Ndërlidhjet

logo-print

Futboll: Kosova e gatshme për përballje me Turqinë


Ndeshja miqësore ndërkombëtare në futboll ndërmjet përfaqësueses së Kosovës dhe asaj të Turqisë, e cila pritet që të zhvillohet të mërkurën, me 21 maj, në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, tash e më shumë se një muaj ka vënë në lëvizje federatën e Futbollit të Kosovës dhe drejtuesit e përfaqësueses së vendit, për t’i bërë përgatitjet e mjaftueshme për këtë takim.

Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i federatës së Futbollit të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se tashmë i kanë përfunduar të gjitha përgatitjet teknike dhe infrastrukturore për zhvillimin e këtij takimi, i cili sipas tij është duke u pritur me interesim të jashtëzakonshëm, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Turqi.

“Përgatitjet teknike janë bërë dhe besojmë e shpresojmë se nesër do të jetë çdo gjë në formën më te mirë, sepse mundësitë janë. Shpresojmë vetëm edhe atë që të jetë koha (moti) e mirë”, thotë Salihu.

Të martën, rreth orës 14: 30, lojtarët e përfaqësueses së Turqisë kanë arritur në Prishtinë.

Seancat stërvitore gjatë ditës së martë, për të dyja përfaqësueset, për atë të Turqisë në stadiumin e Prishtinës dhe për atë të Kosovës në stadiumin e klubit të KEK-ut, janë të fundit para përballjes në takimin në stadiumin në Mitrovicë.

Ndihmës trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemet me mungesën e disa lojtarëve, të cilët kanë qenë në përfaqësuesen e Kosovës në takimin me Haitin, por që aktualisht kanë angazhime në klubet evropiane, janë tejkaluar me zëvendësime adekuate dhe kualitative.

Sipas tij, ekziston një disponim shumë i mirë tek lojtarët dhe pritet një paraqitje e mirë e tyre.

“Kjo është shumë me rëndësi, sepse do ta kemi një kundërshtarë më të fuqishëm. Por, nëse e kemi një kundërshtarë më të fuqishëm, atëherë edhe motivi do të jetë edhe më i madh te futbollistët. Ata dhe ne e njohim kundërshtarin se çfarë është,prandaj e shohim një motiv jashtëzakonisht të madh tek të gjithë futbollistët që të bëjnë një paraqitje të mirë”, thekson Sahiti.

Ndihmës trajneri Sahiti thekson që përfaqësuesja e Turqisë ka përmbajtje më kualitative të lojtarëve dhe siç thotë ai, “është hipokrizi që të mendohet se bazuar në kualitet, përfaqësuesja e Kosovës mund ta mposhtë përfaqësuesen turke”.

Por sipas tij, jo gjithmonë kualiteti i përfaqësueseve definon rezultatin përfundimtar.

“Për ta mposhtur Turqinë, atëherë ne duhet ta bëjmë ndeshjen e vitit dhe të gjithë lojtarëve t’ua nxjerrim maksimumin. Ndërsa, tek Turqia mund të jetë, siç thuhet, një ditë jo e mirë. Por, ne do të bazohemi kryesisht në lojën tonë, atë lojë që futbolli na ka bërë ta dimë se është i paparashikuar. Prandaj, pse të mos jemi optimist”, shprehet Sahiti.

Në anën tjetër, me kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës, Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet për të krijuar ambient dhe rrethana të sigurta për zhvillimin e takimit Kosovë – Turqi.

Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo polici e ka hartuar planin operativ, i cili u është përshtatur nevojave të cilat qojnë drejt asaj që ofrimi sigurisë të jetë në përputhshmëri me nevojat që kërkon një ngjarje e tillë sportive.

“Policia ka ndërmarrë të gjitha masat, fillimisht, për ofrimin e sigurisë së rrugëve që shpijnë drejt stadiumit ‘Adem Jashari’. Po ashtu, ka siguruar hapësira për parkimin e veturave që do të jenë pjesë e evenimentit. Ne si polici, apelojmë te qytetarët që pjesëmarrja e tyre e lirë dhe e vullnetshme të jetë në përputhshmëri me të gjitha normat dhe standardet që i takojnë evenimentit sportiv dhe që gjësendet, të cilat janë të ndaluara në stadiumet apo në evenimentet sportive të mos jenë pjesë e qytetarëve, pasi që do të ketë kontroll sipërfaqësor për çdo qytetar, i cili posedon biletë për hyrë në stadium”, bën të ditur Zahiti.

Zëdhënësi Zahiti, ka shtruar se policia ka edhe planin alternativ për çfarëdo rrethane e cila mund të paraqitet gjatë takimit.

Gjithashtu ai ka theksuar se pas takimit pritet fluks i madh i qytetarëve që do të dalin nga Mitrovica dhe policia ka siguruar rrugët alternative për kthimin e tyre.

Rrugët alternative janë të paraqitura në kartolina, të cilat policia do t’ua shpërndajë qytetarëve në hyrje të Mitrovicës.

Ndryshe, takimi miqësor me Turqinë, për përfaqësuesen e Kosovës është takimi i dytë me lejen e Federatës Botërore të Futbollit –FIFA, i cili pason takimin që u zhvillua me Haitin, me 5 mars në Mitrovicë.

Me 25 maj, Kosova do ta zhvilloj takimin e tretë miqësor ndërkombëtarë, me Senegalin, në Gjenevë të Zvicrës.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG