Ndërlidhjet

logo-print

Dënohen kosovarët për vjedhjen në Barcelonë


Ilustrim

Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar dy persona me dy vite e gjysmë burgim, për shkak se në korrik të vitit 2009, kanë vjedhur gjërat me vlerë të djalit të presidentit të rajonit të Kurdistanit në Irak, në një hotel në Barcelonë.

Misioni EULEX, përmes një kumtese të lëshuar, ka bërë me dije se aktgjykimin e kanë pranuar sot prokurorët e rastit, të cilët i kishin akuzuar dy personat për vjedhjen e stolive dhe gjërave të tjera me vlerë prej rreth 1.3 milion euro.

“Të akuzuarit Artan Jelliqi dhe Haki Januzi u shpallën fajtorë për vjedhje të rëndë dhe që të dy u dënuan me dy vjet e gjysmë burgim”, ka njoftuar misioni EULEX.

Vjedhja sipas këtij misioni ka ndodhur më 20 korrik të vitit 2009 në Hotelin Arts në Barcelonë, ku të pandehurit, së bashku me dy bashkë-të pandehur (njëri prej të cilëve tashmë është dënuar ndërsa tjetri gjendet në arrati), hynë në dhomën në të cilën ishte i vendosur z. Masrour Barzani, i biri i Presidentit të Rajonit të Kurdistanit në Irak, dhe i vodhën gjërat e çmuara.

Stolitë dhe gjërat e tjera, sipas EULEX-it, ishin sjellur në Kosovë.

Këtë rast e ka hetuar Policia e Kosovës, e udhëhequr nga një ekip i përzier në të cilin ishte i përfshirë një prokuror ndërkombëtar dhe një prokuror i shtetit i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
XS
SM
MD
LG