Ndërlidhjet

Premtime nga më të ndryshme po paraqesin partitë politike në prag të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit.

Në të shumtën e rasteve partitë politike po premtojnë krijimin e vendeve të reja të punës, duke filluar nga 200 mijë, 120 mijë e kështu më radhë. Pastaj, rritje pagash, përmirësim të mirëqenies sociale të qytetareve, investime në bujqësi, arsim, shkencë.

Por, me gjithë këtë, disa qytetarët nuk i besojnë fare premtimeve të subjekteve politike.

Ata i konsiderojnë premtime absurde dhe të parealizueshme.

Albert Ademi, thotë se nuk i beson premtimeve të asnjë partie politike. Praktikat e deri tashme kanë treguar, thotë ai, se pas marrjes se pushtetit, të gjitha premtimet bien në harresë.

“Nuk i besoj asnjë partie politike, sepse nuk punojnë për qytetarët. Premtojnë se do të krijojnë vende të reja të punës, pse nuk i krijuan deri më tani? Premtimet që po japin, do të bëjnë mrekulli, e pas zgjedhjeve harrohen dhe shuhen”, pohon Alberti.

Sabit Ilazi
, mbi të 50-at, konsideron se është e pamundur përmbushja e të gjitha premtimeve të dhëna.

“Nuk besoj se të gjithë premtimet do të realizohen. Ndoshta disa munden, por jo të gjitha. Kur është fjala për shifrat e krijimit të vendeve të reja të punës, mendoj se një numër i qytetarëve mund të punësohet, por jo deri në 200 mijë. Prej zgjedhjeve të kaluara, jemi mësuar se të gjitha ato që thonë nuk i realizojnë”, thekson Ilazi.

Ngritja e shkallës se punësimit ka qenë premtim edhe në zgjedhjet e kaluara, por nuk është punuar në këtë drejtim, thotë Zahir Ibrahimi, duke shtuar se kjo është arsye pse nuk i beson aspak as premtimeve për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen muajin e ardhshëm.

“Aspak, aspak. Gjithnjë kanë gënjyer dhe po gënjejnë. Punësim kanë premtuar në të gjitha zgjedhjet, por asgjë nuk është bërë”, thotë Ibrahimi.

Ngjashëm thotë edhe Ilir Behrami...

“Premtimet janë të njëjta që i kemi pasur edhe në zgjedhjet e kaluara. Megjithatë, mund të them se disa parti kanë programe konkrete. Nga një parti po pres shumë, pres që ajo parti ti fitoi zgjedhjet, sepse po vërehet një frymë e re”.

Një qytetare tjetër nga Prishtina, Adile Mejzini, ndërkaq pyet se ku do të punësohen deri 200 mijë punëtorë, kur në Kosovë nuk ka ndërmarrje prodhuese.

“Fabrika askund, dyqane sa të duash, atëherë ku të punësohen dhe si do të jetojmë. Problem është rinia, se përfundojnë studimet e nuk kanë ku të punësohen. Por, të shohim dëshirojnë që këto premtime të bëhen realitet”, shprehet ajo.

Emin Fetahu, punon si taksist në kryeqytet. As Fetahu nuk shpreson se do të ketë ndryshime pas zgjedhjeve parlamentare

“Kanë premtuar shumë, e punë hiç. Papunësia është shumë e madhe, njerëzit janë lodhur nga premtimet. Të ardhmes nuk i dihet, por për momentin shumë dobët është. Pas zgjedhjeve nëse dëshirojnë të punojnë, munden të punojnë mirë, e nëse nuk donë do të ‘këndohet e njëjta këngë’”, thekson Fetahu.

Ndryshe, edhe ekspertë për çështje ekonomike, për Radion Evropa e Lirë, kanë thënë krijimi i rreth 200 mijë vendeve të reja të punës të premtuara nga krerët e partive politike janë të paarritshme në një ekonomi çfarë ka Kosova.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG