Ndërlidhjet

Qytetarët: Nuk ka rënie të çmimeve


Derisa të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për indeksin e çmimeve të konsumit flasin për një rënie të çmimeve për 0.8 për qind, disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë të mos e kenë vërejtur këtë rënie.

Ilmi Shaqiri rreth të 50-ve me profesion teknik i ndërtimtarisë. Të ardhurat mujore në familjen e tij shtatë anëtarësh thotë se nuk janë më shumë se 400 euro. Më këto para thotë ai, se ja dalin disi për të përmbushur nevojat elementare të familjes.

Për zotin Shaqiri, çmimet e konsumit janë shumë të shtrenjta. Ai mendon se ka mundur të ketë ngritje të çmimeve, por në asnjë mënyrë rënie.

“Çmimet janë astronomike, nuk ka pasur rënie, ndoshta e kanë ulur një çmim të një artikulli, por kanë ngritur çmimet e katër të tjerëve. Çmimet janë të larta dhe janë bërë disa artikujt të paprekshëm”, thotë ai.

Ngjashëm, mendon edhe Sinan Avdyli i cili punon si taksist. Nga puna që ai bën, thotë se nuk arrin të fitojë më shumë se 300 euro në muaj.

Sipas tij, nuk ka rënie të çmimeve, por shumë herë produktet kur faturohen në arkë bëhen më shtrenjtë se sa çmimi real.

“Nga pazari ditor apo javor që unë bëj nuk kam parë se ka pas rënie të çmimeve, përkundrazi ka mashtrime të mëdha që iu bëhen konsumatorit, shumë herë na ndodh që një produkt ta paguajmë më shtrenjtë, sesa që është realisht”, thotë ai.

Sipas të dhënave, të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit në Kosovë për muajin prill 2014 ka shënuar rënie për 08 për qind krahasuar më muajin mars të po këtij viti.

Shkalla e inflacionit e matur në muajin prill 2014 është 0.2 për qind.

Rënie e indeksit të çmimeve të konsumit thuhet të ketë pasur tek energjia elektrike, gazi dhe lëndët tjera djegëse, perimet, vajrat dhe yndyrat, buka dhe drithërat.

Çmimet e larta të produkteve ushqimore kanë shqetësuar vazhdimisht përfaqësues të Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, në Kosovë. Ata thonë se një gjë e tillë po rrezikon mirëqenien e qytetarëve.

Sipas kryetari të kësaj organizate, Selatin Kaçaniku çmimet e larta po godasin më së shumti njerëzit, të cilët kanë të hyra të ulëta mujore, siç janë ata të cilët jetojnë në varfëri.

“Në Kosovë jetojnë rreth 54 për qind e konsumatorëve në varfëri, ndërsa nga numri i tërësishëm i konsumatorëve afër 18 për qind jetojnë në varfëri të skajshme, që do të thotë se ata nuk kanë ushqim të mjaftueshëm”, tregon Kaçaniku.

Ngritja e vazhdueshme e çmimeve sipas ekspertëve të ekonomisë është vlerësuar se mund të prodhojë krizë sociale në vend. Sipas tyre, pagat e ulëta pamundësojnë që një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës të bëjë jetë normale, duke siguruar ushqim të mjaftueshëm.

Rënia e fuqisë blerëse thonë ata prodhon varfëri, ndërsa varfëria krizë.

Ata kanë bërë thirrje të vazhdueshme për ndërmarrjen e masave urgjente, që do të normalizonin situatën.
XS
SM
MD
LG