Ndërlidhjet

logo-print

Integrimi evropian, kritere shtesë për Maqedoninë


Përveç çështjes së pazgjidhur të emrit, Maqedonia duhet të përmbush edhe kritere tjera në rrugën e integrimit të saj në strukturat euroatlantike.

Kjo i është bërë me dije presidentit, Gjorgje Ivanov në vizitën e parë në Bruksel, pas rizgjedhjes së tij në krye të shtetit.

Komisioneri për zgjerim i BE-së, Shtefan Fyle, i rikujtoi Ivanovit të marr seriozisht vërejtjet e KE-së në raportin e progresit si dhe kritikat e OSBE-së rreth procesit zgjedhor.

Ditë më parë edhe ambasadori evropian, Aivo Orav përmendi kritere tjera si thellimin e krizës politike, vendosjen e dialogut me opozitës, demokracinë funksionale, gjendjen me mediat e fusha tjera, ku Maqedonia ka shënuar përkeqësim në raport me vitet e kaluara.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se vërejtjet e tilla janë me vend duke marrë parasysh situatën brenda vendit, e cila nga dita në ditë përkeqësohet thuajse në të gjitha segmentet, pa përjashtim.

“Qëndrimi i Brukselit mendoj se është i qartë, mendoj se Maqedonisë po i tërhiqet veshi për shkak të problemeve të cilat po i krijon. Demokracia në Maqedoni po stagnon, qytetarët janë të pakënaqur, niveli ekonomik është shumë i ulët, problemi me mediat, problemet ndëretnike në vazhdimësi janë vatër e konfliktit dhe situata shpejtë mund të del nga kontrolli“, thotë Arsim Sinani, drejtues i Qendrës për marrëdhënie ndërkombëtare dhe studime ballkanike si dhe ligjërues në Universitetin e Tetovës.

Ai thotë se problem për Maqedoninë janë raportet e pushtetit me opozitën, mungesa e dialogut politik, por edhe vet presidenti Ivanov, i cili nuk njihet nga Bashkimi Demokratik për Integrim që fitoi zgjedhjet tek shqiptarët, por edhe nga opozita maqedonase, Lidhja socialdemokrare, e cila ka braktisur institucionet.

Edhe Malinka Ristevska Jordanova, nga instituti për politikë evropiane dhe ligjëruese në Universitetin e Shkupit, nuk sheh perspektivë evropiane për Maqedoninë në rrethanat në të cilat ajo ndodhet.

Veç problemeve të vjetra, vendi sipas saj, tani përballet edhe me sfida të reja, që do të pamundësojnë arritjen e synimit të saj, integrimin në NATO dhe BE.

“Nuk jam shumë optimiste sa i përket zgjidhjes së dy problemeve më të mëdha, çështjes së ermit dhe dialogut politik që nënkupton funksionimin normal të institucioneve demokratike, harmonizimi i qëndrimeve mes partive për çështjet thelbësore për vendin. Por për fat të ketë ne tani ndodhemi në nivelin më të ulët sa i përket këtyre çështjeve. Nëse vazhdon bojkoti i opozitës, mungesa e vullnetit të pushteti mbi nevojën e nisjes së dialogut me opozitën, mendoj se perspektiva evropiane e Maqedoni do të jetë e parealizueshme“, thotë Jordanova.

Në këtë kuadër, Arsim Sinani, drejtues i Qendrës për marrëdhënie ndërkombëtare dhe studime ballkanike nuk përjashton mundësinë e presionit apo të ndërhyrjes më të fuqishme të faktorit ndërkombëtar për kthimin e vendit në binarët normal të rrugëtimit drejt strukturave euroatlantike.

“Nëse e marrim figurativisht makina e quajtur Maqedoni ka pësuar në këtë gjendje ajo nuk mund të vazhdoj rrugën për në Bruksel, kështu që ka nevojë për automekanikë, mbetet të shihet se cili do të jetë automekaniku që do të rregulloj këtë makinë që të vazhdoj rrugën e integrimit euroatlantik. Dua të them se problemet e integrimit të Maqedonisë janë probleme evidente, shihet se kemi pengesa të shumta, ato janë të brendshme, janë të jashtme dhe më e madhja është pengesa e njëmendësisë e cila po instalohet në Maqedoni“, thekson Sinani.

Presidenti Ivanov në paraqitjen e tij pas takimeve në Bruksel kërkoi përshpejtimin e procesit integrues të Maqedonisë, pasi sipas tij, situata status-quo e rëndon procesin dhe shkakton frustrime në shoqëri.

Ivanov tha se kjo nuk është e mirë për Maqedoninë, por as për rajonin dhe kredibilitetin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG