Ndërlidhjet

Jahjaga nuk shpall datën e zgjedhjeve, vazhdon konsultimet të enjten


Presidentja Atifete Jahjaga
Presidentja Atifete Jahjaga
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në bazë të kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore, i ka filluar konsultimet me përfaqësuesit e të gjitha partive politike në vend, si dhe me kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, për përcaktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme në Kosovë, bazuar në afatet ligjore.

Pas takimeve me përfaqësuesit e partive politike që pasuan shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, Jahjaga, përmes një komunikate me shkrim, ka njoftuar se konsultimet do të vazhdojnë edhe të enjten, para se të shpallet data e mbajtjes së zgjedhjeve.

Disponimi i partive politike është që kjo datë të jetë 8 apo 15 qershori.

Presidentja Jahjaga, bazuar në rolin e saj të faktorit të unitetit dhe të garantuesit të funksionimit demokratik të institucioneve, gjatë takimit me udhëheqësit e partive politike ka theksuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend duhet të jenë të lira, të drejta, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse.

Ajo ka thënë se vota e qytetarit të Kosovës duhet të jetë e sigurt dhe e garantuar.
XS
SM
MD
LG