Ndërlidhjet

Mungesa e transparencës në institucionet publike për mënyrën e shpenzimit të buxhetit, tregon qartë se në Kosovë mund të ketë keqpërdorim të parasë publike, vlerësojnë përfaqësues të shoqërisë civile.

Sipas tyre, qytetarët e Kosovës kanë shumë pak informacion se si mbushet buxheti i shtetit dhe se si i shpenzojnë ato para institucionet publike.

Një platformë e Institutit për Hulumtime të Avancuara (GAP), e cila ka për qëllim të pasqyrojë në detaje se si institucionet publike shpenzojnë mjetet, tregon se shumë organizata buxhetore nuk iu përgjigjen kërkesave të Institutit GAP për raportime buxhetore.

Derisa, në rastet kur disa prej tyre u përgjigjen kërkesave të Institutit GAP, raportimet i dërgojnë në formë të skanuar, ku paraqiten vështirësi për interpretimin e të dhënave buxhetore.

Drejtori ekzekutiv i Institutit GAP, Agron Demi, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se transparenca e institucioneve të Kosovës përballë publikut, lidhur me informacionet e rëndësishme, siç është shpenzimi i buxhetit, mungon.

“Ekziston një paqartësi e madhe se si institucionet publike e shpenzojnë buxhetin e tyre dhe po ashtu ekziston një paqartësi e madhe se si mbushet arka e shtetit. Prej marsit 2013 deri më tani 17 mijë vizitorë kanë marrë të dhëna prej kësaj platforme. Ajo që kemi shpresuar dhe nuk është arritur, ëshët që kjo platformë të përdoret edhe nga Ministria e Financave për ta rritur transparencën buxhetore. Deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur, por kjo ministri nuk është treguar fare kooperative sa i përket rritjes së transparencës”, ka thënë Demi.

Ai ka shprehur shpresën që pas zgjedhjeve të 8 qershorit, Ministria e Financave do të jetë më transparente. Sipas tij, deri më tani, shoqëria kosovare nuk ka arritur që t'i dënojë ata që nuk iu përgjigjen kërkesave të shoqërisë civile për qasje në dokumente publike.

“Tashmë kemi një rast në Gjykatën komunale të Prishtinës kundër Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik ku e kemi paditur para 537 ditëve dhe ende nuk kemi asnjë përgjigje nga gjykata se çfarë ka ndodhur me ankesën tonë për moslejimin(e qasjes) në dokumente publike”, ka treguar Demi.

Sipas hulumtimeve të bëra të Institutit GAP, Komuna e Hanit të Elezit është njëra nga komunat më transparente sa i përket kërkesave për qasje në dokumente publike.

Në këtë komunë, sipas hulumtimeve, po ashtu, ekziston edhe një disiplinë e lartë e shpenzimit të parasë publike dhe se nuk ka pasur keqpërdorime të mjeteve.

Kryetari i Hanit të Elezit, Refki Suma, ka thënë se konsideron që transparenca mbi shpenzimin e parasë publike është e domosdoshme për secilën komunë.

“Ne, si komunë, jo që kemi bërë diçka të jashtëzakonshme, por kemi bërë punë të zakonshme dhe që është obligative që ta bëjë çdo komunë pasi që edhe vetë mandati i kryetarit dhe ekzekutivit është t’i shërbejë qytetarit, ta respektojë ligjin dhe ta kryejë punën për çka është zgjedhur”, është shprehur Suma.

Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2014 është 1.5 miliardë euro.

Dy institucionet më të rëndësishme për mbledhjen e të hyrave buxhetore janë Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës, të cilat sipas projeksioneve të Qeverisë së Kosovës për vitin 2014, duhet të grumbullojnë mbi 1 miliard euro.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG