Ndërlidhjet

Kush është Boko Haram?


Në qendër të kësaj fotografie të bërë më 25 shtator 2013, mendohet se është Abubakar Shekau, i rrethuar nga mbështetësit e tij...

Në qendër të kësaj fotografie të bërë më 25 shtator 2013, mendohet se është Abubakar Shekau, i rrethuar nga mbështetësit e tij...

Grupi militant nigerian, Boko Haram, ka qenë në titujt kryesorë të lajmeve pasi ka rrëmbyer qindra vajza në pjesën veriore, që është edhe rajoni më i dhunshëm i Nigerisë.

Incidenti i parë ka ndodhur më 14 prill, kur Boko Haram ka kidnapuar më shumë se 300 vajza, 276 nga të cilat mbeten në robëri. Të dielën janë rrëmbyer edhe 11 të tjera.

Kidnapimet kanë shkaktuar zemërim ndërkombëtar, zotime për ndihmë nga vende të ndryshme dhe shpërblim për informacione, prej 300,000 dollarësh, nga Qeveria nigeriane.


Por, kush është Boko Haram?

Ai është një grup militant islamik me bazë në veri të Nigerisë. Grupi ekstremist lufton për të rrëzuar qeverinë dhe për të krijuar një shtet islamik. Ai ka bërë kërdi në vend me bombardime, vrasje dhe rrëmbime masive.

Emri zyrtar i Boko Haramit është Jama'atu Ahlis Sunna Lidda'awati wal-Jihad, që në përkthim nga arabishtja do të thotë: Njerëz të angazhuar për përphapjen e mësimeve të Profetit dhe xhihadit.

Megjithatë, ai njihet gjerësisht si Boko Haram, që në përkthim nga gjuha lokale Hausa do të thotë “Edukimi perëndimor është i ndaluar”.

Grupi ka bazën në qytetin verilindor Maiduguri, i cili është kryeqyteti i shtetit Borno.

Ai ka një lloj mbështetjeje në pjesën veriore të Nigerisë, të banuar me myslimanë, veçanërisht në zonat rurale.

Intepretimi i tij fundamentalist i Islamit e bën “haram” ose të ndaluar për myslimanët që të marrin pjesë në çdo aktivitet social, politik dhe arsimor, që lidhet me Perëndimin. Kjo përfshin pjesëmarrjen në zgjedhje, arsimin laik dhe veshjen perëndimore.

Qëndrimet e tilla kanë bërë që disa t’i quajnë militantët e Boko Haramit “talibanë nigerianë”.

Cilat janë origjinat e grupit?

Ai është formuar në vitin 2002 në Maiduguri nga Mohammad Yusuf, një klerik islamik. Yusuf ka udhëhequr një grup të të rinjve radikalë islamikë në vitet 1990. Ai fillimisht ka qenë i interesuar në arsim, ndërtimin e një xhamie dhe medreseje, ku familjet e varfra myslimane mund të dërgojnë fëmijët e tyre.

Pamje nga protesta në kërkim të vajzave të rrëmbyera

Pamje nga protesta në kërkim të vajzave të rrëmbyera

Yusuf nuk ka pasur qëllime për të përmbysur dhunshëm qeverinë. Por, kjo ka ndryshuar në vitin 2009, kur policia ka marrë masa të ashpra ndaj grupit, për shkak të refuzimit të tij për të zbatuar ligjin, i cili i bën helmetat e motoçikletave të detyrueshme.

Masat kanë çuar në përleshje midis mbështetësve të Boko Haramit dhe shërbimeve të sigurisë.

Mbi 800 njerëz janë vrarë, përfshirë qindra përkrahës të Boko Haramit. Policia ka uzurpuar selinë e grupit, ndërsa Yusufin e ka dërguar në paraburgim, ku edhe ka vdekur.

Që atëherë, Boko Haram ka kryer një seri sulmesh vdekjeprurëse, duke qëlluar institucionet e sigurisë, kishat, shkollat dhe duke vrarë pa dallim civilë.

Dora e djathtë e Yusufit, Abubakar Shekau, ka marrë vendin e tij dhe i ka ndryshuar drejtimin grupit. Pa themeluesin e tij karizmatik, grupi është ndarë gjithnjë e më shumë. Nga ai kanë dalë fraksione të ndryshme, përfshirë disa në Niger dhe Kamerun.

“Nga viti 2009, grupi ka ndryshuar dinamikën e tij. Dhuna që ai ka përdorur është bërë gjithnjë e më e guximshme. Ata janë duke u bërë më guximtarë, armët e tyre më të sofistikuara dhe taktikat e tyre më flagrante ”, thotë Sola Tayo, analiste në Institutin Chatham të Londrës.

Boko Haram është fajësuar për vdekjen e më shumë se 3,000 personave qysh në vitin 2009. Amnesty International thotë se grupi ka qenë përgjegjës për vdekjen më shumë se 1,500 njerëzve vetëm këtë vit.

Grupi ka në shënjestër forcat nigeriane të sigurisë, anëtarët e komunitetit të krishterë, si dhe udhëheqësit dhe klerikët myslimanë të cilët i akuzon për bashkëpunim me qeverinë. Ai po ashtu sulmon të huajt dhe turistët, edhe pse në një shkallë më të vogël. Njëri nga sulmet e tij më të guximshme ka qenë ai kundër selisë së Kombeve të Bashkuara në kryeqytetin Abuja, i cili ka vrarë mbi 20 njerëz në vitin 2011.

Shtetet e Bashkuara, të cilat e kanë shpallur Boko Haramin organizatë terroriste, kanë thënë se grupi mund të ketë lidhje me Al Kaidën. Një raport i Kongresit më 2011 ka paralajmëruar se grupi është një “kërcënim në zhvillim” për Shtetet e Bashkuara.
Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG