipokratit, para të cilit betohen, përcakton sjelljen e tyre dhe përcakton Kodin Etik. Por, kjo varet edhe nga edukata individuale, se sa do t’i përmbahet kësaj etike”.

“Unë mendoj që shumë prej mjekëve e respektojnë këtë, por çdo herë mund të ketë pakënaqësi edhe të pacientëve për mënyrën e trajtimit. Në institucionet tona ekzistojnë mekanizmat e duhur për shqyrtimin e të gjitha ankesave të pacientëve. Ekzistojnë komisionet etiko-profesionale, të cilat janë nëpër klinika, por edhe Oda e Mjekëve ku kompetencat etiko- profesionale barten tek odat, ku ekzistojnë mekanizmat që bëjnë shqyrtimin e të gjitha ankesave të pacientëve, por edhe të personelit mjekësor”, pohon Avdyli.

Ndryshe, Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë në QKUK, konsideron se Oda e Mjekëve nuk po funksionon ashtu siç duhet.

“Ankesa nga pacientët ka gjithmonë, në kushtet e Qendrës Klinike Universitare, pasi që ne, pacientëve nuk mund t’ua sigurojmë minimumin e trajtimit cilësor. Probleme ka”.

“E, sa i përket shqyrtimit të ankesave, mendoj se oda nuk po funksionon, sepse ata ende nuk i kanë zyrat e veta. Por, brenda Ministrisë së Shëndetësisë janë të formuara komisionet që e kryejnë punën e vet, e që i shqyrtojnë ankesat e mjekëve, si dhe shkeljet që bëhen nga ana e profesionistëve shëndetësorë. Mirëpo, për odën mendoj se nuk është duke funksionuar si strukturë”,
shprehet Selmani.

Sidoqoftë, sipas Hundozit, me formimin e Odës së Mjekëve janë krijuar edhe organet si këshilli etiko-profesional, gjyqi i nderit dhe prokuroria e odës.
XS
SM
MD
LG