Ndërlidhjet

Maqedoni: Liderët s'mbajnë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Partitë politike që humbën zgjedhjet e parakohshme parlamentare ende nuk kanë bërë një analizë të rezultatit zgjedhor, meqë si LSDM-ja, ashtu edhe PDSH-ja, vazhdojnë të pretendojnë për manipulim të procesit votues.

Deri tani, vetëm lideri i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Rufi Osmani, dhe e tërë kryesia e partisë, kanë dhënë dorëheqje të parevokueshme për shkak të rezultatit të dobët në zgjedhje.

Partia maqedonase e opozitës, Lidhja Social-Demokrate, nuk njeh zgjedhjet dhe rezultatin e dalë nga to, ndërsa 34 deputetët e saj, kanë refuzuar të marrin certifikatat.

Kreu i kësaj partie, Zoran Zaev, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, pakënaqësinë në radhët e partisë, por ai thotë se fjalën e fundit nëse do të ketë ndërrim të kryesisë, do ta thonë delegatët në kongresin që pritet të mbahet brenda një jave.

“Është shumë e logjikshme që një parti e madhe, siç është LSDM-ja, të ketë dallime, të ketë qëndrime të ndryshme, mendime të ndryshme, pasi kjo është e mira e demokracisë, kjo është një pasuri e partisë sime dhe për gjithçka do të vendoset në kongres. Do të ketë debat të gjerë dhe analizë për mosnjohjen e rezultatit zgjedhor. Gjithsesi se ka një grup në parti që mendojnë se udhëheqësia e tanishme e LSDM-së duhet të japë dorëheqje, mbetet të shihet epilogu”, deklaron Zaev.

Dorëheqja e tij është kërkuar edhe nga ish-lideri, Branko Cërvenkovski, duke favorizuar për këtë post, ish-kandidatin për president shteti, Stevo Pendarovskin.

PDSH-ja, e cila në zgjedhje ka fituar 7 deputetë, vazhdon të pretendojë se do të jetë pjesë e qeverisë së re. Nga kjo parti, më i zëshëm në kërkesën për dorëheqjen e kryetarit të saj, Menduh Thaçi, është ish-deputeti, tani kryetar i Strugës, Ziadin Sela.

Por, Thaçi ka refuzuar të bëjë një akt të tillë dhe jo vetëm kaq, ai ata që kërkojnë dorëheqjen e tij i ka quajtur tradhtarë dhe armiq të PDSH-së.

“Nuk jap dorëheqje nëse këtë e kërkojnë tradhtarët dhe armiqtë e PDSH-së. Normalisht, unë u nënshtrohem organeve të partisë dhe kjo do të jetë krejt e hapur. Seriozisht është biseduar për këtë çështje, por unë nuk preferoj dramatizimin e situatës. Pas dhjetë muajve kemi kongresin e partisë dhe në kuadër të një procesi të rregullt, do t'i zgjidhim të gjitha çështjet që i kemi brenda partisë”,
shprehet Thaçi.

Njohësit e çështjeve politike thonë se Maqedonia ndoshta është vendi i vetëm ku liderët nuk mbajnë përgjegjësi për disfatat në zgjedhje.

Mersel Bilalli, analist dhe profesor në Universitetin “Fon” të Shkupit, thotë se në Maqedoni ka parti që dy e më shumë cikle zgjedhore radhazi i kanë humbur dhe vazhdojnë të drejtojnë partinë.

“Ky nocion është i panjohur te ne, kështu që kemi një parti politike, e cila permanent humb zgjedhjet, ndërsa vazhdon të akuzojë dikë tjetër duke mos dhënë dorëheqje si akt moral. Mendoj se edhe ne duhet të mësohemi me disa rregulla standarde, në qoftë se dy raunde zgjedhore radhazi humben zgjedhjet, aty praktikisht lideri duhet të pranojë përgjegjësinë apo se është pengesa kryesore e mosarritjes së rezultatit më të mirë“, vlerëson Bilalli.

Ai thotë se qasja e tillë e liderëve politikë ngulfat zhvillimin e partive dhe daljen në sipërfaqe të kuadrove të rinj që do të freskonin skenën politike, e rrjedhimisht edhe rezultatin më të mirë të partive në zgjedhje.

“Mosdhënia e dorëheqjes e liderit të opozitës, i cili në vazhdimësi i humb zgjedhjet, është dëm i përgjithshëm që reflektohet në të gjitha proceset. Një opozitë joserioze i mundëson komoditet partisë në pushtet që reflektohet në relativizimin e përgjegjësisë së partisë në pushtet. Një relativizim i tillë paraqet mosefikasitet, të cilin e ndiejnë para së gjithash qytetarët”, thekson Bilalli.
XS
SM
MD
LG