Ndërlidhjet

Rritja e ekonomisë së Maqedonisë gjatë këtij viti do të sillet në rreth 3.7 për qind ndërsa vitin e ardhshëm deri në 4.4 për qind, me një inflacion që nuk do të jetë më i lartë se 1 për qind.

Parashikimet e këtilla që janë dhënë nga Banka Popullore kanë hasur në reagime të ndryshme në mesin e ekspertëve të ekonomisë, të cilët i vlerësojnë si jo reale për gjendjen ekonomike në të cilën aktualisht ndodhet vendi.

Guvernatori i Bankës Popullore, Dimitar Bogov ka thënë se bartës së rritjes së Bruto Prodhimit Vendor, do të jenë eksporti dhe kërkesat e tregut të brendshëm.

“Parashikimet e tilla mbështeten në kapacitetet ekzistuese të vendit, por edhe në efektet pozitive nga investimet direkte nga jashtë. Gjithashtu edhe sektori publik vazhdon të ketë ndikim në hartimin e politikave ekonomike ndërsa kemi përforcim edhe të fuqisë punëtore. Do të vazhdojë edhe mbështetja kreditore për një tempo solide të forcimit të ekonomisë tonë”, ka deklaruar guvernatori Bogov.

Por, njohësit e çështjeve ekonomike thonë se parashikimet e tilla janë joreale, ndërsa nuk përjashtojnë mundësinë që ato të jenë në funksion të politikës ditore.

“Mendoj se nuk janë reale sepse vitin e fundit nuk ka ndodhur asgjë e veçantë në ekonominë e Maqedonisë që të mund të reflektohet në rritjen kaq të madhe të projektuar nga Banka Popullore. Unë jam shumë i zhgënjyer sepse Banka duhet të jetë institucion i pavarur dhe jo të jetë në shërbim të politikës”.

Me parashikimin e fundit për rritjen ekonomike prej 3.7 për qind për mendimin tim është bërë gabim nga ana e këtij institucioni sepse Maqedoni krejtësisht është e varur nga ekonomitë e rajonit dhe të Evropës, të cilat edhe për një kohë nuk do të dalin nga kriza, kështu që ne edhe këtë vit nuk do të kemi rritje, por do të ishte mirë nëse të paktën e ruajmë bilancin zero pozitiv”, thotë Visar Ademi, njohës i çështjeve ekonomike dhe ligjërues universitar.

Ish guvernatori i Bankës Popullore, Petar Goshev thotë për Radion Evropën e Lirë se rritje ekonomike mund të ketë, por sipas tij, me rëndësi është nëse këtë do ta ndiejnë qytetarët e Maqedonisë, apo vetëm se një kategori e caktuar që udhëheq me shtetin.

“Mund të realizohet kjo rritje prej 3 për qind, mund të shkoj edhe deri në 4 për qind. Por, çështja kryesore këtu është se ku shkon kjo rritje, kush e ndjen atë. Nëse kjo rritje shkon vetëm se tek familjet e pushtetit, e gjithë kjo është e pavlerë pasi qytetarët e thjesht nuk shohin asgjë nga e gjithë kjo”, thotë Petar Goeshev.

Ai vlerëson se sistemin e tanishëm ekonomiko-politik që po e ndërton pushteti aktual ka gjasa që të dezintegroj Maqedoninë për shkak të mbylljes së tij apo kontrollit sistematik nga një qendër e vetme që vepron në kabinetin e kryeministrit.

Goshev thotë se kemi të bëjmë me masa populiste, me demagogji se gjoja kemi tatime më të ulëta në Evropë ndërsa në anën tjetër aplikohen masa që vazhdojnë të dëmtojnë qytetarin e rëndomtë.

Pushteti gjithashtu sipas ekspertëve thirret në uljen e papunësinë, por pretendimet nuk janë reale meqë të papunët fshihen nga regjistri i enteve të punësimit jo se janë punësuar por se janë gjetur lëshime qoftë edhe banale për largimin e tyre nga evidenca e të papunëve.

Ekspertët nuk lënë pa përmendur edhe borxhin e lartë dhe politikat e qeverisë për marrje të vazhdueshme të huas nga jashtë duke e bërë Maqedoninë vendimin me një borxh prej 2 miliardë e 575 milion euro, në përfundim të vitit 2013.
XS
SM
MD
LG