Ndërlidhjet

Në lindje të Ukrainës, tortura është armë e re

  • RFE /RL

Kur ka grisur poshtë një flamur separatist nga një ndërtesë qeveritare në Novohradovka, Oleksandr Hurov e ka ditur se do të jetë në telashe. Hakmarrja ka qenë e shpejtë dhe e pamëshirshme.

Dy javë më vonë, minatori 36-vjeçar qëndron i shtrirë në një spital të Kievit me nofullën e copëtuar, hundën e thyer dhe brinj të plasaritur.

“Më kanë rrahur pa pushim. Kam qenë i shtrirë në tokë, më kanë shqelmuar dhe më kanë goditur në kokë më armë. Kam humbur vetëdijen kohë pas kohe dhe ishte mirë pasi nuk ndjeja dhimbje”, rrëfen Hurov për Radion Evropa e Lirë.

Hurov thotë se sulmuesit e kanë quajtur “tradhtar” dhe kanë bërë përpjekje t’ia heqin një tatuazh nacionalist në krahun e tij, duke përdorur një thikë të dhëmbëzuar dhe një llambë të thyer drite.

Historia e frikshme e Hurovit është gjithnjë e më e njohur në lindje të Ukrainës, ku separatistët pro-rusë akuzohen për rrëmbime dhe torturë, derisa bëjnë përpjekje të konsolidojnë kontrollin e tyre në rajon.

Ata kanë pranuar se kanë marrë pengje, që kanë përfshirë zyrtarë lokalë, aktivistë pro-ukrainas, gazetarë, vëzhgues të huaj, punëtorë të ndihmës dhe në përgjithësi ata që kanë kritikiar “republikat popullore”, të vetëshpallura muajin e kaluar në Donjeck dhe Luhansk.

Derisa lëvizja separatiste bëhet gjithnjë e më e organizuar, rrëmbimet duket se kanë marrë natyrë sistematike.

“Unë nuk do t’i quaja këto incidente të izoluara”, thotë Anna Neistat, nga organizata Human Rights Watch, e cila së fundmi ka qenë në Donjeck, për të hetuar kidnapimet.

Neistat thotë se viktimat që ka intervistuar kanë vuajtur nga akte “të tmerrshme” të dhunës dhe mizorisë, që në shumë raste kanë çuar në plagë serioze.

Human Rights Watch vlerëson se disa dhjetëra njerëz janë duke u mbajtur peng nga rebelët.

Anton, një ish-militant separatist, ka vërtetuar shifrat në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Njëzetepesëvjeçari, i cili ka dhënë vetëm emrin e tij nga frika e hakmarrjes, ka thënë se ka dezertuar nga kryengritja pasi ka parë pengje pro-ukrainase të gjakosura keq.

“Ata rrihen dhe pastaj ‘disiplinohen’. Iu ndalohet të përdorin fjalën ‘Ukrainë’, të flasin gjuhën ukrainase, u thuhet se kjo tani është Rusi. Pengjet rrihen dhe torturohen”, thotë Anton.

Jo të gjithë, megjithatë, i kanë shpëtuar përvojës së hidhur. Muajin e kaluar, trupat e dy burrave janë gjetur në një lumë në qytetin Slloviansk, në lindje të Ukrainës, me shenja të torturës.

Njëri nga ta është identifikuar si Volodymyr Rybak, një zyrtar lokal, i cili është sulmuar nga turma pro-ruse pasi ka hedhur poshtë një flamur separatist.

Disa të rrëmbyer figurojnë si të zhdukur për javë të tëra dhe ka frikë se mund të jenë të vdekur.

Simon Ostrovsky, një gazetar amerikan i rrëmbyer nga separatistët në Slloviansk për tre ditë, ka thënë se ka parë dhjetëra të rrëmbyer të tjerë në bodrumin e shërbimit të sigurisë, i cili kontrollohet nga rebelët.

Ostrovsky ka thënë se disa nga ta janë mbajtur atje për dy javë.

Si shumica e pengjeve, Hurov thotë se është rrëmbyer në mes të ditës nga një grup i personave të armatosur rëndë dhe të maskuar.

Ai është marrë së bashku me pesë aktivistë të tjerë pro-ukrainas, të cilët janë mbledhur për të diskutuar mënyrat se si t’i dëbojnë separatistët nga qyteti i tyre, Novohradovka.

Ai insiston se grupi i tij ka qenë paqësor dhe ka qenë i fokusuar kryesisht në heqjen e flamujve separatistë nga ndërtesat.

Aktivistët janë futur në një autobus të vogël dhe janë dërguar në selinë e këshillit rajonal në Donjeck, një ndërtesë 11-katëshe e cila tani shërben si seli e Republikës Popullore të Donjeckut.

Ndërtesa është e rrethuar me barrikada dhe tela gjemborë. Marrja në pyetje dhe rrahja e aktivistëve pro-ukrainas thuhet se bëhet në katin e pestë dhe të gjashtë.
Hurov thotë se rrëmbyesit e kanë dërguar në katin e pestë.

“Më kanë futur në një zyrë. Nga dhoma ngjitur mund të dëgjoja shokët e mi duke bërtitur”, tregon ai.

Atje, Hurov thotë se është rrahur në mënyrë të vazhdueshme, është abuzuar, është kërcënuar me vdekje dhe është injektuar me një substancë që e ka lënë të çorientuar.

Ai është liruar të nesërmen, gjoja në këmbim të separatistëve të kapur. Pesë aktivistët e tjerë janë liruar po ashtu, që të gjithë me plagë të rënda.

Sipas Antonit, ish-separatist, burrat që punojnë në katin e pestë dhe të gjashtë vijnë nga pjesa lindore e Ukrainës. Ai po ashtu konfirmon thashethemet se luftëtarët kanë ardhur nga Rusia për të mbështetur separatistët dhe se ata përfshijnë njësi të kozakëve.

Që nga dezertimi, Anton jeton me frikën se ish-shokët e tij nuk do ta falin. Hurov po ashtu frikësohet për jetën e tij, të gruas dhe të fëmijës, me të cilët tani ndodhet në Kiev.

Ai nuk planifikon të kthehet në lindje të Ukrainës, ku, siç thotë, Republika Popullore e Donjeckut e ka dënuar me vdekje.

I pyetur për planet e tij për të ardhmen, Hurov shprehet i humbur, por, megjithatë, janë dy gjëra që do t’i bëjë posa të dalë nga spitali.

E para është të vazhdojë luftën për një Ukrainë të bashkuar dhe e dyta është të rregullojë tatuazhin në krah.(v.tela)
XS
SM
MD
LG