Ndërlidhjet

logo-print

New York Times: Çfarë nuk mund të kontrollojë Putini?


 Vladimir Putin

Vladimir Putin

Një tryezë e rrumbullakët e politikanëve ukrainas, grupeve civile dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë pritet të organizohet të mërkurën.

Thuhet se OSBE-ja është duke përgatitur një “strategji” për zgjidhje paqësore të krizës. Por, derisa presidenti rus, Vladimir Putin, ndihmon separatistët në juglindje të Ukrainës dhe derisa zgjedhjet presideniale të 25 majit nuk zhvillohen në gjithë Ukrainën, bisedimet do të kenë pak kuptim, shkruan New York Times.

Sipas gazetës, fakti se referendumet për vetëvendosje në lindje të Ukrainës janë mbajtur me gjithë thirrjen e Putinit për t’i shtyrë ato, tregon se ngjarjet tashmë kanë marrë vrull. Aktualisht janë duke u zhvilluar bisedime midis separatistëve pro-rusë për një tjetër referendum – këtë herë për t’iu bashkuar Rusisë.

Përgjigjja e Kremlinit për referendumet e së dielës në Donjeck dhe Luhansk ka qenë e paqartë, pasi ka thënë se Moska respekton vullnetin e popullit në këto rajone, por bën thirrje që çdo hap tjetër të bëhet përmes dialogut midis Qeverisë në Kiev dhe separatistëve.

Putini ka dhënë indikacione se qëllim i tij i vërtetë nuk është të aneksojë territore të tjera të Ukrainës, por të transformojë Ukrainën në një federatë, me një qeveri të dobët dhe neutrale në Kiev, të varur përgjithmonë nga Rusia, shkruan gazeta.

Kjo, po sipas gazetës, do të thotë se, edhe nëse bisedimet zhvillohen, Kievi dhe mbështetësit e tij perëndimorë mund të përballen me kërkesa të papranueshme. Putini ka gjasa të kërkojë njohjen e aneksimit të Krimesë, një nivel të vetëqeverisjes rajonale, që do të ngjante me ndarjen, dhe garanci kundër lidhjeve politike dhe ekonomike me Evropën.

Edhe pse bartja e pushtetit nga qendra në disa rajone është e pashmangshme, Kievi duhet të dalë nga negociatat me një shkallë të arsyeshme të kontrollit qendror dhe lirisë për të krijuar marrëdhënie normale me Perëndimin.

Sipas gazetës New York Times, kjo nuk do të jetë e lehtë. Ukraina është e ndarë dhe Rusia kërkon pagesa jorealiste për të vazhduar furnizimin e saj me gaz natyror. Autoritetet e Ukrainës kanë shumë pak opsione në këtë pikë.

Çdo veprim ushtarak kundër separatustëve sigurisht se do të shkaktonte viktima në civilë dhe do të nxiste ndërhryjen ushtarake të Rusisë, por duke mos iu përgjigjur veprimeve të separatistëve, ata mund të inkurajohen dhe të zgjerojnë kontrollin edhe më shumë.

Megjithatë, sipas gazetës, edhe Putini duhet të jetë i vetëdijshëm se çdo ndërhyrje ushtarake e Rusisë në juglindje të Ukrainës do të shkaktojë rezistencë të përgjakshme, sanksione të rënda tregtare, shpenzime të mëdha dhe, nëse arrihet në aneksim, një Ukrainë të cunguar anti-ruse dhe pro-perëndimore.

New York Times shkruan se kriza në Ukrainë ka rritur ndjeshëm pozitën e Putinit në Rusi, porse kjo mund të ndryshojë shpejt nëse shpërthen lufta e vërtetë. Madje, edhe sanksionet modeste kanë nisur të provokojnë ikjen e kapitalit, largimin e investimeve të huaja dhe ngadalësimin e ekonomisë së dobët ruse.

Por, në fund të fundit, nuk ka asnjë alternativë për negociatat midis palëve.

OSBE-ja duhet të paraqesë planin e saj sa më shpejt që të jetë e mundur dhe gjermanët, mbi të gjithë të tjerët, duhet t’ia bëjnë të qartë Putinit se ata nuk do të qetësohen me premtime të rreme, se nëse ai nuk e pastron rrugën për zgjedhjet presidenciale në Ukrainë, nëse nuk i qetëson miqtë e tij në juglindje të Urkainës dhe nëse nuk tërheq vërtet ushtrinë e tij, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione që do ta shkëpusin Rusinë për kohë të gjatë nga burimet perëndimore të teknologjisë, armëve dhe financave, shkruan gazeta New York Times.
Valona Tela
XS
SM
MD
LG