Ndërlidhjet

Morina: Kosova ka ujë, por nuk menaxhohet


Liqeni i Batllavës
Liqeni i Batllavës

"Një vend ku më shume se 50% e mbeturinave hedhen çdo kund. Shumicën e rasteve në lugina dhe përreth lumenjve dhe në lumenj. Të gjitha këto ujëra jo vetëm që janë të ndikuara, por janë të kontaminuara në një masë ku patjetër duhet trajtim i veçantë", thotë Ilir Morina, kryeshef i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Morina kur s’ka reshje, reduktimet me furnizim me ujë edhe mund të jenë të kuptueshme, por kohët e fundit reshje ka pasur mjaft, dhe niveli i liqeneve është rritur, ndërkohë që reduktimet po vazhdojnë. Ka ndonjë shpjegim për këto reduktime të vazhdueshme?

IILIR MORINA
Edhe pas reshjeve të mëdha dhe pas mbushjeve të liqeneve artificial, kur akumulohet uji për t’u përdorur më pas për pije problematika në Kosovë është mungesa e kapaciteteve për ta trajtuar ujin e pijes për gjithë popullatën, sidomos pas rritjes së popullatës në kryeqytet, si dhe humbjet e mëdha dhe lidhjet ilegale nëpër gypat kryesor deri në banesat tona.

Deri para dy viteve Prishtina është ballafaquar me humbje deri në 52 për qind e ujit që është përpunuar, derisa tash ka humbje më të vogla për shkak se janë marrë masa nga kompania lidhur me investimet dhe kyçjet ilegale. Rrjeti i vjetër në secilin qytet të Kosovës që llogaritet mbi 40 vjet i përbërë prej gypave të azbestit, janë shkaktarët kryesor për humbjen e ujit.
RADIO EVROPA E LIRË
Sa është investuar realisht në infrastrukturën që mundëson furnizimin me ujë të pijshëm?

IILIR MORINA
Investimet kanë qenë të mëdha, qeveri pas qeverie, por edhe nga donatorët e mëdhenj, si Banka Gjermane, KFV, institucionet tjera gjermane si GIZI, kemi donacione të shumta të qeverive si Zvicrës , Finlandës, Çekisë etj., që pavarësisht planeve kanë bërë projekte me komuna të veçanta. Gjitha komunat në bashkëpunim me popullatën në shumicën e fshatrave kanë siguruar ujë me përqindje 50-50 në bashkëpunim me popullatën. Nga 48 për qind sa kemi shifra të vitit 1999, që popullata ka qenë e kyçur në rrjetin e ujësjellësit publik, sot kemi mbi 72 për qind që furnizohen me ujë.

Janë duke u bërë shumë projekte si ai i Prishtinës me miliona euro, e që ka gjasë që kalon 25 milionë euro. Nëse flasim për fabrikat e përpunimit të ujit është investuar në Mitrovicë, Vushtrri, Prishtinë është duke u investuar, në Prizren, Pejë dhe në qytetet tjera më pak. Shumica e investimeve kanë shkuar në distribuimin e ujit, për furnizim me ujë nëpër fshatra, sepse fshatrat kanë qenë shumë pak të përfshira në ujë të pijes.

Kurse sot kjo 72 për qind e popullatës që ka qasje në ujë të pijes është me e sigurt sepse uji trajtohet në mënyrë institucionale, ku monitorohet nga Instituti Kombëtar, kurse Agjencia e Mjedisit, përmes Institutit hidrometeorologjik bën monitorimin e ujit sipërfaqësor dhe pak edhe ata nëntokësor edhe pse nuk kemi sistem për monitorim të ujërave nëntokësore.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Morina, ekspertë të shumtë thonë se reduktimet janë si pasojë e keq-menaxhimit, sepse Kosova ka ujëra nëntokësore. Atëherë sa janë të vërteta këto dhe sa Kosova ka në fakt ujëra nëntokësore të pashfrytëzuara?

IILIR MORINA
Mund të them që është arsyetim i gabuar i çdo menaxhmenti sot për t’u ruajtur uji për shkak se nuk ka ujë. Uji me doemos duhet të ruhet, edhe në vendet që janë më të pasura me ujë, nuk duhet të keqpërdoret, mirëpo që Kosova ka ujë, nuk diskutohet. Ka ujë të mjaftueshëm për popullatën e saj dhe të gjitha dikasteret, për pije për industrinë ushqimore, për furra, për bujqësi, në qoftë se organizohet në mënyrë të duhur.

Por ne nuk dimë sa kemi ujëra nëntokësore, sepse nuk ka pasur hulumtime të sakta. Prej vitit 2006 Agjencia e Mjedisit insiston të marrë mjete dhe të bëjë këtë verifikim për shkak se është shumë i rëndësishëm për të ardhmen, dhe të mos i lerë menaxherët të ankohen në atë se nuk ka ujë dhe për atë kemi edhe reduktime.

Furnizimi do të ishte shumë më i mirë nëse do të kishim menaxherë më të mirë. Janë investuar si donacione në fushën e ujit miliarda euro, dhe nuk janë implementuar si duhet. Faji shkon direkt tek menaxherët, e që sipas meje do të kishin mund të bënin më shumë.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të mund të shfrytëzohej uji nëntokësor për pije, dhe si janë mundësit për ta realizuar këtë?

IILIR MORINA
Shumica e shteteve bazohen në ujërat nëntokësore të tyre sepse janë më të pastër, më të freskët, më të sigurt dhe ruhen më lehtë. Ujërat sipërfaqësor ku bazohet Kosova, si liqenit të Batllavës, Badovcit etj, janë ujëra nën ndikim të jashtëm e që ndodh hedhja e mbeturinave e që kanë shkaktuar jo vetëm ngordhjen e gjallesave por edhe ndalesën e ujit për ta përpunuar.

Ujërat nëntokësore do donin më pak trajtim. Projekti i ri i Prishtinës bazohet në ujërat nëntokësore, projekti në Shkabaj e që parashihet të përfundoj në vitin 2016, dhe të fillojë furnizimi i plotë i qytetit të Prishtinës me rrethinë, në mënyrë që të kemi 24 orë ujë, jo vetëm si sasi, po edhe si cilësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Reduktimet, reshjet, mbeturinat, kanë nxiur një debat mbi cilësinë e uji te pijshëm. Sipas jush, a ka vend për shqetësim?

ILIR MORINA
Të gjitha të dhënat e ndotjes që i ka Agjencioni i Mjedisit, në shumicën e qyteteve të Kosovës ka tejkalime të normës së pluhurit. Gjithashtu shpesh ka edhe tejkalime të disa gazrave. Nuk ka ujë të pastër e cilësor nëse ajri është i ndotur. Nuk ka as toka të pastra nëse ajri është i ndotur. D.m.th. nga ndikimi i ajrit ndikohen edhe ujërat sipërfaqësor. Shumica e popullsisë së Kosovës furnizohet me ujëra sipërfaqësor. Gjithashtu me kontaminim të tokave nga ajri, kontaminohen edhe ujërat nëntokësore, jo vetëm sipërfaqësore. Kjo ishte pika e parë.

Pika e dytë: Një vend ku më shume se 50% e mbeturinave hedhen çdo kund. Shumicën e rasteve në lugina dhe përreth lumenjve dhe në lumenj. Të gjitha këto ujëra jo vetëm që janë të ndikuara, por janë të kontaminuara në një masë ku patjetër duhet trajtim i veçantë.

RADIO EVROPA E LIRË
Është uji i pijshëm apo jo?

ILIR MORINA

Uji i Kosovës, pas një trajtimi të mundimshëm, edhe ai trajtim bën që sasia të mos jetë e mjaftueshme, është i pijshëm në bazë të parametrave, mirëpo nuk është i mjaftueshëm në sasi.

Kjo bën që çdo ndërprerje e ujit, gypat të mbesin të zbrazët, dhe aty futet ajri së bashku me bakteret, dhe çdo lëshim i ujit pas reduktimeve, dhe të gjithë e dinë që uji që nuk ecë është i ndotur.

Ne mund të themi që uji është në kontroll, është i pijshëm, mirëpo është në reduktime strikte, nën menaxhment jo të duhur, duhet të bëhet shumë më shumë në mënyrë që të kemi furnizim më të rregullt dhe cilësi më të madhe.
XS
SM
MD
LG