Ndërlidhjet

Evropa ka humbur aftësinë e të qenët model


Ilustrim
Ilustrim
Në Amerikë, ata kanë Super-të martën. Evropa do të ketë Super-të dielën, kur më 25 maj të përfundojnë zgjedhjet për Parlamentin Evropian, që do të zhvillohen në të 28 anëtaret e BE-së, shkruan gazeta Financial Times.

E njëjta kujton se në atë të diel do të mbahen edhe zgjedhjet presidenciale në Ukrainë, ndërsa një ditë më vonë presidencialet në Egjipt.

Po atë javë, më 29 maj, projekti i presidentit rus, Vladimir Putin – formimi i Unionit Euroaziatik – do të marrë hovin zyrtar me ceremoninë e nënshkrimit midis Rusisë, Bjellorusisë dhe Kazakistanit.

A ka ndonjë lidhje midis këtyre veprimeve demokratike dhe diplomatike? Financial Times thotë se ka, pasi në fund të majit do të dihet më shumë për aftësinë e BE-së për të vepruar si shembull i prosperitetit dhe stabilitetit në rajonet jostabile dhe më të varfra që e rrethojnë atë.

Bashkimi Evropian synon të luajë rol vendimtar në përhapjen e paqes, prosperitetit dhe qeverisjes së mirë. Suksesi i tij më i madh në këtë rol ka qenë me zgjerimin e vitit 2004, kur unioni nga 15 anëtarë, ka shkuar në 25 anëtarë, duke gëlltitur shumicën e vendeve të ish-bllokut sovjetik.

Këto vende, kujton gazeta, kanë pranuar një program rigoroz të reformave ekonomike dhe politike dhe ky ishte një demonstrim triumfues i fuqisë së idealit evropian.

Në atë kohë, dukej krejtësisht e mundur se zgjerimi do të vazhdojë të jetë një forcë e fuqishme për të ardhmen, pasi BE-ja do të përhapej në Ballkan, Turqi, Ukrainë e ndoshta edhe në Afrikën e Veriut dhe në Rusi.

Edhe pse anëtarësimi në BE mbetet perspektivë e largët për disa nga këto vende, evropianët shpresojnë të formësojnë lagjen e tyre duke ofruar qasje në treg, ndihmë dhe asistencë teknike, në këmbim të reformave politike dhe ekonomike. Kjo tingëllon si një tregti bindëse, shkruan Financial Times.

Por, për fat të keq, Super- e diela e Evropës ka gjasa të demonstrojë se sa larg vizionit të saj idealist gjendet tani.

Në zgjedhjet evropiane, partitë e ekstremit të djathtë dhe të ekstremit të majtë pritet të fitojnë deri në 30 për qind të ulëseve. Ato nuk do të jenë në gjendje të kontrollojnë agjendën politike të BE-së. Por, fitoret e tyre do të panikosin qeveritë kombëtare dhe do të dërgojnë mesazh negativ në botën e jashtme.

Shumë parti ekstremiste në Evropë, veçanërisht Fronti Kombëtar në Francë dhe Die Linke në Gjermani, admirojnë hapur Putinin. Ekstremet e djathta pëlqejnë presidentin rus sepse ai është nacionalist dhe konservator që përçmon BE-në. Ndërsa, ekstremet e majta e duan pasi u qepohet amerikanëve.

Një prani e madhe e ekstremeve politike në Parlamentin Evropian do të jetë shumë e mirëseardhur për Kremlinin dhe konfuze për forcat politike liberale në skaje të BE-së, të cilat presin mbështetje nga Brukseli dhe Strasburgu, shkruan Financial Times.

Po sipas gazetës, nuk është rastësi që Ukraina ka zgjedhur të mbajë zgjedhjet e saj presidenciale në të njëjtën ditë me zgjedhjet për Parlamentin e BE-së. Cila mund të jetë mënyra më e mirë për të demonstruar se vendi shikon kah Brukseli dhe jo kah Moska?

Por, e vetëdijshme për armiqësitë e votuesve perëndimorë për zgjerimin e mëtejshëm me lindjen, BE-ja e ka bërë qëllimisht rrugën drejt Brukselit të gjatë dhe me pengesa.

Zgjedhjet presidenciale në Egjipt, një ditë pas zgjedhjeve evropiane, do të rrisin po ashtu atmosferën e zymtë. Fitorja e gjenerali Abdel Fattah al-Sisi, pas grushtshtetit ushtarak dhe rrëzimit të presidentit të zgjedhur në mënyrë demokratike, do ta vërë në siklet Brukselin për shkak të heshtjes së tij.

Financial Times shkruan se koha kur BE-ja ka mundur ta proklamojë veten si model për lagjen e saj dhe botën, është venitur.
Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG