Ndërlidhjet

Përmbytje të mëdha në Serbi dhe Bosnje


Në territorin e Serbisë, nga zonat e rrezikuara, deri më tash janë evakuuar 25 mijë e 70 persona, prej të cilëve 7 mijë e 800 janë vetëm nga zona e Obrenovcit, ku situata është më e rëndë, ka raportuar Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Obrenovci, siç raportohet, tashmë është qytet i bllokuar, në të cilin nuk mund të hyhet, por vetëm të dilet.

Aty kanë mbetur rreth 2 mijë qytetarë, të cilët gjithashtu po evakuohen për shkak të rehabilitimit të terrenit, gjegjësisht për shkak të largimit të kafshëve të ngordhura gjatë përmbytjes që zgjati disa ditë.

Disa banorë të Obrenovcit rrëfejnë se si kishin shpëtuar nga përmbutja, por edhe për dëmet që ka shkaktuar në pasurinë e tyre.

“Çfarë t’ju them. Gjithçka ka shkuar në pa kthim. Dokumentet e mija”, tha një banore e Obrenovcit.

Një tjetër bashkëqytetare e saj, thotë se kanë shpëtuar në momentin e fundit nga uji që kishte përmbysur gjithçka.

“Në momentin e fundit ka ardhur një shpëtues, nga Beogradi apo Obrenovci, nuk e di. Më pas ekipi ka ardhur me një barkë. I kanë marrë fëmijët, nga 7 apo 10 prej tyre. Ka qenë diçka e pabesueshme. Thjeshtë, ka qenë luftë për mbijetesë, sikur në filmat e ankthit. Po me thonë se shtëpinë time e ka bartur uji. Me të kanë shkuar edhe dokumentet, të gjitha, të shkollimit dhe gjithçka. Por e rëndësishme është që shpëtuam kokat”, shpjegon qytetarja nga Obrenovci.

Rrëfim të ngjashëm ka edhe një bashkëqytetar i tyre.

“Nuk kemi mundur të dalim nga dyert kryesore, por nga kati ku banonim jemi lëshuar në barkë. Helikopteri kishte ardhur dhe më pas një nga një na lëshoi në barkë. Ka qenë tmerr. Ai që nuk ka parë diçka të tillë, nuk mund ta përshkruaj”, tha banori i Obrenovcit.

Situatën si të tmerrshme e kanë përshkuar shumica e atyre që ishin evakuuar, siç kanë thënë ata pothuajse në momentin fundit.

Gjithashtu është kërkuar edhe evakuimi urgjent nga Shabaci, për shkak të problemeve në muret afër pellgut të lumit Sava, të cilat rrezikojnë të shpërthehen.

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiq u ka bërë thirrje qytetarëve që ta mbrojnë Shabacin nga përmbytja.

Situata në rajonin e Termocentralit Kostollac B është nën kontroll, ndërkohë që niveli i ujit në lumin Mlav është duke rënë, kanë njoftuar zyrtarët e Policisë serbe.

Me situatë më e rëndë, sipas njoftimeve nga Ministria e Punëve të brendshme të Serbisë, përveç Obrenovcit, janë përballuar edhe Krupnji, Raça e Sremit dhe Jameni.

Në anën tjetër, kryetari i Beogradit, Sinisha Mali, ka theksuar se kryeqyteti serb është i gatshëm që të përballojë valën eventuale përmbytëse në Savë, e cila pritet të arrijë ditën e hënë.

Megjithatë, në Serbi, kanë filluar operacionet për pastrimin e disa zonave pas përmbytjeve masive të ditëve të fundit.

Ndihmat humanitare për personat dhe zonat e goditura nga përmbytjet, po arrijnë nga vende të ndryshme, nga Kombet e bashkuara, por edhe nga vet qytetarët e Serbisë, të cilët kanë organizuar ndihma të tilla.

Në përcjellje të një konvoj me ndihma ka qenë i pranishëm sot edhe kryetari i Serbisë Tomisllav Nikolliq. Ai ka thënë se situata që kanë shkaktuar përmbytjet, tashmë po qetësohet.

“Mendoj se situata që na ka ndodhur me këtë kataklizmi natyrore, dalë nga dalë po qetësohet. Jam i bindur që Qeveria e Serbisë e ka kryer punën e saj në mënyrën më të mirë të mundshme. Tash ka ardhur koha që t’i ri-ngrehim të gjithë njerëzit, secilën familje veç e veç the ti rikthejmë në gjendjen që kanë qenë më parë dhe të provojmë që të bëjmë që të duket sikurse nuk i ka ngjarë asgjë Serbisë. Për këtë do të duhet shumë mund dhe përpjekje”, ka thënë Nikoliq.

Sidoqoftë, niveli i ujit është ende në rritje në Beograd të Serbisë dhe në perëndim të Serbisë, në drejtim të kufirit me Bosnjën.

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se 44 persona kanë vdekur deri më tani dhe atë 16 në Serbi, 27 në Bosnje dhe 1 në Kroaci.

Në Bosnje, ku një e treta e vendit është përfshirë nga përmbytjet, në rreth 300 vende ka pasur rrëshqitje të dheut dhe atë kryesisht në verilindje.

Nivelet e lumenjve Sava dhe Bosnja në komunën e Oxhakut, në veri të Bosnjës, nuk kanë shënuar rënie. Deri më tash, siç raportohet, janë evakuuar rreth 500 mijë njerëz.

Reporterët e Radios Evropa e Lirë kanë njoftuar se në atë pjesë janë përmbytur disa fshatra.

Shtabi i mbrojtjes së kësaj komune ka kërkuar ndihmë urgjente nga të gjitha institucionet dhe organizatat, për banorët e prekur të kësaj zone.

Gjendja cilësohet të jetë kritike në Bjelinë, Bërçko dhe Orashje. Në këtë të fundit forcat e armatosura të Bosnjë e Hercegovinës, po tentojnë të bllokojnë rrjedhjen e Savës.

Në rast se kjo nuk arrihet, zyrtarët parashikojnë evakuim masiv të njerëzve nga ajo zonë.

Ndryshe, zyrtarët e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës ende nuk kanë të dhëna zyrtare për viktimat nga përmbytjet. Të njëjtit zyrtarë gjithashtu janë të shqetësuar se përmbytjet mund të nxjerrin në pah minat e mbetura nga lufta e viteve 1992-1995.
XS
SM
MD
LG