Ndërlidhjet

Kërkohet angazhim për zgjedhje të lira dhe demokratike


Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson ka bërë thirrje që zgjedhjet parlamentare në Kosovës të jenë të qeta dhe demokratike.

Ambasadorja Jacobson në një takim me anëtaret e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka thënë ajo që pritet me datën 8 qershor është që zgjedhjet të jenë të lira, transparente dhe fer.

Ajo tha se një proces zgjedhor i drejtë, do të avancojë demokracinë e Kosovës, dhe do ta shtojë suksesin e shënuar, sikur që ka ndodhur me zgjedhjet lokale të vjeshtës.

“Transparenca, shenjtëria e votimit, është një gjë e rëndësishme. Gjëja e dytë është pjesëmarrja. Vetëm me pjesëmarrjen në zgjedhje mund ta keni zërin për atë se si institucionet tuaja mund ta udhëheqin vendin në të ardhmen”, ka thënë Jacobson duke inkurajuar të gjithë që të marrin pjesë në procesin zgjedhor.

Për të ndodhur një proces i drejtë zgjedhor është e rëndësishme që të gjitha institucionet relevante të kryejnë siç duhet punët e tyre, tha ambasadorja amerikane, duke shprehur besimin e saj në punën që po bën dhe do të bejë KQZ-ja, edhe pse siç tha ajo, koha për organizimin e këtyre zgjedhjeve është e shkurtër.

Jacobson beri të ditur se do të takohet edhe me liderët politikë, për t’i inkurajuar që të kenë një rol të rëndësishme me të gjithë personat relevantë të partive të tyre për të siguruar që votat nuk do të keqpërdoren.

“Jam në dijeni që në zgjedhjet e fundit parlamentare problem i madh ka qenë vjedhja brenda partive dhe jo mes partive. Eshtë shumë e rëndësishme që zëri (vota) e qytetarëve të ruhet”, theksoi ambasadorja.

Nga ana tjetër, kryetarja e KQZ-se Valdete Daka tha se tashmë kanë nisur përgatitjet për procesin zgjedhor.

“Në këtë drejtim KQZ-ja ka nisur bashkëpunimin edhe me institucionet tjera relevante për ta arritur qëllimin e përbashkët që këto zgjedhje të jenë fer, demokratike dhe të lira, dhe t'i ofrojmë mundësi të barabarta të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Është me rëndësi të theksojmë se presim nga subjektet politike që të japin kontributin e tyre në mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve”, tha Daka duke shtuar që në këtë proces pritet që të ketë një numër te konsiderueshëm të vëzhguesve për të percejllë procesin zgjedhor.

Kurse, kryeministri në largim i Kosovës Hashim Thaçi ka ftuar të gjitha partitë politike dhe anëtarët e tyre që do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare, që të përgatiten dhe të angazhohen për zgjedhjet të lira fer dhe demokratike.

Këto deklarata Thaçi i bëri në një konferencë për media në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, derisa në cilësinë e kryetarit të kësaj partie, ka prezantuar prurje të reja në parti.

“I kemi ftuar edhe vëzhguesit e Bashkimit Evropian, do të kemi edhe prezencë të shtuar të vëzhguesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por mbi të gjitha neve na bije përgjegjësi si lider politik, si spektër politik. Ftoj edhe shoqërinë civile edhe mediat, KQZ-ja është duke u përgatitur intensivisht, kështu që kam besim të plotë për organizimin e zgjedhjeve fer, të lira, të standardeve më të larta ndërkombëtare”, tha Thaçi.

Me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit në Kosovë, presidentja Atifete Jahjaga ka kërkuar nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baronesha Catherine Ashton që të dërgojë në Kosovë një mision vëzhgues të zgjedhjeve.

Krahas misionit vëzhgues të BE-së që mund të vijë në Kosovë, presidentja Jahjaga ka kërkuar nga Misioni i OSBE-së në vend që të angazhohet në këtë proces zgjedhor dhe të ndihmojë në aspektin teknik në komunat e veriut të Kosovës.

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se nga presidenca ka marrë një kërkesë për ndihmë teknike në procesin zgjedhor të 8 qershorit.

“Siç e dini, ne me rolin tonë e mbështesim KQZ-në, në aspektin teknik dhe këshillëdhënës. Ne kemi marrë një kërkesë nga presidentja Jahjaga dhe kryetarja e KQZ-së Daka për të ndihmuar procesin e zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe ju jemi përgjigjur pozitivisht në atë kërkesë”, thuhet në një përgjigje të OSBE-së përmes postës elektronike.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga një ditë më parë ka pasur takim me ambasadorët dhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Britanisë së Madhe të akredituar në Kosovë për të diskutuar për procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë.

Presidentja Jahjaga po ashtu inkurajoi ambasadat e akredituara në Kosovë që të marrin pjesë në monitorimin e zgjedhjeve, për të siguruar një proces transparent dhe një pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në nivel vendi.
XS
SM
MD
LG