Ndërlidhjet

Situatë e qetë në Maqedoni


Në lagjen "Gjorçe Petrov" të Shkupit, mëngjesin i sotëm gdhiu qetë pas protestave të së martës, të cilat u organizuan në shenjë revolte pas vrasjes së të riut Angell Petkoski për shkaqe banale.

Nga dikasteri i policisë kanë njoftuar se pas protestave të së martës, që u organizuan përmes rrjeteve sociale, janë arrestuar gjithsej 27persona.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Ivo Kotevski, protestën e ka cilësuar si të qetë, pa incidente më të mëdha, të cilat do të cenonin sigurinë dhe rendin si pasojë e reagimit të shpejtë të forcave policore.

"Protesta ka qenë e qetë, pa shkelje të rëndë të ligjit dhe prishjes së rendit dhe sigurisë. Në protestat e mbrëmshme kanë marrë pjesë kryesisht të rinj të moshës prej 15 deri 18-vjeçar, të cilët janë anëtarë të tifo-grupeve të ndryshme. Një pjesë e tyre kanë bartur kapela të zeza në kokë dhe shkopinj bejsbolli”, ka deklaruar Kotevski.

Organet policore njëherësh kanë bërë thirrje te qytetarët që të mos iu nënshtrohen provokimeve të ndryshme dhe të mos lejojnë të futen në incidente më të mëdha.

Edhe misioni i OSBE-së në Shkup është shprehur se nevojitet maturi e shprehur nga ana e të gjitha palëve për të tejkaluar situatën e tensionuar pas humbjes tragjike të jetës së të riut maqedonas, gjë e cila u përcoll me dy net trazirash në lagjen "Gjorçe Petrov".

Ambasadori i OSBE-së në Shkup, Ralf Breth, ka thënë se ky mision me shqetësim ka ndjekur zhvillimet e fundit. Ai ka theksuar se autoritetet përgjegjëse janë duke e hetuar rastin, andaj është shumë e rëndësishme që procesi hetues dhe gjyqësor të zhvillohet pa pengesa.

Edhe partitë politike, të cilat janë pjesë e Qeverisë, VMRO DOMNE dhe BDI, të mërkurën kanë dalë me reagim zyrtar nëpërmjet komunikatave me shkrim, dy ditë pas ngjarjeve të përcjella me trazira pas vrasjes së të riut maqedonas.

VMRO DMNE, e drejtuar nga kryeministri Nikolla Gruevski, ka kërkuar nga të gjithë faktorët sjellje të arsyeshme duke filluar nga të rinjtë, familjarët e tyre dhe subjektet politike, me qëllim që të evitohet përshkallëzimi i situatës.

“U bëjmë thirrje të rinjve, të cilët këto dy ditë shprehin pakënaqësinë si dhe familjeve të tyre, që ta lejojnë shtetin të veprojë sipas ligjeve. Çdo aktivitet kundër ligjit jo që nuk ndihmon dikë, por vetëm mund ta çojë shtetin në sfida serioze dhe të krijojë tensione të mëdha. Inkurajojmë institucionet të vazhdojnë me mbrojtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Kurse, partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, pas takimit të Kryesisë qendrore, përmes një komunikate për media ka dënuar vandalizmin e shprehur gjatë protestave të dhunshme.

"Njëherësh u bëjmë thirrje qytetarëve që të ruajnë gjakftohtësinë dhe vetëpërmbajtjen e tyre, dhe të kontribuojnë së bashku me institucionet në rikthimin e rendit dhe të sigurisë. Bashkëjetesa ndëretnike paraqet vlerë që kërkon kujdesin dhe përkushtimin tonë, pa harruar se sjelljet individuale të gjithsecilit mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti në këto marrëdhënie”, thuhet mes tjerash në reagimin e BDI-së.

Ndërkaq, Pavle Trajanov, ish-ministër i Punëve të Brendshme, aktualisht pjesë e koalicionit qeveritar, ka theksuar se tashmë disa vjet çdo ngjarje që ka për bazë krimin, i jepet dimension politik dhe etnik.

“Nëse këto raste zbardhen me kohë, opinioni informohet me kohë dhe njëkohësisht pasojnë dënime të rënda ndaj atyre që marrin pjesë në ngjarje të këtilla, ku është evidente shprehja e vandalizmit, do të jetë më e lehtë për t`u menaxhuar ngjarjet e këtilla, kuptohet duke mos anashkaluar faktin se është humbur jeta e një të riu të pafajshëm dhe fajtori duhet të dënohet”, ka theksuar Trajanov, partia e të cilit është pjesë e koalicionit të Qeverisë.

Nga ana tjetër, Artan Grubi, deputet i Bashkimit Demokratik për Integrim në profilin e tij në facebook ka shkruar se “organet policore, ashtu siç zbardhën rastin në kohë të vrasjes së një djaloshi të pafajshëm, dhe arrestoi të dyshuarin për krimin, ashtu policia duhet të ndërhyjë për ta ndalur dhunën ndaj pronës private dhe qytetarëve të pafajshëm, si dhe të sjellë para drejtësisë ata kriminelë që po e shfrytëzojnë këtë rast për të nxitur urrejtje ndëretnike dhe për t'i tmerruar fqinjët e tyre".

Kurse, opozita maqedonase ka thënë se nuk dëshiron t`i komentojë “zërat” e disa mediave të vendit, që thonë se pas protestave qëndrojnë struktura, të cilat janë nën kontroll të Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë.

Zëdhënësi i kësaj partie, Petre Shlegov, shkurt ka deklaruar se ditën që varroset një i ri i pafajshëm, nuk ka vend për politikë, por organet shtetërore janë ato që duhet të bëjnë punën e tyre.
XS
SM
MD
LG