Ndërlidhjet

“Përçaj dhe sundo” me tatarët e Krimesë

  • RFE /RL

Një mural në Krime...

Një mural në Krime...

Një grup i vogël i aktivistëve dhe banorëve lokalë do të mblidhet të dielën në Kazan për të shënuar 70-vjetorin e dëbimit brutal të tatarëve të Krimsë nga Joseph Stalini.

Mbi 200,000 tatarë krimeanë janë dëbuar në vitin 1944 me makina të bagëtive në destinacione të largëta të Rusisë dhe Azisë Qendrore.

Tubimi në Kazan do të zhvillohet pa pjesëmarrjen e autoriteteve pro-ruse të Tatarstanit.

Ngjarja e vogël në kryeqytetin e Republikës Ruse të Tatarstanit tregon për marrëdhëniet komplekse midis dy komuniteteve tatare – marrëdhënie që komplikohen edhe më shumë nga përpjekjet e Kremlinit për të përdorur zyrtarët besnikë në Kazan që të minimizojnë rezistencën e tatarëve krimeanë ndaj aneksimit të Krimesë nga Moska.

“Autoritetet ruse janë duke rekretuar tatarë krimeanë, por kjo nuk u bën punë. Andaj, sjellin tatarë nga Kazani. Siç e dini, zëvendëskryeministër në Krime është një tatar nga Kazani. Emri i tij është Rustam Temirgaliev. Babai i tij po ashtu mban një pozitë. Ata vazhdojnë të na ndajnë”, ka thënë lideri i tatarëve krimeanë, Mustafa Dzhemilev, një një konferencë për media në Kiev më 5 maj.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në prill, Dzhemilev ka thënë se autoritetet në Tatarstan janë duke vepruar si “propagandistët kryesorë të idesë se çdo gjë është mirë në Rusi, se do të jetë mirë për tatarët krimeanë që të jenë pjesë e Rusisë”.

Analisti politik në Kazan, Rashit Akhmetov, thotë se Kremlini është duke përdorur tatarët e Kazanit për të zbatuar strategjinë “përçaj dhe sundo”.

Madje edhe para aneksimit, Moska ka përdorur zyrtarët nga Tatarstani për të thyer solidaritetin e komunitetit tatar në Krime, i cili ka favorizuar të mbetet nën udhëheqjen e Kievit dhe ka mbështetur politikat e integrimit evropian të Qeverisë së Ukrainës.

Në fillim të marsit, presidenti pro-rus i Tatarstanit, Rustem Minnikhanov, ka vizituar Krimenë dy herë. Takimi i tij me përfaqësuesit e tatarëve krimeanë ka qenë kontakti i parë zyrtar midis dy komuniteteve tatare në dy dekada.

Koncesionet tjera që ka ofruar Moska ato ditë, kanë qenë statusi zyrtar i gjuhës së tatarëve krimeanë, kuotat për përfaqësimin e tatarëve në qeveri dhe njohja ligjore e trupit vetëqeverisës të tatarëve të Krimesë, Mejlis.

Por, përpjekjet kryesisht kanë dështuar.

Duke folur në Kazan më 13 maj, kreu de facto i Parlamentit krimean, Vladimir Konstantinov, ka thënë se Mejlis “ka kohë që është shndërruar në anti-rus” dhe se tani “financohet nga Perëndimi përmes Kievit”.

Komunitetet tjera tatare në botë janë të shqetësuara me taktikat e Moskës për të manipuluar marrëdhëniet midis tatarëve të Kazanit dhe Krimesë.

Jerzy Szachuniewicz, kryetar i Qendrës Kulturore të Tatarëve të Polonisë në Gdansk, ka kërkuar nga Parlamenti Evropian që të krijojë një përfaqësi të pavarur dhe të përhershme të tatarëve në Bruksel. Ai ka argumentuar se Qeveria e Tatarstanit është “nën kontrollin rus”.

“Ne propozojmë një aleancë midis tatarëve dhe Evropës, në mënyrë që të gjithë të marrin pjesë në të – tatarët e Rumanisë, tatarët e Krimesë e tjerë. Ata t’i përkasin kësaj strukture, të dërgojnë një ose dy njerëz dhe të gjithë të jenë të përfaqësuar”, ka thënë Szachuniewicz për Radion Evropa e Lirë.

Udhëheqësi i tatarëve të Krimesë, Dzhemilev, bën dallim midis autoriteteve pro-ruse, të instaluara në Tatarstan, dhe popullit tatar në Kazan.

“Ne nuk e identifikojmë udhëheqjen e Tatarstanit me popullin tatar në Kazan. Lidershipi i Tatarstanit vepron si degë e Kremlinit. Kjo është e kuptueshme; nëse nuk do të bënte kështu, nuk do të ishte në pushtet”, thotë Dzhemilev.
XS
SM
MD
LG