Ndërlidhjet

logo-print

Niveli i ulët i higjienës nëpër shkolla, shqetësues


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Kushtet jo të mira higjienike në institucionet shkollore të ciklit të ulët dhe të mesëm kanë ngjallur shqetësime jo vetëm te qytetarët që kanë fëmijët në këto shkolla, por edhe tek institucionet komunale, përgjegjëse për arsimin dhe te profesionistët e shëndetësisë.

Prindërit e fëmijëve që vijojnë shkollimin, thonë se higjiena në shkollat e kryeqytetit të Kosovës, është nën normat e nevojshme dhe si të tilla rrezikojnë shëndetin e fëmijëve.

Drita Sinani, është nënë e një fëmije, që vijon mësimin në një nga shkollat fillore të Prishtinës. Ajo shpreh shqetësimin se fëmija i saj, por edhe fëmijët e tjerë, janë të rrezikuar në mënyrë potenciale nga papastërtia në ambientet e shkollës, e sidomos në tualete.

“Higjiena në shkollat e Prishtinës nuk është duke u mbajtur si duhet, sidomos në shkollat fillore, ku nxënësit janë të rrezikuar nga përhapja e ndonjë infeksioni, në veçanti klasat që janë afër tualeteve. Mendoj se kjo çështje duhet të merret më seriozisht. Unë vetë jam prind i një fëmije që vijon mësimet në një shkollë fillore në Prishtinë dhe konsideroj se fëmija im është i rrezikuar nga ndonjë infektim”, thotë Drita.

Arsyet, për të cilat shqetësohen prindërit, që i kanë fëmijët në këto shkolla, i konfirmon për Radion Evropa e Lirë edhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit në komunën e Prishtinës, Jusuf Thaçi.

Ai e vlerëson si jo të kënaqshëm nivelin e higjienës në ambientet e shkollave të Prishtinës.

“Gjendja, sa i përket higjienës, nuk është e nivelit të kënaqshëm, posaçërisht ankesat më të mëdha kanë ato shkolla ku shërbimet e pastrimit tashmë janë të privatizuara, së paku drejtorët na raportojnë që kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e pastërtisë dhe sigurimin e materialeve të nevojshme nuk janë në nivelin e duhur”, pohon Thaçi.

Thaçi tregon se gjendja ka qenë mjaft e përkeqësuar në muajin e kaluar kur ka pasur një grevë nga punëtorët teknikë në 12 shkolla të komunës së Prishtinës.

Punëtorët teknikë, shton ai, gjatë asaj kohe nuk kishin pranuar ta mbanin as minimumin e pastërtisë, që është i domosdoshëm edhe në raste të grevave.

Ndërkaq, profesionistë të shëndetësisë alarmojnë për nivelin e ulët të higjienës në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës.

Infektologu Izet Sadiku në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tregon se mosmbajtja e higjienës në institucionet shkollore mund të ndikojë në paraqitjen e epidemive të ndryshme, të cilat mund të barten përmes ujit apo mjeteve tjera.

“Gjithmonë nëse kjo situatë vazhdon të jetë e tillë, rreziku rritet. Është shumë normale që nëse nuk mbahet higjiena e duhur në hapësira shkollore mund të jenë predispozitat për bartjen e infeksioneve të ndryshme, e nëse ndodh një gjë e tillë, do të jetë problem të menaxhohet”, vlerëson Sadiku.

Sidoqoftë, sipas drejtorit të arsimit, Jusuf Thaçi, deri në shtator të këtij viti nuk ka shpresë së gjendja e higjienës në shkollat e komunës së Prishtinës të përmirësohet, pasi që, siç thotë ai, nuk kanë as mundësi ligjore dhe as financiare të ndryhet në këto momente.

“Do të shohim mundësinë ose të privatizohet i gjithë shërbimi, por me kushte të reja që garantojnë cilësi të pastrimit nëpër shkolla ose do ta shqyrtojmë mundësinë e formimit të një kompanie publike komunale. Kjo kompani, do t’i merrte të gjitha përgjegjësitë e mbajtjes së pastërtisë dhe higjienës nëpër shkolla, sigurisht me kushte dhe standarde më të larta, në mënyrë që të mos kemi më probleme të tilla në të ardhmen”, shton Thaçi.

Numri i nxënësve, të cilët ndjekin arsimin parauniversitarë në mbarë Kosovën është mbi 400 mijë.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG