Ndërlidhjet

Aderimi i disa biznesmenëve në parti të ndryshme politike, apo kalimi i tyre nga një parti në parti tjetër, është shpeshtuar në prag të zgjedhjeve të tetë qershorit.

Afaristët e aderuar në politikë po deklarojnë se programet e partive të caktuara, janë arsye e futjes se tyre në politikë, në mënyrë që të kontribuojnë në proceset ekonomike në vend.

Por, ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se përfitimet e tyre personale, fuqizimi i bizneseve, konkretisht arritja me lehtë te tenderët, janë arsyet e akomodimeve të tyre në subjekte politike.

Profesori Musa Limani, thotë se qëllimi kryesor i tyre është se përmes posteve që eventualisht mund të marrin për mes partive politike, të mbështesin kompanitë e tyre.

Praktikat e deritashme, thotë ai, kanë treguar se kompanitë me afarizëm pozitiv, kanë qenë gjithnjë të mbështetura me partinë në pushtet por edhe më institucionet qendrore.

Sepse, thotë ai, afaristët e interesuar mund të ndihmojnë në proceset ekonomike edhe pa qenë anëtar të ndonjë partie politike.

“Aderimi apo kalimi nga një partie në parti tjetër është thjesht një komercializim i personave përkatës të cilët vrapojnë pas vendeve udhëheqëse në institucione shtetërore, lokale dhe të tjera. Jo më qëllim të ndihmojnë zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe social. Por përkundrazi të përfitojnë për interesa të tyre personale, grupore dhe farefisnore, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën”, thotë Limani për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, sipas organizatave joqeveritare, në disa raste, kompani të ndryshme private kanë financuar ndonjë projekt të partive politike, konkretisht bëhet financimi i fushatave zgjedhore, dhe më pas, në rast të marrjes se pushtetit, në shenje “falënderimi", institucionet publike i japin tender operatorëve në fusha të ndryshme.

Edhe profesori Musa Limani, thotë se më “strehimin” e biznesmenëve në politikë përfitimet do të jenë të dyanshme:

“Për arsye se tashmë askush nuk të ndihmon në qoftëse nuk e ka interesin e vetë. Prandaj edhe lidershipi ka interes, i mbështet këta biznesmenë të fortë dhe nëpërmes tyre, në mënyrë tërthortë ose indirekte ata vijnë deri te një përfitim dhe rrisin kapitalin e tyre në baza jo reale, jo të shëndosha. Këtu është fitimi i dyanshëm”, shprehet Limani.

Në anën tjetër, profesori i Ekonomisë, Mejdi Bektashi, thotë se në gjithë botën komuniteti i biznesit merr pjesë aktive në jetën politike, në radhë të parë për zhvillimin e ekonomisë, por edhe për të mbrojtur bizneset e tyre.

Por, duke pas parasysh praktikat e deritashme, Bektashi thotë se qeveria e re e Kosovës, duhet të jetë shumë efikase në zbatimin e ligjeve, në mënyrë që të pengohet krijimi i monopoleve nga ndërmarrësit e aderuar në politikë.

“Në të ardhmen edhe në Kosovë duhet të zbatohen ligjet, në radhë të parë ligji i konkurrencës që është shumë decidiv, ku nuk lejohet pushtimi i tregjeve, krijimi i monopoleve. Por, në anën tjetër qeveria e ardhshme duhet të zbatojë edhe më masa më të rrepta ligjin për mbrojtjen e konsumatorit. Në këtë rast unë e shoh shumë pozitive por në anën tjetër zbatimi i ligjeve duhet të jetë shumë më efikas në të ardhmen, se për ndryshe do të kemi pengesa në zhvillimin ekonomik”, thekson Bektashi për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, në prag të fushatës parazgjedhore, partitë politike po bëjnë “ luftë” se cila më shumë të futë në subjektin e vetë afaristë të kompanive të mëdha vendore.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG