Ndërlidhjet

BE e zhgënjyer për mungesën e reformave, por vëzhgon zgjedhjet


Ilustrim
Ilustrim
Bashkimi Evropian do të dërgojë javën tjetër në Kosovë 90 vëzhgues të cilët do të përcjellin nga afër gjithë procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit.

Përfaqësuesi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar ka thënë se mbarëvajtja e procesit zgjedhor do të jetë e rëndësishme jo vetëm për lidershipin vendas, por edhe për procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Zbogar ka takuar fillimisht presidenten Atifete Jahjaga dhe më pas kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka. Me këtë të fundit ka nënshkruar edhe Memorandumin e Mirëkuptimit në lidhje me vëzhgimin e zgjedhjeve.

Zbarkimi i Misionit Vëzhgues tё Zgjedhjeve nga vendet anëtare të BE-së, sipas Samuel Zbogar tregon edhe njëherë për përkushtimin e Brukselit dhe qëllimet afatgjata tё BE-sё pёr tё përkrahur zgjedhje tё besueshme, transparente dhe gjithёpёrfshirёse nё Kosovё.

Megjithatë, Zbogar nuk e ka fshehur edhe zhgënjimin e tij për faktin se Kosova sërish po shkon në zgjedhje me ligjin e vjetër dhe pa përfunduar reformat.

"Natyrisht që ne jemi të zhgënjyer pasi që Kuvendi nuk arriti të miratojë reformat gjithëpërfshirëse të ligjit zgjedhor edhe pse ne kemi kërkuar që këto reforma të bëhen që nga zgjedhjet e vitit 2010", ka thënë Zbogar. Sipas tij, zgjedhjet e vitit 2010 kishin dëshmuar se nuk ishin të mira dhe se ishin përcjellë me parregullsi, andaj edhe ishin kërkuar këto reforma.

Ai u ka sugjeruar institucioneve që do të dalin nga zgjedhjet e 8 qershorit, që pa vonesa të nisin procesin e reformave gjithëpërfshirëse dhe jo vetëm sipërfaqësore siç ishte mëtuar të zhvilloheshin në fillim të këtij viti.

Përfaqësuesi i BE-së, me këtë rast, nuk ka dashur të komentojë asgjë për faktin që disa parti politike kanë në listat e tyre të kandidatëve për deputetë edhe persona nën hetime.

Ai ka thënë se çdo koment i tij mund të cilësohet si ndërhyrje në procesin zgjedhor, andaj edhe ka preferuar të qëndrojë i përmbajtur nga komentet.

Në anën tjetër, kryetarja e Komisionit Qendror ët Zgjedhjeve, Valdete Daka është shprehur e kënaqur që zgjedhjet do të vëzhgohen nga afër nga Bashkimi Evropian si dhe organizata dhe mekanizma tjerë ndërkombëtarë.

"Pothuajse në mënyrën identike siç ka qenë vëzhgimi në zgjedhjet lokale, pra do t'i kemi përfaqësuesit e BE-së këtu shumë shpejt, dhe se me këtë marrëveshje edhe njëherë është treguar se Bashkimi Evropian, pavarësisht se ka vende anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën, megjithatë janë të gatshme të na ndihmojnë", është shprehur Daka.

Ngjashëm me proceset paraprake, edhe zgjedhjet e 8 qershorit pritet të vëzhgohen edhe nga organizata tjera vendore e ndërkombëtare.

Vëmendja te mbarëvajtja e procesit është shtuar, ngaqë këto zgjedhje janë të parakohshme dhe mbahen në një afat të shpejtë kohor.
XS
SM
MD
LG