Ndërlidhjet

Times: Goditje kundër lirisë


Gjykata Evropiane e Drejtësisë, që është gjykata më e lartë në Bashkimin Evropian, nuk duhet të ngatërrohet me Gjykatën Evropiane për të Drejta të Njeriut. As pas vendimit të së martës nuk duhet të ngatërrohet me një organ që mbron lirinë e shprehjes, shkruan Times.

Kjo gjykatë ka vendosur të martën në favor të padisë së spanjollit, Mario Costeja Gonzalez, kundër kompanisë Google, e cila detyron këtë të fundit që të heqë informacionet e parëndësishme ose të vjetëruara nga motorët e kërkimit.

Sipas gazetës Times, aktgjykimi do të thotë se çdokush në Bashkimin Evropian tani mund të kërkojë që motori i kërkimit të heqë çdo të dhënë personale, edhe nëse ajo është e saktë, edhe nëse është publikuar në vende të tjera, edhe nëse një person i arsyeshëm mund ta konsiderojë atë si të padëmshme.

Marrë parasysh mundësinë reale që mijëra njerëz do të kërkojnë që të hiqen vegëzat me të dhënat që nuk i pëlqejnë, vështirë se ofruesit e shërbimeve do të bëjnë rezistencë.

Fundja, sipas gazetës, ata nuk janë ideatorë të materialit, nuk kanë interes të njëjtë në përmbajtje dhe, nëse dikush ankohet, vegëza do të fshihet.

Në gjykimin e saj, gjykata si duket është dashur të vendosë nëse Google dhe të tjerët duhet të jenë përgjegjëse për materialin që lidhin faqet e tyre. Përgjigjja ka qenë “po”.

Me vite, pothuajse kushdo që ka dashur që diçka të mos thuhet ose shfaqet më në internet, ka bërë përpjekje të argumentojë se ofruesit e shërbimeve duhet të konsiderohen si botues. Kjo ide i bën organizatat, siç është Google, censuruese kryesore të informimit global. Një rezultat i tillë është thellësisht i padëshirueshëm për lirinë e fjalës, shkruan Times.

Përkrahja e “së drejtës që të harrohet”, ashtu siç e quajnë aktivistët largimin e informacioneve të padëshiruara, është edhe më e keqe, sipas gazetës. Kjo e drejtë përfshin të drejtën për të ndaluar njerëzit e tjerë që t’i kujtojnë ato informacione.

Një gjë e tillë i shndërron kërkimet në internet në një version gjigant të albumit sovjetik të fotografive, ku njerëzit fshijnë nga ekzistenca të kaluarat e tyre të pakëndshme.

Këto rezultate negative kanë qenë ndoshta në mendjen e avokatit të përgjithshëm të gjykatës, i cili ka qenë kundër një aktgjykimi të tillë vitin e kaluar, duke argumentuar se “shtypja e informacioneve legjitime, që kanë hyrë në domenin publik, do të kërkojë ndërhyrje në lirinë e shprehjes të publikuesve të ueb-faqeve”, shkruan Times.
Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG