Ndërlidhjet

VOX

Gjuha e urrejtjes, e pranishme në biseda dhe rrjete sociale


Gjuha e urrejtjes, në mesin e të rinjve është tema e kësaj jave në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë. Disa të rinj të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, pranojnë se kjo gjuhë përdoret më shumë gjatë bisedave, në mediat sociale; disa të tjerë thonë që gjuha e urrejtjes përdoret në mënyrë më selektive nga një kategori e caktuar e shoqërisë.

Gjuhë e urrejtjes konsiderohet cilido veprim që sulmon një person ose grup në bazë të racës, fesë, gjinisë, paaftësisë, etnisë, ose orientimit seksual.

Mimoza Lama
, studente e Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës thotë t’i ketë rastisur të dëgjojë të rinjtë duke përdorur fjalë që shprehin urrejtje.

“Personalisht gjuhën e urrejtjes nuk e përdori, mirëpo më ka rastisur te shumica e të rinjve të dëgjoj që e përdorin gjuhën e urrejtjes, sidomos kur bëhet fjalë për orientimin seksual, edhe për njerëzit me ngjyrë i paragjykojnë dhe flasin me një gjuhë urrejtjeje”, thotë Mimoza.

19 vjeçari Visar Hazrolli, i cili punon si kamerier në njërën nga kafeteritë e qytetit, thotë se ka dëgjuar në shoqëri të përdoret gjuha e urrejtjes, sidomos për njerëzit me ngjyrë:

“Shumë përdoret. Kam dëgjuar shumë raste duke përdorur shprehje të tilla, sidomos duke i urryer njerëzit me ngjyrë. Nuk mendoj se është mirë të kenë njerëzit urrejtje dhe të përdorin këtë gjuhë”.

Ndryshe, edhe Komisioni Evropian ka mbështetur një studim për vendet e rajonit në identifikimin e treguesve konkretë në përhapjen e gjuhës së urrejtjes.

Gazetarë dhe ekspertë nga Ballkani kanë diskutuar lidhur me këtë çështje, për aspektet kryesore ku ato shfaqen, si dhe përmirësimin e situatës.

Ata i shohin të lidhura domosdoshmërinë e lirisë së shprehjes dhe evitimin e ekstremitetit në përdorimin e gjuhës së përçmimit dhe injorimit të atij që mendon dhe vepron ndryshe.


E, sidomos kur bëhet fjalë për fenë, studenti Fakultetit të Arteve, Shkëlzeni, mendon se ka edhe gjuhë të urrejtjes.

“Mendoj se ka urrejtje, edhe në fe. Për shembull mes myslimanëve dhe katolikëve. E kam vërejtur që edhe homoseksualët, njerëzit i shohin më ndryshe. Këtë e kam vërejtur edhe kur flitet për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas. Mendoj se të gjithë jemi njerëz dhe mendoj se nuk bën të përdoret gjuha e urrejtjes. Unë mendoj se njerëzit nuk kanë parë shumë, prandaj dhe reagojnë në raste të caktuara”, konsideron Shkëlzeni.

Por jo edhe Labinoti Tërnava mendon sikurse Shkëlzeni.

“Unë nuk mendoj se përdoret shumë gjuha e urrejtjes, e aq më pak ka urrejtje, sidomos kur bëhet fjalë për fenë. Unë kam shokë të feve tjera dhe aspak nuk ndikon kjo në shoqërinë tonë. Ne jemi të gjithë njerëzit. Sa i përket njerëzve me ngjyrë, mendoj se përdoret një gjuhë urrejtjeje për ta. E kam vërejtur si fenomen”, shprehet Labinoti.

Por, Lulzim Demaj, 24-vjeçar nga Prishtina, i cili punon si kuzhinier thotë se në mesin e të rinjve kosovarë, përdoret gjuha e urrejtjes - qoftë kur bëhet fjalë për orientim seksual, apo edhe për nacionalitet, fe e të tjera.

“Mendoj se përdoret gjuha e urrejtjes, por nuk mendoj se ka shumë të rinj që e përdorin. Mendoj se më shumë ka urrejtje nacionaliste, kombëtare, e urrejtje fetare nuk besoj që ka te ne. E sa i përket orientimit seksual, mendoj se përdoret gjuha e urrejtjes, por ka edhe urrejtje”, mendon Lulzimi.

E, me Kodin Penal të Kosovës, në nenin 147, mes tjerash thuhet se: Kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje ose mosdurim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike apo grupe tjera të tilla që jetojnë në Republikës e Kosovës, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet.

Aty, gjithashtu, theksohet se "kushdo që kryen veprën penale nga paragrafi 1. i këtij neni, përmes shtrëngimit, rrezikimit të sigurisë, përqeshjes së simboleve kombëtare, racore, etnike apo fetare, duke dëmtuar pasurinë e personit tjetër ose duke përdhosur monumentet apo varrezat, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet".
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG