Ndërlidhjet

logo-print

Rasmussen: Evropa në situatë të rrezikshme

  • RFE /RL

Anders Fogh Rasmussen

Anders Fogh Rasmussen

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen ka thënë gjatë një konference të mbajtur të hënën në Bruksel se agresioni i Rusisë në Ukrainë ka sfiduar idenë fundamentale që është e drejta e shteteve sovrane për të zgjedhur rrugën e tyre.

Ai ka shtuar se Evropa po përballet me një situatë krejtësisht të re të sigurisë, më pak të parashikueshme e më të rrezikshme.

Për fat të keq sipas tij, nuk po vërehet asnjë tërheqje e trupave ruse nga kufiri me Ukrainën.

Rasmussen ka bërë thirrje që të rriten shpenzimet e shteteve për aspektin e mbrojtjes, duke shtuar se “siguria jonë është baza e prosperitetit tonë”.

Rasmussen ka folur në selinë e NATO-s pak pasi që Rusia ka njoftuar se presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar trupat ushtarake që kanë qenë të vendosura në afërsi të kufirit me lindjen e Ukrainës, që të tërhiqen tashmë kur i kanë përfunduar stërvitjet ushtarake.

Sipas një deklarate të lëshuar, Kremlini ka thënë se trupat që kanë marrë pjesë në stërvitjet në Rostov, Belgorad dhe Bryansk, janë urdhëruar që të kthehen në kazermat e tyre.

Kremlini ka njoftuar se presidenti rus Vladimir Putin, në mënyrë specifike e ka urdhëruar ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu, që t'i tërheqë trupat nga këto tri rajone.

Një deklaratë të ngjashme Putin e ka dhënë edhe dy javë më parë përmes së cilës ka njoftuar se forcat ruse po tërhiqen nga kufiri me Ukrainën.

Deklarata e lëshuar të hënën nga Kremlini nuk ka saktësuar se kur do të tërhiqen trupat ruse

NATO vlerëson se Rusia i ka afro 40 mijë trupa në kufi me Ukrainën.

Në të njëjtën kohë, Rusia i ka kërkuar Ukrainës që ta përfundoj aksionin në lindje të Ukrainës dhe ta tërheqë edhe Ukraina ushtrinë nga atje.

Një zëdhënës i Kremlinit ka thënë sot se për këtë çështje, presidenti rus Vladimir Putin do të diskutoj edhe me Shefin e OKB-së Ban Ki-moon, më 20 maj në Kinë.

Ndërkohë, ministri i jashtëm ruse Sergei Lavrov ka thënë sot se marrëdhëniet e Rusisë në njërën anë dhe ato të Bashkimit Evropian e NATO-s në anën tjetër, “kërkojnë një rishqyrtim serioz” për shkak të krizës në Ukrainë.

Lavrov i ka bërë thirrje Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian që të ndihmojë në lirimin e dy gazetarëve rusë të cilët janë ndaluar nga autoritetet ukrainase në Ukrainën lindore.

Të dy gazetarët janë arrestuar pas një përleshje në Kramatorsk. (s.bajrami)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG