Ndërlidhjet

Pse brengoset Evropa me mosmarrëveshjet për gaz midis Rusisë e Ukrainës?


Shpërndarja e gazit
Shpërndarja e gazit
Bashkimi Evropian merr rreth një të tretën e gazit natyror nga Rusia dhe rreth gjysma e atij gazi arrin në Evropë përmes tubacioneve që kalojnë përmes Ukrainës.

Moska kërcënon se do të ndërpresë furnizimet për Ukrainën derisa Kievi të mos i paguajë faturat. Kjo do të thotë se BE-ja mund të zihet keq.

Një arsye për këtë janë objektet e magazinimit të gazit natyror në perëndim të Ukrainës.

Vera është koha kur Ukraina zakonisht mbush objektet e saj gjigante të magazinimit me gazin rus. Por, sivjet nuk ka ende garanci për një gjë të tillë derisa Kievi dhe Moska vazhdojnë grindjet për çmimin. Kjo është shqetësuese sepse nëse magazinat e Ukrainës nuk janë të mbushura, ka rrezik për mungesa të gazit rus, që është i destinuar për Evropën.

Ekspertët e gazit thonë se tanket e gazit duhet të mbushën me rreth 12 miliardë metra kub deri në shtator. Por, derisa Ukraina kërkon ta blejë këtë gaz, Rusia kërcënon se do të ndërpresë çdo shitje të re derisa nuk ka parapagim për furnizimet deri më 31 maj.

Moska thotë se borxhi i përgjithshëm i Ukrainës për gazin që tashmë ka marrë arrin në 3.5 miliardë dollarë. Kievi thotë se shifra është e ekzagjeruar.

Me këta hapa, Moska duket se përdor krizën me gazin natyror për t’i dërguar mesazh Brukselit se qeveria aktuale në Kiev është e papërshtatshme dhe se mbështetja e saj do të jetë e rëndë.

Jonathan Stern, nga Instituti Oxford për Studime Energjetike, thotë se në të kaluarën, Moska ka bërë luftëra të gazit me Ukrainën në mënyrë bilaterale, pa përfshirë direkt Evropën në negociata. Por, këtë herë është ndryshe.

“Me ndryshimin e qeverisë në Kiev, pozicioni i Rusisë është: ‘Evropë, ky është problemi yt. Ti je tani në kontakt me këta njerëz. Ti je duke miratuar atë që ata bëjnë. Ti zgjidhe këtë problem. Ne duam paratë tona’”, thotë Stern.

Pasi Kievi nuk ka para, Moska pret që Perëndimi të paguajë në vendin e tij. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka miratuar një fond të ndihmës prej 17 miliardë dollarësh për Ukrainën – 3.2 miliardë nga to do të jenë në dispozicion menjëherë.

Nëse paratë do të përdoren për të ndihmuar Ukrainën që të paguajë faturat e saj të gazit, është e paqartë.

Grindjet për borxhet e Ukrainës vijnë në kohën kur marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit janë në përkeqësim e sipër. Perëndimi ka sanksionuar aleatë të afërt të presidentit rus, Vladimir Putin, së bashku me liderët e separatistëve ukrainas, pas aneksimit të Krimesë nga Moska.

Stephan Meister, ekspert i Rusisë në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se Moska ka treguar se është e gatshme të përkeqësojë gjithnjë e më shumë krizën në Ukrainë.

“Nëse vëzhgojmë gjithë krizën në Ukrainë, mund të kuptojmë se Rusia është e gatshme të shkojë shumë larg në përshkallëzimin e konfliktit. Andaj, jam i sigurt se ata janë të gatshëm ta përshkallëzojnë atë edhe në aspektin e furnizimit me gaz”, thotë Meister.

Por, ka po ashtu kufizime se sa larg mund ta çojë Moska luftën me gazin që dëmton BE-në, por jo edhe interesat komercialë të Rusisë.

“Ata ende varen shumë nga tregu evropian. Ata kanë nevojë për një lloj zgjidhjeje për të mos humbur Evropën si konsumator”, thekson Meister.

Por, sa është e cenueshme Evropa?

Ekspertët e energjisë thonë se kontinenti ka kaluar një dimër të butë, kështu që rezervat e gazit brenda BE-së janë në nivel të lartë dhe mund të përballojnë ndërprerje të kohëpaskohshme të furnizimeve përmes Ukrainës.

Në të njëjtën kohë, zyrtarët e BE-së janë duke shqyrtuar alternativa të gazit rus, si importimi i gazit më të lëngshëm natyror, madje edhe nga Shtetet e Bashkuara.(v.tela)
XS
SM
MD
LG