Ndërlidhjet

logo-print

EULEX mohon ta ketë tërhequr vendimin

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Zyrtarët e misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, kanë theksuar se ky mision nuk e ka tërhequr vendimin që të pandehurit e “Grupit të Drenicës” të dërgohen në qendrën e paraburgimit në Mitrovicë.

Zyrtari për informim i këtij misioni, Miguel Carvahlo de Faria, ka theksuar se “vendimi për transferim në qendrën e paraburgimit në Mitrovicën e Veriut vlen dhe nesër [e enjte], kurse seanca gjyqësore fillon në 9:30”.

Ushtruesi i detyrës së komisarit të burgjeve në Kosovë, Shemsi Hajrizi, të mërkurën ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se deri sot, e mërkurë, "nuk ka ndonjë raport tjetër zyrtar përveç atij që është publikuar të martën se tre personat e paraburgosur, Sami Lushtaku, Ismet Haxha dhe Sahit Jashari, nuk gjenden në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës".

“Ata janë larguar nga QKUK-ja, sipas raportit zyrtar, nuk janë në mbikëqyrje të oficerëve korrektues dhe për ne janë të arratisur”, ka deklaruar Hajrizi.

Ndërkohë, lidhur me këtë çështje, Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se është formuar grupi i përbashkët punues nga kjo ministri, Shërbimi Korrektues dhe EULEX-i, i cili do të shqyrtojë veprimet e ndërmarra dhe ato të mëtutjeshme.

Të tre, Sami Lushtaku, Ismet Haxha dhe Sahit Jashari, të dyshuar për krime lufte, gjendeshin për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, nën kujdesin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Përfaqësues të këtij Shërbimi kishin njoftuar zyrtarisht se të dyshuarit, ishin arratisur në orët e para të pasdites, të ditës së martë, 20 maj 2014.

Ky veprim i tyre mendohet të ketë qenë rezultat i mospajtimit për t'u transferuar në qendrën e paraburgimit në Mitrovicën e Veriut, duke qenë se procesi gjyqësor mbahet në Gjykatën Themelore në veri të Mitrovicës.

Avokatët mbrojtës dhe pjesëtarë të familjes së zotit Lushtaku, i cili është edhe kryetar komune i Skënderajt, kanë pohuar të martën pasdite se Lushtaku nuk është arratisur.
Sami Lushtaku

Sami Lushtaku

Sipas tyre, ai gjendet në QKU, për të negociuar mundësinë që të mos bëhet transferimi në qendrën e paraburgimi në Mitrovicën e veriut dhe që gjykimi të mbahet në Prishtinë.

I biri i zotit Lushtaku, Mërgim Lushtaku, i kontaktuar me telefon nga Radio Evropa e Lirë, ka ripërsëritur qëndrimin se negociata ka pasur dje, e martë, por edhe sot.

Por, Misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ka mohuar se është duke zhvilluar negociata.

Në një prononcim dhënë Radios Evropa e Lirë, Miguel Carvahlo de Faria, zëdhënës në këtë mision ka thënë se EULEX-i, "si reagues i dytë, po e mbështet Policinë e Kosovës lidhur me situatën e krijuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)".

"Autoritetet e Kosovës janë duke e zbatuar vendimin e gjykatës, ndërsa asnjë prokuror nuk është duke negociuar me të pandehurit. EULEX-i do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha autoritetet e Kosovës në mënyrë që të i vihet fund kësaj situate”, ka thënë zoti Carvahlo.

Ndryshe, të tre të dyshuarit janë pjesë e lëndës së njohur si Grupi i Drenicës, në përbërje të të cilit janë pesëmbëdhjetë persona.

Ndaj tyre, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur më 8 nëntor të vitit të kaluar aktakuzë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, nën dyshimet se kanë “kryer krime lufte kundër popullatës civile, përfshirë tortura, keqtrajtim të të burgosurve, dhe vrasje”, të cilat supozohen të jenë kryer në një qendër paraburgimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Likoc të komunës së Skënderajt, në vitin 1998.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG