Ndërlidhjet

Kërkohen masa të rrepta kundër atyre që cenojnë procesin zgjedhor


Ilustrim
Ilustrim
Në mesnatën e së premtes skadon afati ligjor i dorëzimit të listave të kandidatëve të partive politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare te 8 qershorit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe autoritetet tjera të ngarkuara me procesin zgjedhor po i bëjnë përgatitjet me një intensitet të shtuar për organizimin e këtyre zgjedhjeve të parakohshme.

Në një tryezë të organizuar nga Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, me temën “Domosdoshmëria e një procesi të rregullt zgjedhor”, i janë bërë disa rekomandime KQZ-së për mbarëvajtjen e procesit.

Gjatë katër viteve të kaluara, ka thënë me këtë rast Kurteshi, shoqëria kosovare është bombarduar me shprehjen “vjedhje industriale të votave” apo edhe kualifikimet si “institucione të dala nga votat e vjedhura”.

Andaj, Avokati i Popullit ndër tjera ka kërkuar që lista përfundimtare e votuesve të pastrohet në mënyrë që të mos ketë akuza për votimin e njerëzve që nuk ekzistojnë.

Po ashtu, Kurteshi kishte rekomandime edhe për prokurorinë e shtetit dhe gjyqësorin, si akterë të rëndësishëm në këtë proces

“Për prokurorinë kemi një rekomandim që me urgjencë prioritare, pa asnjë zvarritje dhe pa asnjë arsyetim të procedojnë në gjykatë të gjithë personat ose rastet e shkeljeve ligjore gjatë gjithë procesit zgjedhor. Kurse nga gjyqësori kërkojmë që me urgjencë prioritare pa asnjë arsyetim dhe pa zvarritje të trajtohen të gjitha rastet e shkeljeve gjatë gjithë procesit zgjedhor”, ka thënë Avokati i Popullit, Sami Kurteshi.

Për shkak të afateve të shkurta kohore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke organizuar këtë proces me një shpejtësi më të madhe sesa zakonisht.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi thotë se KQZ-ja gjendet në kufijtë e skajshëm teorik dhe ligjorë për organizimin e zgjedhjeve, por megjithatë, sipas tij, ky organ i ka ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme që të sigurohen kushtet që zgjedhësit të realizojnë të drejtën e tyre të votës.

“Jemi duke punuar me një sforco goxha të madhe, por megjithatë të madhe, por megjithatë jemi të bindur se do të arrijmë të përmbushim obligimin dhe misionin tonë", tha Halimi.

Sikurse edhe në zgjedhjet e fundit lokale, pjesë e organizimit të zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës do të jetë edhe misioni i OKB-së.

Kurse për sigurinë do të ketë edhe një plan të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtar.

Gjatë një takimi që udhëheqësit e organeve të ndjekjes penale dhe rendit kanë zhvilluar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni kishte siguruar të gjithë qytetarët se policia do të jetë në detyrë dhe angazhim të plotë në mënyrë që procesi të mos lejohet të dëmtohen nga askush.

“Policia e Kosovës do të vazhdoj të jetë e përkushtuar dhe të luaj rolin e vet ligjor në mënyrë që ky të jetë një proces demokratik dhe qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre të sigurt dhe pa frikën e askujt dhe se nuk do të ketë tolerancë ndaj askujt në çfarëdo rrethane që pretendohet të prishet imazhi i këtij procesi mjaftë të rëndësishëm për të ardhmen e vendit”, ka thënë Maxhuni.

Sipas Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve lista e votuesve sivjet do të përmbajë mbi 1 milion e 786 mijë votues.

Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse. Gara zgjedhore mes subjekteve politike do të zhvillohet për sigurimin e vendeve për 100 ulëse në Kuvendin e Kosovës, përderisa 20 ulëse tjera mbeten të garantuara për komunitetet pakicë.
XS
SM
MD
LG