Ndërlidhjet

Rusia nis valën e re të kontrollimit të OJQ-ve

  • RFE /RL

Të paktën gjashtë organizata joqeveritare ruse, në ditët e fundit, kanë qenë subjekt i bastisjeve të paparalajmëruara.

Basisjet janë kryer me urdhër të prokurorisë në tri regjione të ndryshme ndërsa në shënjestër kanë qenë grupet e njohura të të drejtave të njeriut, siç janë Nënat e Ushtarëve, Agora dhe Komiteti kundër torturës.

E përditshmja ruse “Kommercant”, është gazeta e parë që e ka trajtuar këtë çështje ndërsa hapat e autoriteteve ruse i quan si një valë të dytë të bastisjeve ndaj OJQ-ve.

Mijëra OJQ që veprojnë në Rusi janë bastisur gjatë vitit të kaluar pasi që vendi kishte miratuar një ligj të diskutueshëm për “agjentët e huaj”.

Ligji kërkon nga OJQ-të që marrin fonde nga jashtë dhe që angazhohen në aktivitete politike, të cilat janë të definuara gjerësish dhe të regjistrohen si agjenci të huaja.

Bastisjet e fundit përfshijnë organizatën me bazë në Shën Petërsburg, Nizhny Novgorod dhe organizatën Kazan me bazë në Republikën e Tatarstanit.

Përfaqësues të këtyre organizatave thanë se inspektorët i kontrolluan ato pa ndonjë njoftim paraprak ndërsa i kanë pyetur rreth financave dhe aktiviteteve të tyre në dy vitet e fundit

Zyra përfaqësuese e organizatës “Nënat e ushtarëve” me bazë në Shën Petërsburg, grup ky që mbron të drejtat e ushtarëve rekrutë dhe familjet e tyre, ishte në mesin e organizatave që është bastisur nga prokurorët.

Ella Polyakova, udhëheqëse e degës së kësaj organizate në Shën Petërsburg, iu tha mediave ruse se bastisja është e lidhur drejtë për së drejti me kritikat që kjo organizatë i ka bërë pas aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë.

“Prokurori më tha haptas se kishte ardhur vetëm pasi që e kishin parë që ne e kemi postuar një artikull në faqen tonë të internetit”, i ka thënë Polyakova gazetës “Kommersant”.

“Artikulli e ka kritikuar qëndrimin e Rusisë rreth çështjes së Krimesë”, ka shtuar më tutje ajo.

Ky veprim i organeve ruse të ndjekjes vjen pavarësisht vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Rusisë që qartëson se kritikat e autorëve nuk janë bazë e mjaftueshme për ta konsideruar një organizatë si “agjenci të huaj”.

Zyra e organizatës Agora, një grup që mbron të drejtat e njeriut e që e ka bazën në Kazan, gjithashtu është kontrolluar me arsyetime të ngjashme.

Siç bëhet me dije, udhëheqësi i kësaj organizate Pavel Chikov, është marrë në pyetje rreth një interviste që ai e kishte dhënë vitin e kaluar për agjencinë “Biznes-online”.

Prokurorët sipas Chikov, mendojnë se aty janë përmendur aktivitete politike, gjë që është në kundërshtim me ligjet për OJQ-të.

Gjatë vitit të kaluar, organizata “Agora” e cila ofron shërbime ligjore për aktivistët e shoqërisë civile, kishte pranuar një shkresë nga autoritetet ruse ku organizatës i ishte kërkuar që t’ua dorëzoj të gjitha dokumentet në lidhje me financimin e organizatës veprimtarinë, pasurinë dhe një listë me punonjësit e saj.

Qindra Organizata joqeveritare që veprojnë në Rusi janë shqyrtuar ligjërisht dhe janë përballur me presione të tjera nga autoritetet ruse pasi që autoritetet e atjeshme kanë filluar ta zbatojnë ligjin e diskutueshëm rreth “agjencive të huaja”.

Organizata për monitorimin e zgjedhje “Golos”, është në mesin e OJQ-ve të para që është dënuar konform ligjit të vitit 2013. ajo ishte gjobitur me një shumë prej 10 mijë dollarësh pasi që kishte refuzuar të regjistrohej si agjenci e huaj.

Grigory Melkonyans, nënkryetar i organizatës “Golos” i tha shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë se ligji ua ka mundësuar autoriteteve që në mënyrë shumë të lehtë të gjejnë pretekst për ti ndëshkuar OJQ-të.

“Është një periudhë shumë e vështirë për OJQ-të”, tha ai.

“Ato janë në çdo moment të rrezikuara nga të qenit në lista të ndryshme ngase mund të pësojnë dënime të rënda apo t’iu ndërpritet aktiviteti në tërësi. Mandej ekziston rreziku që ato mund të mbyllen nga gjyqet. Kjo e fundit është masë tejet ekstreme, por fatkeqësisht gjëra të tilla edhe ndodhin”, ka shtuar Melkonyans.

Keir Giles, hulumtues në programin ndërkombëtar për siguri në Rusi dhe programin euroaziaktik Chatham House me bazë në Londër, thotë se bastisjet e fundit në OJQ-të ruse është një “proces i vazhdueshëm” dhe kjo nuk duhet të shihet si një dukuri e re.

Giles sugjeron që në këtë kohë të konfrontimit të vazhdueshëm në mes të Rusisë dhe Perëndimit, autoritetet ruse “tani po kujdesen më pak për imazhin ndërkombëtar sesa që janë kujdesur kur marrëdhëniet në mes të Rusisë dhe Perëndimit kanë qenë më të mira”.

“OJQ-të që veprojnë në Rusi janë një “burim i kritikës, dhe potencialisht, kritika që kanë ndikim në politikën e Kremilinit. Dhe në të njëjtën kohë nëse ata janë të sponsoruar nga jashtë, atëherë në mënyrë të menjëhershme, kjo interpretohet në përputhje me rrethanat e doktrinës ruse, si një kërcënim i huaj”, ka shtuar ai.

“Për rusët, ky është si të thuash një lloj çmimi apo pagese për kryengritje”, thotë Giles “e cila çoi për shembull, tek ngjarjet origjinale në Ukrainë, tek revolucioni me ngjyra”, ka përfunduar Giles. (s.bajrami)
XS
SM
MD
LG