Ndërlidhjet

A mund të ketë spiunë rusë në sektorin e teknologjisë në SHBA?!


Ilustrim
Ilustrim
Në kohën kur Shtetet e Bashkuara bënin politikë për rivendosjen e marrëdhënieve me Rusinë, sektori i teknologjisë së lartë është shfaqur si mundësi e shkëlqyer për bashkëpunimin tregtar dhe shkencor.

Por, shuma e madhe e parave ruse që është derdhur në SHBA, vitet e fundit, ka bërë që autoritetet federale të alarmojnë për spiunazh të mundshëm përmes firmave ruse që financojnë operacionet e tyre.

Dega në Boston e FBI-së ka lëshuar këtë paralajmërimi për firmat e teknologjisë amerikane me fonde ruse dhe për Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, partner i iniciativës ruse Skolkovo, e cila është lansuar në vitin 2010 për të krijuar një version rus të Luginës së Silikonit.

Lucia Ziobro, asistente e agjentit special në Zyrën e FBI-së në Boston, i ka cilësuar si shqetësuese marrëdhëniet e Skolkovos me prodhuesin rus të kamionëve, KamAZ, i cili furnizon automjetet e blinduara të ushtrisë ruse.

Investitorët e mbështetur nga Qeveria ruse në Shtetet e Bashkuara i kanë hedhur poshtë paralajmërimet e FBI-së si të pabaza.

Ziobro ka thënë se diskutimet në zyrën e saj janë pjesë e një programi më të gjerë në terren, për të informuar sektorin e teknologjusë për rreziqet e mundshme të të punuarit me investitorë të huaj.

Në një editorial të botuar në “Bostin Business Journal” muajin e kaluar, Ziobro u ka bërë thirrje kompanive amerikane që të jenë vigjilente kur vendosin partneritete me investitorët rusë, duke përmendur në mënyrë të veçantë Fondacionin Skolkovo, i cili mbikëqyr zhvillimin e qendrës teknologjike, që aktualisht është në ndërtim e sipër jashtë Moskës.

Fondacioni mund të jetë mjet i Qeverisë ruse për të hyrë në kërkimet tona të ndjeshme dhe të klasifikuara, teknologjitë e zhvilluara dhe teknologjitë me përdorim të dyfishtë, me aplikacione ushtarake dhe komerciale, ka shkruar Ziobro në editorial.

Përveç Skolkovos, Ziobro nuk ka përmendur ndonjë subjekt tjetër rus. Por, dy kompani të financuara nga Qeveria ruse janë të pranishme në Masaçusets, vendin e teknologjisë në zhvillim dhe industrive bioteknike.

Në vitin 2011, kompania Rusnano, që fokusohet në nanoteknologji, ka investuar 50 milionë dollarë në firmat nanomedicinale në Boston, BIND Biosciences dhe Selecta Biosciences.

Në të njëjtin vit, ajo ka investuar 35 milionë dollarë në kompaninë e lëndëve djegëse në Boston, Joule Unlimited.

BIND ka refuzuar të komentojë paralajmërimet e FBI-së, ndërsa Selecta dhe Joule nuk u janë përgjigjur pyetjeve.

Rusnano aktualisht ka të investuara 1.2 miliard dollarë në kompanitë amerikane, përfshirë firma bioteknike, emergjetike dhe elektronike, i ka thënë Radios Evropa e Lirë Evgeny Druzyaka, zëvendëspresidente e Rusnanos në SHBA.

Druzyaka ka refuzuar të komentojë deklaratat e FBI-së. Por, Dmitry Akhanov, shef ekzekutiv i Rusnanos në SHBA, i ka thënë gazetës “The Boston Globe” se editoriali i Ziobros ka qenë “një shaka imagjinare e prillit”.

Bostoni është po ashtu vend i selisë së Kompanisë së Ndërmarrjeve Ruse, e cila ka rreth 65 milionë dollarë të investuara në firmat amerikane, thotë shefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Axel Tillmann.

“Ne i ndihmojmë bashkëpunimit dypalësh në nivel biznesor dhe ky është misioni ynë kryesor”, ka thënë Tillmann.

Fondacioni Skolkovo ka refuzuar po ashtu të komentojë sugjerimet e Zyrës së FBI-së në Boston se iniciativa e teknologjisë së lartë paraqet kërcënim potencial për spiunazh për partnerët amerikanë.(v. tela)
XS
SM
MD
LG